Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Profesor Hasan Bello që thyen tabutë

Miku im, prof. Hasan Bello, është një studiues skrupuloz dhe antikonformist, racionalist dhe idealist modern, që nuk pajtohet kurrë me doktrinat e gatshme. Mund të them se është kundërshtari më i drejtpërdrejtë i angazhimit ideologjik dhe ideve personaliste në shkencën e historisë, me integritet kërkimor, me një angazhim etik dhe metodologjik, me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme kombëtare.
Hasan Bello e kundron historinë si një realitet të gjallë dhe, prej vitesh, është i fokusuar në studimet historike ekzistenciale, një qasje ndërdisiplinore që kombinon historiografinë me filozofinë ekzistenciale, duke u fokusuar te përvoja njerëzore, kuptimi i jetës, liria dhe krizat e identitetit në kontekste të caktuara historike.
Ndryshe nga historianë tradicionalë që studiojnë ngjarjet politike, luftërat apo ekonominë, kjo qasje analizon se si individët dhe shoqëritë e kanë përjetuar ekzistencën e tyre përballë ndryshimeve të mëdha, traumave ose kufizimeve të epokës.
Studimet e tij historike rrëzojnë tabutë, duke bërë një demistifikim të historisë, kalimin nga historia romantike e heroizmit në një qasje kritike, të bazuar ekskluzivisht në dokumente arkivore dhe multiperspektivitet.
Hulumtimet e tij të thelluara sfidojnë mitet kombëtare, dogmat ideologjike dhe narrativat e ngurtësuara zyrtare. Bello mbështetet te dokumentet origjinale (arkivat shtetërore, korrespondencat private, regjistrat e huaj, studimi i personazheve me dritëhijet e tyre, duke analizuar gabimet strategjike, interesat personale dhe kompromiset politike, në vend të idealizimit absolut. Gjatë bisedës, më thotë: “Secili ka të vërtetën e vet, për aq kohë sa ai është i lidhur me gjithë të tjerët. Ky është parimi i metodologjisë sime në studimet historike, për të mbledhur, verifikuar, interpretuar dhe rindërtuar ngjarjet e së kaluarës në mënyrë objektive”.
Studiuesi dhe historiani Hasan Bello ka publikuar një libër, botim voluminoz me 1354 faqe për jetën dhe bëmat e Esat Pashë Toptanit.
Hasan Bello ka sfiduar narrativat tradicionale dhe mitet e përhapura rreth Esat Pashë Toptanit, duke i paraqitur ato si konstrukte të motivuara politikisht (“fake news” historike) në studimet dhe intervistat e tij. Sipas Hasan Bellos, akuza se Esat Pashë Toptani e shiti Shkodrën ose qëndroi jashtë përpjekjeve të pavarësisë lidhet me propaganda të kohës (si ajo austro-hungareze). Ai vë në dukje rezistencën e zgjatur në Shkodër deri në prill të vitit 1912 dhe lidh vrasjen e Hasan Riza Pashës me dinamikat e brendshme dhe dënimin nga xhonturqit. Historiani argumenton se vrasja e tij në vitin 1915 kishte prapavijë gjeopolitike (lidhur me Paktin e Londrës dhe interesat e fuqive të mëdha), ku Avni Rustemi u përdor si mbulesë dhe u lirua nga gjykata franceze ku Avni Rustemi u përdor si mbulesë dhe u lirua nga gjykata franceze.
Për historianin, Esat Pasha u vra politikisht në 26 prill të 1915, pasi nënshkruhet traktati i fshehtë i Londrës.
Prof. Bello ka një angazhim të fuqishëm për të mbrojtur personin njerëzor konkret kundër arrogancës së sistemeve, burokracive dhe ideologjive. Përmes shkrimeve të rregullta në shtyp dhe pjesëmarrjes në debate televizive, ai synon demitizimin e historisë, mbrojtjen e fakteve historike nga shtrembërimet e periudhës së diktaturës dhe sensibilizimin e opinionit publik për çështjet kombëtare.
Bello është specializuar në diplomatikën osmane dhe ka sjellë në dritë dokumente të panjohura mbi lëvizjet kryengritëse shqiptare, si Kryengritja e Malësisë së Madhe (1911), përpjekjet e figurave si Ismail Qemali dhe Haxhi Zeka, si dhe rolin e lobit shqiptar në Perandorinë Osmane. Përmes artikujve dhe analizave historike, ai trajton padrejtësitë historike të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) dhe ecurinë e çështjes së Kosovës gjatë shekullit XX. Ai ka analizuar gjithashtu ndërhyrjen e emisarëve jugosllavë (si Dushan Mugosha) në Shqipëri gjatë viteve ’40 dhe qëndrimin e regjimit komunist ndaj çështjes së Kosovës.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së tij është studimi i tragjedisë dhe spastrimit etnik të popullsisë çame në vitet 1944–1945, si dhe trajtimi e qëndrimi i shtetit shqiptar dhe regjimit komunist ndaj refugjatëve çamë të vendosur në Shqipëri.
Në bashkëpunim me studiues të tjerë, ai ka përgatitur botime me rëndësi për historinë kombëtare, si korpusi dokumentar mbi kontributin politik e kombëtar të Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës (1890–1953) dhe monografi mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke (1912–1939).