Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, Mehmet Shehu u bë kryeministër falë Bashkimit Sovjetik, si u rekrutuan punonjësit e Portit të Durrësit dhe dorëzimi i qëllimshëm i disa agjentëve amerikanë te Sigurimi, grekët monitoronin çdo lëvizje nga Korfuzi

Shërbimi inteligjent amerikan, CIA, në dokumentet e deklasifikuara për Shqipërinë, shprehet se Mehmet Shehu u bë kryeministër falë këmbënguljes së Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të gushtit 1954 thuhet se ai dhe shumë individë u punësuan dhe morën poste për shkak të rolit të sovjetikëve, të cilët donin që në qeveri të kishin njerëzit e tyre më besnikë. Nga ana tjetër tregohet plani i amerikanëve për të mbajtur në kontroll gjithë aktivitetin politiko-tregtar në vend. Në dokument tregohet se si CIA arriti të rekrutonte disa punonjës të Portit të Durrësit, të cilët informonin mbi mallrat që transportoheshin dhe çdo aktivet tjetër. Në një rast tregohet e si ata shfrytëzuan vajzën e një punonjësi policie, e cila studionte në Itali, për ta bindur të atin që të bashkëpunonte me ta. Nga ana tjetër, CIA përmes bashkëpunëtorëve të saj në Itali vendosi qëllimisht që disa agjentë të dorëzoheshin te Sigurimi për të parë gjithë teknikat që ata përdornin për të marrë në pyetje. Po ashtu flitet dhe për bashkëpunimin me grekët, të cilët shfrytëzonin Korfuzin për monitorimin e jugut të Shqipërisë.

20 gusht 1954

Projekt i intensifikimeve të përpjekjeve në Shqipëri

Rekrutim i agjentëve në Durrës e Bari

Zyra jonë ka marrë informacione që prej pranverës se ka pasur një rritje të aktivitetit ushtarak e politik në Shqipëri. Situata të bën të besosh se Bashkimi Sovjetik mund të ketë ndërmend të përdorë pozitën gjeo-strategjike të Shqipërisë më shumë nga sa besohej më parë. Prandaj ne kemi përqendruar burimet dhe personelin tonë për marrjen e informacioneve shtesë.

Informacione të besueshme

Gjatë muajve maj-korrik 1954 jemi siguruar nga burimet dhe me anë të observimeve se aktiviteti i trafikut detar mes BRSS dhe Shqipërisë është shtuar shumë. Ka pasur shtim të materialeve të transportuara drejt Shqipërisë, i konfirmuar nga një burim i krijuar së fundmi. Ngarkesat e mallrave në portin e Durrësit janë shtuar dhe provat fotografike tregojnë se ka nisur puna në instilacionet e mbrojtjes. Tre mjete detare janë dalluar së fundmi, një pranë Durrësit dhe dy në Vlorë, të vëzhguara nga mjetet e marinës italiane dhe të konfirmuara nga burimi ynë i ri në Durrës. Shtim të aktivitetit ka pasur edhe në qiejt shqiptarë, duke përfshirë stërvitje ajrore gjatë ditës në Durrës. Fuqia e personelit ushtarak sovjetik në Shqipëri është shtuar në 400 njerëz, ndërsa disa ushtarakë shqiptarë janë dërguar për stërvitje dhe trajnim në bazën sovjetike të Odesa. Disa zyrtarë të forcave ajrore janë dërguar për stërvitje në Sevastopol. Kohët e fundit ka nisur një riorganizim i gjerë i forcave të armatosura shqiptare. Një numër ushtarakësh nga Gjermania Lindore ka ardhur në Shqipëri në rrugë detare nga Gdynia. Është raportuar prezenca e tre nëndetëseve ruse në ujërat shqiptare, teksa raportohet se së shpejti marina sovjetike do të kalojë një luftanije, tre korveta dhe tre barka më të vogla ushtarake, për ushtrinë shqiptare.

Aktiviteti politik

Padyshim, Enver Hoxha është zëvendësuar në postin e kryeministrit nga Mehmet Shehu me urdhër të sovjetikëve. Ndryshime ka pasur dhe në organe të tjera të administratës, duke shtuar mjetet e kontrollit për sovjetikët si në nivele të larta edhe më të vogla. Duke pasur parasysh këtë situatë, mund të arrihet në konkluzionet se Bashkimi Sovjetik nuk e konsideron më Shqipërinë si një bazë të largët të pambrojtshme, por përkundrazi duket se po përpiqet ta forcojë Shqipërinë ushtarakisht dhe politikisht, për ta kthyer në një pikë të shfrytëzueshme të zonës gjeografike të një aleance të re Ballkanike. Sinjalizimet tregojnë se shfrytëzimi ushtarak i Shqipërisë mund të bëhet vetëm për qëllime ofensive, gjë që bie në kundërshtim me ritmin e ngadaltë politik dhe ekonomik të së shkuarës, që të bënte të besoje se strategjia sovjetike kishte vetëm qëllime mbajtjeje. Rikujtojmë se informacioni i referohet vetëm disa zonave të Shqipërisë, dhe për periudha kohe të caktuara. Por është logjike të supozojmë se rritja e aktivitetit të mësipërm mund të shtrihet në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Monitorimet dhe rekrutimet

Operacione tona në Shqipëri aktualisht janë në faza të ngadalta, duke u fokusuar në ruajtjen e shërbimit të korrierëve me mjete detare, monitorimit të mjeteve italiane që kalojnë në portin e Durrësit. Kjo kryhet me anë të kontakteve me pronarët dhe kapitenët e mjeteve, duke arritur 54 ditë monitorimi në një periudhë 90-ditore. Kemi depërtuar gjithashtu në sektorin detar në Bari, i cili ka kontakte me Shqipërinë. Duke parë rritjen e interesit rus në Shqipëri propozohet edhe intensifikimi i përpjekjeve tona në atë vend, duke nisur me shtimin e personelit për të përhapur rrezikun mbi vëzhguesit e monitoruesit e mjeteve. Rekomandohet rekrutimi i të paktën katër njerëzve të trajnuar si makinistë e operatorë radio, për të operuar nga barkat që ndalojnë në portet shqiptare. Hapa duhen marrë për shtimin e kontakteve me pronarët e barkave që përdoren dhe ofrimi i formave të shpërblimit për pronarët, në këmbim të riskut të përfshirë, pasi deri tani u kemi ofruar naftë nga pikat e furnizimit. Sugjerohet që një barkë e kontrolluar nga shërbimi, me instilacione të veçanta dhe ekuipazh të zgjedhur të punojë kundër Shqipërisë në Vlorë, në zonën e Porto Palermos. Një tjetër mjet i ngjashëm me të parin, mund t’i lejojë vetes të kapet nga forcat shqiptare, në mënyrë që të njohim metodat e sigurisë dhe të marrjes në pyetje, nga observuesit tanë profesionistë. Burimi ynë i ri në Durrës duhet të shfrytëzohet më intensivisht, duke siguruar se shpërblimi financiar do të paguhet te familja e tij. Agjenti ynë në Bari gjithashtu duhet të shfrytëzohet më shumë dhe duhet caktuar një shpërblim i rregullt për të.

Burimet e reja

Depërtimi i arritur në portin e Barit menaxhohet nga …, i cili është i dyshueshëm, prej arritjes së shpejtë të marrëveshjes dhe kërkesës së vendosjes së agjentit në rrogë mujore. Karakteristikat e tij negative duhet te tejkalohen në të ardhmen. Punonjësi i doganave në Durrës është identifikuar në materialet tona edhe si oficer policie. Ekzistenca e këtij individi u evidentua nga burimi ynë pas kontaktit me bijën e tij që erdhi në Itali për të vazhduar studimet. Kontaktet me të bijën vazhdojnë, megjithë paqartësitë e komunikimeve të burimit tonë. Besohet se ata kanë mjaftueshëm kontroll mbi të sa për të garantuar bashkëpunimin e të atit, aq sa ata janë të gatshëm të ekspozojnë agjentin “Luigino” ndaj rreziqeve të mëdha të operacionit. Krijimi i këtij kontakti është arritur nga “Luigino” gjatë ndalesave të tij në Durrës. Rojes doganore fillimisht i jepeshin dhurata të vogla me paketa cigare, teksa më vonë i sollën një radio dhe një kondensator, sipas kërkesës së tij. Megjithëse njohuritë e ti të detajeve janë shumë të paplota, burimi ynë i ri i Durrësit është gjithashtu në kontakt me një punonjës të legatës italiane në Tiranë, i krijuar për arsye se kur barka e “Luiginos” ndalon në Durrës, punonjësi i ambasadës vjen për të marrë dokumente diplomatike. Shoferi i makinës së tij për në Durrës është shqiptar dhe gjithashtu agjent i Sigurimit. Besnikëria e burimit të ri të Durrësit është shtuar edhe prej një raportimi të pavarur që duket se konfirmon një pjesë informacioni të dhënë prej tij. Një observues, anija e të cilit ndaloi në Durrës në korrik kishte parë ato që dukeshin si raketa anti-tank që shkarkoheshin, dhe kjo korrespondonte me informacionin e burimit tonë për ardhjen e 20.000 minave në port, gjatë periudhës qershor-korrik 1954. Observuesi nuk kishte lidhje me burimin.

Bashkëpunimi me shërbimet greke

Në pjesën e parë të gushtit 1954 agjenti ynë vizitoi Athinën, ku u konsultua me zyrtarë të shërbimeve greke të cilët nuk dëshironte t’i identifikonte. Ai raportonte se kishin biseduar për një bashkëpunim me grekët për mbulimin me informacion të zonës jugore bregdetare shqiptare. Projekti përfshinte caktimin e një pike observimi në Korfuz dhe një tjetër në një ishull në veri të Korfuzit ku ka pamje të lirë fotografike të bregdetit shqiptar.

Mjeti italian i kapur në ujërat shqiptare

Gjatë qershorit 1954, mjeti italian S. Francesco hyri jo-qëllimisht në ujërat kombëtare shqiptare teksa peshkonte, ku u kap dhe bashkë me ekuipazhin u dërgua në Vlorë nga roja bregdetare shqiptare. Ata u mbajtën rreth 20 ditë, teksa u morën në pyetje në grup dhe individualisht nga autoritetet. Hetuesit shqiptarë ishin në uniforma dhe drejtoheshin nga një njeri me rroba civile që dukej si eprori i tyre. Nganjëherë, eprori dhe njerëzit me uniformë komunikonin mes tyre në një gjuhë që nuk ishte shqip, sipas anëtarëve të ekuipazhit, por mund të ishte rusisht. Do të tentohet marrja e raportit të marrjes në pyetje të anëtarëve italianë të ekuipazhit pas kthimit të tyre nga Shqipëria. Dega nuk është në gjendje të vlerësojë opinionin e burimit se Shqipëria kohët e fundit po merr më shumë rëndësi strategjike për sovjetikët, por sigurisht ka prova të shtimit të ritmeve të aktivitetit dhe trafikut të ngarkesave. Këto materiale janë rekomanduese dhe projekti i operacioneve të Shqipërisë do të varet nga financimet.

Korrik 1953 – Korrik 1954

Raport i transmetimeve

Demonstratat, trazirat dhe spastrimet në Çekosllovaki, Berlin, Rumani, Hungari etj., si dhe arrestimi i Berias kohët e fundit, i kanë dhënë programeve tona burime të pasura lajmesh për të interpretuar në Shqipëri. Përveç linjave të zakonshme të propagandës si korrupsioni dhe dobësia e sovjetikëve, apo bashkimi dhe këmbëngulja e popujve të shtypur, programeve tona i është dhënë një tjetër mundësi sulmi prej vazhdimit të përsëritjes nga Radio Tirana se të gjitha trazirat janë shkaktuar nga amerikanët, edhe pse disa agjenci dhe zyrtarë komunistë kanë pranuar se trazirat erdhën si rezultat i administrimit dhe gjykimit të dobët nga komunistët. Në lidhje me arrestimin e Berias ne kemi theksuar në programet tona se që prej vdekjes së Stalinit ishte parashikuar lufta për pushtet brenda administratës dhe spastrimet e mundshme. Nuk janë bërë parashikime specifike për spastrime në Shqipëri, por kemi thënë se ato me siguri do të ndodhin, prandaj bota e lirë ishte e hapur për t’i dhënë azil të gjithë zyrtarëve e komunistëve të penduar.

Nuk ka pasur shumë materiale nga brenda Shqipërisë, përveç njoftimit të Radio Tiranës se ishin fshirë të gjitha borxhet e vjetra bujqësore, për të cilën ne u përgjigjëm shpjet se ishte e gënjeshtërt pasi komunistët e kishin plotësuar planin e vitit 1953, por fshatarët ishin në borxh dhe trembeshin për jetën e tyre. Për fat të mirë, një refugjat i arsimuar dhe i informuar, Dervish Bejleri është marrë në pyetje dhe na ka premtuar mjaft informacion që do të përdoret në transmetimet tona të ardhshme. Kemi besim se ai do të jetë burimi më i mirë i informacionit prej shumë kohësh. Në programet tona u bëhet apel grupeve të ndryshme shoqërore shqiptare, kryesisht ushtarakëve.

Transmetimet në radio

Transmetimet tona janë kryer përditë në dy frekuenca, teksa do të nisin përdorimin transmetuesit e rinj më të fuqishëm. Më tej në transmetime kemi reflektuar lajmet botërore, duke theksuar arritjet e Perëndimit dhe dobësimin e Bashkimit Sovjetik në fushën ekonomike, sociale e politike; solidaritetin e botës së lirë dhe përvjetorin e Paktit të Ballkanit. Në lidhje me çështjet shqiptare vëmendje i është dhënë zgjedhjeve të marsit për këshillat popullorë, keqpërdorimit të punonjësve dhe edukimit komunist në Shqipëri me komentet mbi emërimin e Bedri Spahiut në ministrinë e Arsimit, emërimin e Edip Çuçit në ambasadën e Romës, dhe ditën e grave në Shqipëri. Vëmendja e Radio Tiranës gjatë kësaj periudhe është përqendruar në zgjedhjet lokale, festimet e Ditës së Grave, proceset bujqësore dhe realizimet e planeve shtetërore, përvjetorin e vdekjes së Stalinit dhe shpalljen e 5 marsit ditë zie kombëtare. Në pikat tona të propagandës kemi përdorur prej 15 shkurtit 1954, bombën në ambasadën ruse, spastrimet komuniste dhe zgjedhjet e këshillave popullorë. Prej 1 marsit 1954 kemi folur mbi shkrimtarin shqiptar Thimi Mitko dhe mbi kushtet aktuale të Shqipërisë. Në periudhën 9-15 mars kemi transmetuar një mesazh të rremë. Sa i përket fletushkave, kemi përgatitur tre tekste dhe janë aprovuar planet për fluturime lëshimi. Tekstet e përgatitura janë Apeli i Dezertimit dhe teksti i vëllezërve Nikola.

Please follow and like us: