Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeveprat italiane të 900-ës do të ekspozohen për 3 muaj në Tiranë

“Për të shijuar kryeveprat e  artit roman nuk është nevoja të shkoni deri në Romë”. Kështu shkruan në Facebookun e saj ministrja e Kulturës, e cila fton gjithë publikun kryeqytetas të bëhet pjesë e  ekpozitës së veçantë, e cila do të qëndorjë e hapur nga 16 janari deri më 2 prill 2017.“S’ka nevojë  të shkoni deri në Romë, për #Roma900. Punohet intensivisht dhe investohet në Galerinë  Kombetare të  Arteve për të shpalosur kryeveprat tashmë pak hapa larg, këtu në  Tiranë duke filluar nga data 16 janar. Ndërkohë përgatitet skuadra e edukimit kulturor që për 3 muaj do të mirëpresë nxënësit e shkollave me një program të dedikuar për fëmije e të rinj”,- shkruan Kumbaro, e cila zbulon edhe disa foto nga instalimi i këtyre veprave në GKA.

100 kryeveprat e autorëve italianë të piktorëve të njohur romanë janë përzgjedhur nga fondi prej 3000 veprash të Galerisë së Artit Modern në Romë. Midis pikturave, skulpturave, akuareleve dhe skicimeve, rrugëtimi ekspozitës – kuruar nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – hulumton përmes kulturës artistike e cila i ka rrënjët e saj në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX-të.

Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane: janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj si Giacomo Balla (Ritratto di Nathan, 1910 – Portreti i Nathan-it), Carlo Carrà (Partita di calcio, 1934 – Ndeshje futbolli), Giorgio de Chirico (Combattimento di gladiatori, 1933-1934 – Ndeshje gladiatorësh), Filippo de Pisis (Natura morta – pesci e bottiglia, 1925 – Natyrë e qetë – peshq dhe shishe), Giuseppe Capogrossi (Giuochi del 1935 – Lojëra), Renato Guttuso (Tetti di Roma, 1957-59 – Pullazet e Romës) e Adolfo De Carolis (Donna con fiori – Nudo di donna con rose, 1910 – Grua me lule – Nudo gruaje me trëndafila).Kryeveprat romane, një koleksion i çmuar nga 60 autorë të ndryshëm  sjellin të gjallë evolucionin e gjuhëve artistike të kohës duke kaluar nga Simbolizmi tek Futurizmi dhe nga Klasicizmi deri tek Abstraksioni.

Please follow and like us: