Albspirit

Media/News/Publishing

Hashashi mbush burgjet shqiptare


Në burgjet tona janë 1221 të akuzuar dhe të dënuar me vendim të formës së prerë për akuzën e kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Mes tyre edhe të dënuar për vetëm një cigare kanabis. Pas grabitjes, trafiku i drogës mban numrin më të madh të të dënuarve dhe të akuzuarve.

Nga Sebi Alla

Është temë dite, ekonomike madje edhe politike çështja e drogës, aq sa mendohet se ndikoi edhe në rritjen e GDP-së, sidomos në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, por veç fitimeve të mëdha që vijnë nga paligjshmëria, që kontrollohet nga grupe të fuqishme kriminale, ka edhe një problem të vërtetë social.

Burgjet shqiptare në të gjithë vendin janë të mbushura me të dënuar dhe paraburgosur, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rezultojnë 426 të dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge, ndërsa 795 të tjerë presin gjykimin dhe ndodhen në paraburgim për të njëjtën akuzë.

Në total një shifër mjaft e lartë, ku në çdo qeli të mbipopulluar me nga pesë të dënuar, një prej tyre patjetër do jetë akuzuar ose gjykuar për drogë.

Nga rreth 6000 të dënuar dhe të paraburgosur në të gjithë vendin, 1221 prej tyre ndodhen në qeli për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Mes tyre ka edhe shumë që janë të izoluar për një cigare hashash, apo kapur duke kultivuar dhjetëra bimë narkotike.

Pikërisht kjo kategori po bën “burgun” e të tjerëve, pasi janë të pakët personat e kapur me mbi 200 kilogramë kanabis që po përballen me drejtësinë.

Nga operacionet e policisë në vitin që sapo u mbyll, janë proceduar dhe ndaluar rreth 300 persona, por pjesa më e madhe e tyre ishin punëtorë të kanabisit, të arrestuar në flagrancë në arat e mbjella ose në magazina duke kryer përpunimin e drogës.

Edhe brenda të dënuarve për trafik narkotikësh ka dallime, pasi mbi 85 për qind e tyre janë të akuzuar për kultivimin apo shitjen e hashashit, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në burg për heroinë, kokainë dhe drogëra sintetike.

Një prej të rinjve që u prangos pasi u kap me vetëm tre gramë hashash (ose tri cigare të holla) dhe më pas i dha fund jetës në qelitë e burgut ishte Estref Halili, vetëm 22 vjeç.

Në fundin e dhjetorit të vitit të kaluar u kap me sasinë e vogël të drogës dhe u la në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.

Në momente të depresionit të thellë vari veten dhe pak para se të ndahej nga jeta iu shprehu shqetësimin shokëve të qelisë se kishte frikë se mund të dënohej deri në tri vite burg. Si Halili edhe shumë të tjerë janë në burgje për vetëm pak gramë kanabis, ndërsa vështirë të gjesh trafikantë të mëdhenj që të përballen me drejtësinë për trafikimin e narkotikëve.

Në të shumtën e rasteve largohen, ose janë njerëz të lirë që njihen si biznesmenë, kryesisht në fushën e ndërtimit, pikave të karburantit dhe resorteve turistike në bregdet.

Një prej personave më të përfolur në muajt e fundit është Klement Balili, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor të Sarandës, i akuzuar nga drejtësia greke si një nga drejtuesit dhe financuesit kryesor të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ndonëse emri i tij u publikua nga Partia Demokratike që në fillim të hetimeve, për Balilin nuk u mor masa e ndalimit, ndërsa me mbërritjen e urdhër-arrestit ndërkombëtar, u kryen disa aksione policore, por ishin të destinuara të dështonin, ende pa nisur.

Kjo situatë kaq “rozë”, nuk mund të jetë për një kategori tjetër të dënuarish, që aktualisht ndodhen në qeli për mbajtjen e vetëm pak gramëve kanabis.

Një pjesë e tyre pretendojnë se e kishin për përdorim vetjak, por baza ligjore lë shumë vend për interpretim dhe në mesin e 1221 të dënuarve apo të paraburgosurve për drogë janë edhe persona të kapur edhe me një cigare hashash.

Mbiprodhimi i kanabisit ka sjellë për pasojë edhe fenomenin tjetër të mbushjes së burgjeve me të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Në bazë të statistikave numri më i lartë i të dënuarve që vuajnë në burgjet tona është për grabitje, ndërsa menjëherë pas tyre në vend të dytë janë personat e dënuar dhe akuzuar për kultivim, prodhim dhe trafikim të narkotikëve.

Synimi kryesor i trafikantëve mbetet tregu i huaj.

Jo më larg se dita e djeshme kreu i departamentit të sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se droga shqiptare tashmë ka vënë në alarm vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

“Në 10 ditët e para të këtij vitit, rreth 4 ton e gjysmë drogë, kanë kaluar përmes kufijve të Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Në Otranto, Torre-Veneri, Napoli, Leçe, Brindisi, kanë mbërritur rreth 4 tonë drogë në këto 10 ditë, të kapura e të sekuestruara nga policia italiane. Po ashtu, në Igumenicë, Selanik, Kostur, janë kapur rreth 500 kg drogë, nga policia greke. Afërsisht 4 tonë e gjysmë, në 10 ditë, vetëm sasia e kapur, e sekuestruar” -tha Alibeaj.

Sipas tij kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri po i ofrojnë lehtësi kartelit të drogës për të transportuar sasi të mëdha hashashi brenda vendit dhe për ta kaluar jashtë kufijve.

Një histori tjetër me shqiptarë të dënuar për drogë është edhe jashtë vendit, kryesisht në Itali, Greqi, Belgjikë dhe Angli.

Trafiku i drogës përveçse një mënyrë fitimi në shifra të larta për trafikantët e mëdhenj, po kthehet në problem social për mijëra familje të varfra shqiptare, që kanë të afërm të dënuar për trafik të narkotikëve.

Please follow and like us: