Albspirit

Media/News/Publishing

Vladimir Kosta: Isha ndër të paktët në vend që besoja në fitoren e Trump

Sot është dita e Donald Trump. Presidenti i 45-të i SHBA-ve do të marrë detyrën për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë. Nga sot nis ndryshimi, jo vetëm i Amerikës.

Isha ndër të paktët në vend që besoja në fitoren e tij. Besoja sepse kisha parë, për pak kohë në SHBA, atë që Amerikanët shihnin çdo ditë. Doland Trump si pak politikanë të tjerë vjen nga bota e biznesit. Amerikanët e votuan edhe sepse një njeri që menaxhon një perandori ekonomike disa milardëshe në disa kontinente do të dijë të menaxhojë më mirë interesat e tyre dhe SHBA-ve.

Fitorja e tij ishte një leksion për elitat e vjetra dhe politikanët tradicionalë që kanë humbur lidhjen me njerëzit. Ishte dhe një leksion për qytetarët që të mos joshen nga retorika boshe, por të dinë të vlerësojnë më shumë njerëzit e sipërmarrjes dhe biznesit, që realisht mbajnë në këmbë ekonominë e një vendi.

Nuk do të doja të flisja sot për çështje të tjera, por po shoh këto ditë shumë lajme të rreme, sikur gjoja me ndryshimin e administratës në Uashington do ndryshojnë dhe marrëdhëniet speciale me Shqipërinë. Më duken qesharake përpjekjet e një pjese të klasës sonë politike për ta përdorur zgjedhjen e Trump për interesa të vogla meskine në Tiranë. Çuditërisht këtë gjë e sponsorizojnë të njëjtët politikanë që disa muaj më parë desh hodhën në erë marrëdhëniet me aleatin strategjik, vetëm sepse nuk donin që ndërkombëtarët (SHBA) të ishin pjesë e reformës në drejtësi.

Vetëm naivët besojnë se Trump do të prishë aleancat strategjike historike. Ndryshe nga në Tiranë, politika në SHBA nuk ka mentalitet inatçor Ballkanas.

Trump ndryshoi politikën amerikane, por jo vlerat, parimet dhe thelbin e strategjisë së politikës së jashtme të SHBA. Gjë që do të thotë se SHBA do të jetë njëlloj e ashpër me politikanët e korruptuar, shkelësit e parimeve demokratike, abuzuesit e ligjit dhe ata që vjedhin në kurriz të popullit. Janë edhe këto parime që e kanë bërë Amerikën të Madhe për ne dhe do vazhdojnë ta bëjnë të tillë.

Please follow and like us: