Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima prezanton nismën kundër Ramës në PS. Nis mbledhjen e firmave

Koço Kokëdhima e ka qartësuar më në fund objektin e lëvizjes së tij. I ka dhënë edhe një emër. E ka quajtur “Zgjidhja”. Qëllimi i saj është reformimi i Partisë Socialiste dhe vendosja e një ligji që kandidatët për deputetë apo kryetarë të bashkive e këshilla bashkiakë të zgjidhen nga qytetarët. Nismën ligjore Kokëdhima do t’ia paraqesë parlamentit së bashku me 25 mijë firma socialiste që synon të mbledhë.

“Drafti i ri i Ligjit për partitë politike shqiptare sanksionon vendosjen e zgjedhjeve paraprake ose primareve të hapura në të gjitha partitë politike, për zgjedhjet vendore e qendrore. Me këtë ndryshim në ligj, kandidatët për deputetë si në rastin e listave të mbyllura, edhe në rastin e listave të hapura nuk do t’i vendosin më kryetarët, por do t’i zgjedhin socialistët e bazës dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë. Me këtë ndryshim nuk do ndodhë më që në Parlament, në këshillin bashkiak, apo në krye të bashkive të shkojnë kriminelë e njerëz që nuk kanë mbështetjen e popullit”, u shpreh ish –deputeti i PS në një takim të mbajtur djë në Tiranë, jo shumë larg selisë së PS, siç thekson gazeta e tij, Shekulli.

Këto veprime do t’i hapin rrugën konkurrencës, vazhdon më tej ish -deputeti i zhgënjyer nga PS dhe miku i tij, Edi Rama. Kritikat për qeverinë nuk munguan, për tenderat, koncesionet e borxhin.

“Shteti ynë s’di të bëjë asnjë punë tjetër përveç se të marrë borxhe joefektive, të bëjë tenderët të manipuluar e të japë koncesione turpëruese për interesat e ekonomisë tonë. Vendi ynë nuk është më tërheqës për investime. Mbi 60 mijë forca të afta emigrojnë çdo vit. Të gjithë të rinjtë janë gati të ikin nga Shqipëria me mundësinë e parë që t’u krijohet. Ky eksod dramatik ka prekur edhe shqiptarët e trevave të tjera në Ballkan. Çfarë do të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu?”

Kokëdhima ka sqaruar se lëvizja e tij do të zhvillohet brenda Partisë Socialiste dhe nuk do të shkojë as te LSI dhe te asnjë force tjetër politike. Në fjalimin që mbajti në asamblenë socialiste në fund të dhjetorit ai akuzoi drejpërdrejtë kryeministirn Rama dhe Gramoz Ruçin për përjashtimin e tij nga PS dhe për mungesën e demokracisë në këtë forcë politike. Nisma synon pikërisht të shmangë vendimmarrjen e Ramës në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë apo kryetarë të bashkive. Kokëdhima u shpreh pro votimit dhe numërimit elektronik në qendrat e votimit. Sllogani i takimit ishte “Unë jam Zgjidhja”.

Please follow and like us: