Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Bojaxhi: ‘Sfida për Shqipërinë’, asnjë koalicion me parti që kanë fituar deputetë në zgjedhjet e kaluara

Gjergj Bojaxhi, një prej themeluesve të partisë “Sfida për Shqipërinë” deklaron se kjo forcë politike gjendet në dorë të anëtarësisë dhe vendimet mund t’i marin veç ata.

Bojaxhi sqaron se në kushtet ku ndodhen partitë shqiptare, alternativa e kualicionit është e përjashtuar kategorikisht.

I pyetur lidhur me figurat e inkriminuara në parlament,  ai  shprehet se në politikë duhet të përfshihen veç njerëz me vlera dhe jo emra që kanë probleme me ligjin.

Ndër të tjera, bashkëthemeluesi i kësaj force politike, gjykon se shtetit shqiptar i mungon transparenca.
Sa i përket  mbrojties së votave, Bojaxhi thotë se ky fenomen i njohur nuk do të shkaktojë grindje pasi anëtarët do të dinë ta mbrojnë.

Bojaxhi, me themelimin e partisë ju thatë se nuk jeni ende lideri i “Sfidës për Shqipërinë”.  Analistë mediatik mendojnë se ky është thjesht një “truk” politik. Cilat janë alternativat që ju mos jeni në krye të saj?

Partia Sfida për Shqipërinë është krijuar me vetëdijen e plotë si një model i ri dhe ndryshe nga partitë ekzistuese në Shqipëri. Ne kemi shqpenzuar me qindra orë takime dhe diskutime mes anëtarëve themelues për të vendosur mbi organizimin më të përshtatshëm politik. Mënyra se si partia funskionon tani nuk është vullneti i askujt në veçanti por rezultati i vendimeve të shumicës të marra në mënyrë demokratike. Te Sfida për Shqipërinë anëtarët kanë fuqinë vendimmarrëse që parashikojnë edhe statutet e partive të tjera, por të cilat nuk i zbatojnë në praktikë. Për ne Statuti zbatohet, sepse ky është modeli i politikës tek i cili besojmë. Nëse je anëtar i Sfidës ke të drejtë të votosh apo të kandidosh për të qenë përfaqësues politik.

Në Shqipëri pas çdo përfundimi procesi zgjedhor, forca të ndryshme (kryesisht nga partitë e vogla ) ngrenë akuza për vjedhje votash. Ju si do t’i mbroni votat tuaja? P.sh: Sa garanci ka një banor në një fshat të Shqipërisë se vota e tij do shkojë në llogari të “Sfdës për Shqipërinë”?

Fenomeni i vjedhjes së votave nuk është i panjohur për realitetin shqiptar. Por ne besojmë që të gjitha votat për Sfidën do të kenë peshën që u takon. Ne jemi të vendosur të angazhohemi maksimalisht në procesin e mbikëqyrjes së numërimit sipas të gjtiha ligjeve ekzistuese. Edhe me Ne Tirana për garën për bashkinë ishim të vetmit që nuk ngritëm akuza për vjedhje të votave. Besojmë që qytetarët janë gati për një politikë ndryshe, ndaj besojmë që partia Sfida për Shqipërinë do të mobilizojë qytetarët dhe do të arrijë të mbrojë votat e veta.

Cilat janë marrdhëniet tuaja sot me liderin e opozitës Lulzim Basha? Keni vërejtur ndonjë sinjal për koalicion?

Statuti i Sfidës parashikon që partia nuk do të bëjë asnjë koalicion me parti që kanë fituar deputetë në zgjedhjet e kaluara. Pra, ky rregull, edhe në rastet kur mund të ketë ftesa nga partitë parlamentare ekzistuese, përjashton çdo mundësi bashkëpunimi për koalcion me këto parti. Dhe ne jemi të vendosur t’i zbatojmë rregullat që kemi sepse besojmë që vetëm një politikë që respekton rregullat brenda vetes mund të zgjidhë problemet që mundojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Sfida për Shqipërinë kërkon pikërisht të sjellë këtë model politik që mungon.

Nëse do të kishit një ftesë për koalicion parazgjedhor nga mazhoranca, ju si anëtar i “Sfidës për Shqipërinë” çfarë vendimi do merrnit?

Unë do të votoja për zbatimin e plotë të statutit të partisë. Siç thashë ky statut e përjashton mundësinë e një bashkëpunimi të tillë.

Një pyetje që ngrihet në media është se kush e financon këtë forcë politike. Po ju pyes drejtpërdrejt, cilat janë burimet financiare që ka kjo parti?

Anëtarësia. Anëtarët e Sfidës kanë kuotat e tyre dhe të drejtë për donacione. Një nga problemet e funksionimit të shtetit shqiptar është mungesa e transparencës. Ne besojmë se kjo duhet të ndryshojë dhe ne do ta nisim duke dhënë shembullin tonë.

Një pjesë e mirë shqiptarësh ndjehen të lodhur nga premtimet e politikës. Pse sot duhet të besojnë që kjo forcë do të jetë ndryshe? Cila është garancia që jepni ju që nuk do të zhgënjehen?

Vetë partia Sfida për Shqipërinë është e përbërë nga anëtarë që ndihen të tillë, pra të zhgënjyer dhe të lodhur nga një politikë që nuk frymëzon, nuk të bën të ndihesh krenar apo qoftë edhe i përfaqësuar. Sfida që ne i kemi vendosur vetes është ndërtimi i një modeli politik ndryshe, jo vetëm sa i përket premtimeve, por gjithë funksionimit të partisë në përgjtihësi. Garancia jonë është një proces demokratik i brendshëm që i mungon politikës shqiptare. Ne besojmë te një politikë me vlera ku anëtarët dhe qytetarët trajtohen me respektin që meritojnë.

Krahas partisë suaj, garon edhe një parti tjetër e re, LIBRA. Çfarë mendimi keni ju për të? A ka ndonjë shans për koalicion?

Vendime të tilla në parti merren me votim të anëtarëve dhe unë nuk mund të shprehem paraprakisht pa ndodhur ky proces. Çdo iniciativë politike që mund të arrijë të jetë e bazuar në vlera pozitive do të ishte një lajm i mirë për Shqipërinë, edhe nëse niset nga deputetë ekzistues. Sfida për Shqipërinë do të vazhdojë të ruajë identitetin e saj si partia e vetme e krijuar mes dhe nga qytetarët.

Mendojmë sikur erdhët në pushtet, çfarë do të bëni me shumë kolegë tuaj që sot dyshohet se kanë të shkuar kriminale? A do të bashkëpunonit dot me ta në parlament?

Misioni i partisë Sfida për Shqipërinë është një politikë e pastër drejt një Shqipërie që punon. Pra, ne besojmë që për të arritur përmirësime reale duhet që të kemi një politikë të pastër. Reforma në drejtësi ishte një hap i mirë në këtë drejtim. Ne mbështesim një zbatim sa më serioz të saj dhe shpresojmë që në politikë të mos përfshihen njerëz me probleme me ligjin, por njerëz me vlera. Te Sfida e kemi prioritet.

Jeta juaj ka qenë e mbushur plot sfida. Supozojmë se i humbët zgjedhjet, cila do jetë sfida e re për Bojaxhiun? 

Sfidat e mia kanë qenë më shumë misione në detyra publike sesa politike. Rëndësi ka qenë përmbushja me sukses e tyre. Sfida për Shqipërinë është një projekt për të cilin jam krenar që jam pjesë dhe ajo nuk është e Gjergj Bojaxhi, por e të gjithë atyre që besojnë se zgjidhja e problemeve në Shqipëri duhet të bëhet duke nisur nga vetë politika. Për sa kohë që Sfida për Shqipërinë do të sjellë një shembull pozitiv në politikën shqiptare, nuk besoj se do të ketë humbës. Kur të kemi një politikë të pastër, do të kemi edhe më shumë besim se aftësitë tona mund të realizohen në këtë vend./Andrea Danglli-TemA

Please follow and like us: