Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, ja si më 1953 qeveria egjiptiane bllokoi të gjitha asetet e Ahmet Zogut, policia i sekuestroi 15 mijë monedha ari dhe bizhuteri, ja si Mbreti tentoi të ikte në SHBA dhe akuzat e ngritura ndaj tij

Shërbimi sekret amerikan vijon të nxjerrë të tjera të fshehta sa i takon të shkuarës komuniste në Shqipëri. Por përveç të dhënave për Enver Hoxhën, një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe aktivitetit të Ahmet Zogut. Më herët, gazeta ka publikuar disa dokumente ku Zogu tentoi të ikte nga Egjipti në SHBA, pasi aty po hetohej, ndërsa kërkoi që CIA ta strehonte. Ndërkohë, në një tjetër dokument tregohet se si është bllokuar e gjithë pasuria e tij në Aleksandri. Aty tregohet se atij iu bllokuan 15 mijë monedha ari dhe bizhuteri. Nga ana tjetër, ai akuzohej se nuk kishte pagur taksat.

Tetor 1953

Kemi marrë raportime urgjente nga përfaqësues të ish-mbretit shqiptar Zog, se asetet e tij janë ngrirë në të gjitha bankat egjiptiane, dhe nuk ka asnjë lajm për bizhuteritë dhe 15 000 monedhat e arta që u sekuestruan nga policia egjiptiane. Ndihmësi i tij raporton më tej se ministria e Jashtme egjiptiane ka informuar Zogun se pasaporta e tij dhe vizat e largimit janë gati, por Zogu është detyruar të refuzojë pasi nuk mund të largohet nga vendi pa mjetet e tij të mbështetjes financiare. Prandaj, Zogu i kërkon Shteteve të Bashkuara të ndërhyjë te qeveria egjiptiane për llogari të tij, që ai të mund të largohet nga vendi siç është planifikuar më 19 tetor. Sipas kontaktit të Zogut të dyja sulmet, si ai në shtëpinë e Zogut dhe bllokimet bankare, u shpjeguan nga ministria e Jashtme si një përpjekje për mbledhjen e taksave të papaguara, akuza për të cilat Zogu thotë se janë të rreme.

Shtator 1953

Raport i zhvillimeve operacionale

1. Zhvillime të përgjithshme

Radio Greqia e Lirë, më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator, qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht. U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të Ministrisë së Brendshme egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua, por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij, Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i Jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë juridiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga Ministria e Brendshme.

Gjatë muajit shtator, Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të Radios Evropa e Lirë. Megjithëse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.

Përmbledhje e planeve operacionale

Operacionet paramilitare

1. Natën e 7/8 shtatorit, grupi prej pesë personash FIG u ri-infiltrua në Shqipëri. Ata raportuan me radio se zona e hyrjes ishte e qetë.

2. Një mision ajror furnizimi u krye natën e 19 shtatorit për bazën Apple/2, kryesisht për furnizim me bateri për radiot. Rreth 500 kg fletushka u lëshuan mbi Shqipëri si masë diversive.

3.Përveç misionit të rifurnizimit të Apple/2, më 19 shtator u lëshua dhe një kontenier në zonën DZ ku raportohet se gjendet baza e Hil Shllakut, lideri i supozuar i forcës së rezistencës prej 35 000 njerëzish. Në një tentativë për të verifikuar pretendimet e bëra nga Genc Korça në lidhje me aktivitetet e Hil Shllakut, Korça është zhvendosur nga Roma në Athinë për marrje në pyetje. Në të njëjtën kohë po bëhen përpjekje për të kontaktuar me Zef Shllakun, i cili është larguar për në Jugosllavi bashkë me Korçën dhe me profesor Prenk Grudën, të cilët ndodhen në zonën britanike në Austri. Zef Shllaku dhe Gruda duhet të jenë të aftë të japin detaje të mëtejshme për aktivitetet e Hil Shllakut dhe mundësitë e tij të rezistencës.

4.Britanikët na kanë informuar se grupi i tyre është ri-infiltruar me sukses natën e 29 gushtit.

Në lidhje me luftën psikologjike, grupet tona në Romë kanë raportuar se gjatë shtatorit janë mbajtur bisedime me Ali Këlcyrën dhe me Koço Mukon, liderët e Ballit Kombëtar, që janë ndarë nga organizata bazë në fund të viteve 1950-të. Përpjekjet për t’i përfshirë ata në NCFA deri tani nuk kanë patur sukses.

Anëtarët e komitetit ekzekutiv të NCFA që ishin të pakënaqur me tekstin e letrës së dërguar nga sekretari i shtetit në përgjigje të kërkesave sipas udhëzimeve tona, refuzuan të lejojnë publikimin e korrespondencës në gazetën Shqipëria. Komiteti kundërshtonte deklaratën e zotit Dulles se problemi i marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët e saj në të ardhmen, ishte çështje kryesisht për diskutime dhe zgjidhje bilaterale. Përfaqësuesi ynë në Romë raportonte se ishte detyruar të shkatërronte të gjitha kopjet e edicionit të 15 shtatorit të gazetës Shqipëria, për arsye të një artikulli inflamator mbi kufirin Shqipëri-Greqi. Gazeta më pas u riprintua pa artikullin në fjalë. Të dy përfaqësuesit tanë dhe ata britanikë po mbajnë qëndrim të ashpër ndaj komitetit në lidhje me këtë sjellje të padisiplinuar të tejkalimit të bindjes ndaj direktivave. Ata ishin të shqetësuar për ngjarjen dhe kërkonin të merrej në konsideratë shpërbërja e mundshme e komitetit.

2. Natën e 9/10 shtatorit u krye një lëshim i suksesshëm fletushkash mbi Shqipëri. Rreth 300 000 fletushka u lëshuan së bashku me një sasi të pacaktuar gjilpërash qepjeje të ngjitura me fletushkash. Gjilpërat ishin objekti i parë që u lëshuan pas rishikimit të politikës që lejon rinisjen e artikujve të ushqimit dhe të veshjeve në Shqipëri.

3. Stacion i monitorimit në Bari ka raportuar zhurmim të vazhdueshëm të radios klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë. Forcat në terren raportojnë se zhurmimi vjen prej thirrjeve për dezertim që brehen dy herë në ditë, dhe ka sinjalizime se zhurmimi mund të vijë prej Bullgarisë. Megjithë pengesat transmetimet janë ruajtur sipas programit.

4. Gazeta e përdyjavshme e NCFA Shqipëria, është shtypur në Romë sipas afatit. Një version më i vogël i saj, i përdorur më parë në lëshimet ajrore, është ndërprerë, ndërsa një version përmbledhës është shtypur çdo muaj dhe do të përdoret në lëshimet nga ajri në Shqipëri.

Synimet e SHBA

Siç është deklaruar më 1947, politika e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërinë ka si qëllim mbrojtjen e pavarësisë së vendit dhe të sigurojë lirinë e popullit shqiptar për të kryer punët e tij pa ndërhyrje nga shtetet apo grup-shtetet e huaja. Nga ana tjetër është deklaruar gjithashtu se “influenca politike e Shqipërisë, burimet ekonomike, ushtarake janë të pakta sa i përket sigurisë së SHBA. Domethënia e saj strategjike qëndron vetëm në vendndodhjen e saj, si bazë e mundshme operacionesh, si hyrje në detin Adriatik dhe si hyrje në Greqi nga Veriu. Pra, interesat e SHBA në Shqipëri janë vetëm rrjedhime të interesave në Itali, Adriatik dhe Greqi. Pozita e marrë nga President Wilson kundër propozimeve për ndarjen e Shqipërisë në konferencën e paqes në Paris më 1919 siguroi mbijetesën e pavarur të vendit. Në vazhdim të kësaj tradite të caktuar tashmë, Shtetet e Bashkuara nuk njohën aneksimin e Shqipërisë nga mbretëria italiane dhe rrjedhimisht pushtimin e saj në prill 1939, por e konsideruan Shqipërinë si një viktimë të aksit të agresionit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA ka inkurajuar dhe mbështetur rezistencën  vendase kundër forcave naziste e fashiste. Më 10 dhjetor 1942, Sekretari i Shtetit  Hull deklaroi rivendosjen e Shqipërisë së pavarur sipas parimeve të kartës Atlantike. SHBA nuk ka njohur regjimin e Hoxhës. Më 8 maj 1945, një mision informal shkoi në Shqipëri për të vëzhguar kushtet dhe zhvillimet për njohjen e mëpasshme të regjimit të Hoxhës.

Kushtet për Enver Hoxhën

Megjithëse marrëdhëniet tona informale me autoritetet shqiptare u përkeqësuan pas vendosjes së marrëdhënieve me BRSS, ne vazhduam të kërkojmë mirëkuptim sipas linjave tona të propozimit për njohjen e regjimit. Ishte parashtruar plotësimi i dy kushteve për njohjen; e para mbajtja e zgjedhjeve të lira, dhe së dyti qëndrimi në fuqi i traktateve në fuqi mes Shqipërisë dhe SHBA prej prillit, 1939. Kushti i parë u plotësua me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor 1945, kurse kushti i dytë po zvarritej nga autoritetet, kohë gjatë së cilës misioni amerikan në Shqipëri po bëhej objekt trajtimesh jo-miqësore, të pasjellshme dhe dyshuese. Më në fund, më 13 gusht, 1946, nëntë muaj pas ofertës amerikane për njohje, regjimi shqiptar sinjalizoi pranimin e traktateve dhe marrëveshjeve multilaterale ku Shqipëria dhe SHBA ishin pjesë, por nuk pranoi marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. Duke mos marrë këto garanci nga regjimi, SHBA tërhoqi misionin e saj më 14 nëntor 1946. Një tjetër çështje lindi mes Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA dhe lëvizjes guerile komuniste në Greqi, teksa kjo e fundit po mbështetej nga Shqipëria, Jugosllavia dhe Bullgaria. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aventurë, si dhe pengimi i Shqipërisë, i punës së komisionit të veçantë të OKB për Ballkanin, janë kritikuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara. Më 1948, Departamenti i Shtetit informoi lidhjet e tij në Ballkan se objektivat amerikane në lidhje me vendet satelite të BRSS ishin identifikimi i vendeve demokratike që nuk siguronin të drejtat e njeriut për popullin e tyre dhe vendet që diskriminonin kundër interesave të SHBA dhe shteteve të tjera miqësore. Në direktiva thuhej se megjithëse SHBA pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në marrëveshjet e përgjithshme rajonale e ballkanike për mirëqenien e shteteve, ne do të kundërshtonim aderimin e saj në federata bilaterale apo grupime të gjera shtetesh që krijonin unione ideologjike, pasi një zhvillim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.

Konkluzionet

1. Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA në Shqipëri nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend. Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë. Megjithëse përdorimin e bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitetet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.

2. Kontrolli sovjetik i Shqipërisë duket se është kompletuar. Ai ushtrohet kryesisht prej komunistëve shqiptarë dhe nga personeli sovjetik aty, në rast konflikti të brendshëm qeveria sovjetike, duke mos pasur akses direkt në Shqipëri, do të mendonte të shpëtonte personalin e saj ushtarak, pasi nuk do të mund të bënin më shumë pa rrezikuar të nisnin një konflikt të përgjithshëm.

3. Rezistenca aktuale sporadike në Shqipëri nuk mund të përmbysë regjimin pa ndihmë nga jashtë Shqipërisë. Nuk ka alternativë tjetër përveç regjimit të Hoxhës në Shqipëri, dhe e vetmja mundësi vjen nga grupet jashtë Shqipërisë.

4. Asnjë qeveri apo pushtet në Shqipëri nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e një apo disa fuqive të mëdha. Standardet aktuale ekonomike e sociale nuk janë të favorshme për funksionimin e një demokracie, në sensin perëndimor të fjalës. Një regjim jo-komunist duhet patjetër të ndjekë forma demokratike të veprimit dhe të sigurojë të drejtat e njeriut në vend.

5. Nga fqinjët e Shqipërisë, Jugosllavia gjithnjë e më në vështirësi me Kremlinin dhe Cominform, duket se po krijon probleme për regjimin e Hoxhës. Ato vijnë në formën e sulmeve guerile, sanksioneve ekonomike dhe propagandës. Për sa kohë në Shqipëri do të ketë një regjim si ai i Hoxhës, qeveria e Titos nuk do të mund të tentojë përmbysjen e regjimit pa rrezikuar të goditet nga sovjetikët nga Veriu dhe Lindja. Nëse regjimi komunist në Shqipëri bie nga shkaqe të tjera, situata apo koha do të përcaktonte nëse Kremlini do të kundërshtonte tentativat e Titos për të avancuar aty. Prandaj në rast të zhvillimeve anti-Hoxha duhet shikuar me kujdes rrethanat e marrëdhënieve mes Shqipërisë, Titos e Kremlinit, si dhe ato mes Titos dhe botës jo-komuniste. Veprimet për përmbysjen e Hoxhës do të kishin avantazh për ne vetëm nëse situata është e tillë që Tito nuk mund të hyjë në Shqipëri, apo nëse mund të influencohet të mos e bëjë prej dëshirës për të konsoliduar regjimin e tij.

6. Greqia nuk ka avancuar me pretendimet e saj territoriale në Shqipëri dhe as të neutralizojë rezistencën kundër pretendimeve me bazë në Greqi. Do të kishte nevojë për presion diplomatik për të bërë që Greqia të mos ndërhynte në Shqipëri në rast të ndonjë krize të brendshme.

7. Italia aktualisht nuk ka pretendime, ndërsa është Shqipëria që ka pretendime ndaj Italisë. Italia ka dënuar dhe madje ka mbështetur aktivitete kundër regjimit të Hoxhës, veçanërisht kur është nxitur nga SHBA.

8. Po përgatitet situata për një bashkim të kujdesshëm të grupeve anti-komuniste të emigracionit, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Aleatëve. Disa të emigruar kanë krijuar komitete për aktivitete anti-regjim nga jashtë Shqipërisë dhe në lidhje me rezistencën e brendshme. Por ato kanë nevojë për mbështetje monetare dhe mjetesh. Ato do të pengoheshin nëse merrte pjesë personalisht Mbreti Zog, ashtu siç nuk do të funksiononte nëse merrnin pjesë anëtarët e grupeve

VATRA apo Shqipëria e Lirë

9. Përmbysja e regjimit Hoxha prej anti-komunistëve shqiptarë dhe vendosja e regjimit anti-komunist në Shqipëri, do të kishte një efekt të rëndësishëm psikologjik në ngritjen e moralit të grupeve të rezistencës, si dhe te vendet e tjera komuniste nën dominimin sovjetik, në Ballkan dhe në Evropën Lindore.

10. Politika aktuale e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duhet rishikuar për të përfituar nga situata aktuale në Shqipëri dhe Ballkan.

11. Instrumentet në zotërim të SHBA për ekzekutimin e politikës në Shqipëri janë të pamjaftueshme për zbatimin e politikës së dëshiruar. Prandaj nevojitet dhe duhet fituar bashkëpunim i plotë me qeverinë britanike, qeverinë franceze dhe agjencitë e tyre. Në faza të mëvonshme mund të merret në konsideratë bashkëpunimi edhe me qeverinë turke.

Please follow and like us: