Albspirit

Media/News/Publishing

Jacques ATTALI: Trump dhe ne…

Çfarë pasojash ka për Evropën, Donald Trumpi në Shtëpinë e Bardhë?
Pikësëpari, ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të thotë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë për të paktën 4 vite, të njëjtin President. Ç’ka do të thotë, një lloj vizioni për të ardhmen, nga ku do të rrjedhë një strategji. Dhe Trump ka një vizion për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shumë më pak universal sesa të gjithë paraardhësit e tij, të paktën që prej 24 vitesh.
Donald Trump është qartësisht izolues. Në mënyrë të veçantë, ai dëshiron që: Evropa të kujdeset vetë për mbrojtjen e saj; të kthejë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës uzinat amerikane që sot janë instaluar në Evropë, ose që synojnë të instalohen aty. Ai do ta lëri dollarin të bjerë, nëse kjo do të tërheqë investitorë në SHBA dhe do ta nxisë pjesën tjetër të botës të konsumojnë produkte amerikane.
Përgjithësisht, kjo zgjedhje e vendos Evropën  në një situatë gjeopolitike radikalisht të re: për herë të parë, ajo gjendet përballë tre vendeve të mëdha, drejtuesit e të cilëve kanë kohën përpara, dhe me një strategji të qartë, në të cilën aleanca me Evropën nuk bën pjesë.
Përveç SHBA-së së Trumpit, Rusia e Putinit do të dojë, si një lojtare e mirë shahu, të rindërtojë statutin e saj si një fuqi e madhe, duke rimarrë pozicionet e saj të forta dhe duke u siguruar që Evropa nuk mund ta dëmtojë, as ekonomikisht as ushtarakisht. Kina e Xi Jinpingut, si lojtare e mire e lojës go (si tavëll, lojë kineze, loja më e vjetër e njohur e strategjisë kombinatore abstrakte ) do të dojë të lidhë aleanca në gjithë botën për të afirmuar fuqinë e saj dhe të sigurojë furnizimin e saj me lëndë të para, duke dobësuar si rrjedhojë rrjetet e aleancave dhe pozicionet e influencës së të tjerëve, që do të thotë të evropianëve.
Për të tre fuqitë më të mëdha botërore, Evropa nuk është më një partner, por një prejë. Dhe ata do të bëjnë gjithçka për ta dobësuar, gjithmonë duke u betuar për të kundërtën.
Përballë këtyre orekseve, tre drejtuesit më të rëndësishëm të Evropës, për gjithë vitin 2017 janë paralizuar nga zgjedhjet e programuara në Francë, Gjermani dhe Presidencën e Bashkimit Evropian. Pa llogaritur këtu të gjitha forcat e brendshme centrigugale në Itali, Vendet e Ulëta dhe Evropën Qendrore.
Kështu që, për tre superfuqitë e tjera, 2017 është viti i ëndërruar për të hequr qafe një rival të mundshëm; e për këtë ata do të bashkojnë forcat e tyre me ata që, edhe në Evropë, duan të shpërbëjnë Bashkimin Evropian. Sepse vetëm në Evropë ka njerëz që besojnë se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë fuqia e parë botërore e shekullit të 21të. Sepse vetëm në Evropë ka njerëz që duan të rikthehen në provincializmin e hapësirave të vogla, kur kanë shansin të mund të ndërtojnë një komb të madh demokratik e sovran, të së njëjtës  madhësi si rivalët kryesorë.
Na pëlqen apo jo, në një botë të ndërlidhur në mënyrë të pakthyeshme, fuqia (që do të thotë niveli i jetesës, i punësimit, demokracisë, sovranitetit dhe lirisë) do t’i përkasë kombeve më të populluara, që kanë më shumë hapësirë, burime natyrore, dalje në det. Vendet e vogla nuk do të mund të mbijetojnë veçse nëpërmjet një loje shumë delikate aleancash si Japonia, Britania e Madhe, ose në gjendjen e militarizuar vazhdimisht ose vazhdimisht nën rrethim, si  Singapori apo Izraeli. Mund të vazhdojmë t’i shtojmë shembujt, pa kundërshembuj.
Kjo është sfida e 2017 për evropianët:   t’u mbijetojnë sulmeve që vijnë nga brenda dhe nga jashtë,  duke u vendosur, pa e kuptuar dhe pa e dashur, në shërbimin e të tjerëve. Ndaj duhet që pa e pritur vitin 2018 të fillojmë projektin e madh të Evropës së Mbrojtjes. Nëse ne nuk e bëjmë, do të na detyrojnë ngjarjet, dhe pastaj mund të jetë tepër vonë.

________
* Jacques Attali është profesor, shkrimtar, Këshilltar Shteti, Këshilltar i posaçëm pranë Presidentit të Republikës nga 1981-1991, themelues dhe Presidenti i Parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër dhe aktualisht është president i A&A, një shoqëri ndërkombëtare këshilltarësh, dhe president i Positive Planet, organizatë ndërkombëtare që mbledh institucionet e  mikrofinancës  në botë.

Integrimi në Bashkimin Evropian është objektivi strategjik i Shqipërisë, i përcaktuar edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020. Shumë dokumente të tjera strategjikë për vendin  janë harmonizuar në funksion të këtij synimi. Të gjitha reformat në vend po ndërmerren  bazuar në vizionin afatgjatë të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, në këtë Union, aktualisht të dobësuar.

Natyrshëm mund të lindë pyetja, në këtë Evropë që rrezikon të dobësohet a shpërbëhet apo të forcohet, Shqipëria ç’mund të bëjë?  Ndoshta ky aktualitet i politikës botërore do të çojë në riformësimin e objektivave strategjikë të vendit? Çka do të thotë se do të duhej gjetur një objektiv tjetër më vizionar, të nxisë reformat që zhvillojnë vendin. Si psh. Rritja e mirëqenies së qytetarëve. (Shënim i përkthyesit).

Please follow and like us: