Albspirit

Media/News/Publishing

KOSOVA NË DY PAMJE — KUR THEMELET E SHTETIT ZBEHEN NË PRISHTINË, NACIONALIZMI SERB NGRE KOKËN NË BRUKSEL

Nga Frank Shkreli
Ish drejtori i VOA-s për Eroazinë

Ka raste kur zhvillimet politike, edhe nëse ndodhin në vende të ndryshme, krijojnë një kontrast që nuk mund të kalohet në heshtje. Pikërisht kjo po ndodh sot me Kosovën. Në njërën anë, në Presidencën e Kosovës, fotografia e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, zhvendoset nga vendi i saj i nderit, ndërsa Deklarata e Pavarësisë nuk qëndron më në pozicionin e saj të mëparshëm. Këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa Presidenca ka dhënë sqarimin e saj se asgjë nuk është larguar nga institucioni. Por çështja nuk është thjesht se ku vendoset një fotografi apo një dokument. Çështja është çfarë simbolizojnë ato për shtetin e Kosovës. Në anën tjetër, në Bruksel një fyerje e rëndë ndaj Republikës së Kososvës. Pikërisht në hapësirat e një aktiviteti të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, dëgjohet kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përcjellë pretendime historike dhe territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Një provokim i tillë, në një aktivitet të institucioneve evropiane, është veçanërisht shqetësues.
Dhe këtu lind një pyetje që meriton përgjigje. Si është e mundur që, në një kohë kur nacionalizmi serb vazhdon të mos e njohë realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, në vetë institucionet e Kosovës të mos tregohet kujdesi dhe respekti i duhur për simbolet dhe personalitetet që përfaqësojnë themelimin e këtij shteti? Çështja e zhvendosjes së fotografisë së Presidentit historik Dr Ibrahim Rugova dhe e Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre të nderit në Presidencën e Kosovës ka një domethënie që shkon përtej një ndryshimi të thjeshtë brenda zyrave shtetërore. Ajo prek kujtesën historike, identitetin shtetëror dhe respektin që institucionet e Republikës së Kosovës duhet të tregojnë ndaj themeluesve të saj. Sipas raportimeve të 9 nëntorit 2026, fotografia e Ibrahim Rugovës ishte zhvendosur nga pozicioni i mëparshëm, ndërsa në vendin ku ekspozohej Deklarata e Pavarësisë ishte vendosur një vepër filigrani. Kjo shkaktoi reagime publike dhe kundërshtime nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndër të tjerë. Presidenca, më 10 nëntor, deklaroi se as fotografia dhe as Deklarata nuk ishin larguar nga ambientet e institucionit, por mediat njoftojnë se janë vendosur në një skutë të zyrës, ku nuk bien në sy. Për këtë arsye debati, për vendin e tyre të nderit, mbetet. Nuk është e qartë se me urdhër të kujt u zhvendos fotografia e Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kisha shkruar një artikull duke mirëpritur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pula në detyrën e lartë të shtetit– Frank Shkreli: Kosova zgjodhi Presidenten, tani duhet të zgjedhë rrugën | Gazeta Telegraf — dhe tani më duhet të bëj një pyetje themelore. A mund të trajtohen simbolet e historisë së shtetit si elemente të zakonshme dekorative, të cilat çdo drejtues i ri i institucioneve mund t’i vendosë ose t’i zhvendosë sipas dëshirës së tij ose të saj?
Ibrahim Rugova nuk ishte thjesht një president i Republikës së Kosovës. Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë historik i Dardanisë | Gazeta Telegraf Ai ishte njëri prej personaliteteve themelore të historisë moderne shqiptare, prijësi i rezistencës paqësore, simbol i qëndresës politike dhe intelektuale të shqiptarëve të Kosovës, dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të rrugëtimit drejt lirisë, pavarësisë dhe botës demokratike perëndimore, sidomos Shteteve të Bashkuara. Frank Shkreli: Kujtime ekskluzive nga 35-vjetori i vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë,Dr.Ibrahim Rugova në SHBA | Gazeta Telegraf. Historia e Kosovës nuk fillon me 17 shkurt 2008. Ajo ka një rrugëtim të gjatë, me sakrifica, përpjekje politike, qëndresë qytetare dhe luftë për të drejtën e një populli për të jetuar i lirë në trojet e veta shekullore dardane. Në këtë rrugëtim, Ibrahim Rugova zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Nga ana tjetër, Deklarata e Pavarësisë, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është një dokument i zakonshëm administrativ. Ajo është akti themeltar i shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, shprehja institucionale e vullnetit të popullit për liri, sovranitet dhe vetëvendosje. Prandaj, fotografia e Presidentit Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë duhet të kenë vendin e tyre të merituar në institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit. Çka është Kosova pa këto dy simbole?!
Presidentët ndërrohen, mandatet përfundojnë, qeveritë vijnë e shkojnë, por historia e një kombi dhe e një shteti nuk mund të ndërrohet me çdo ndryshim pushteti. Presidenca nuk është pronë personale e askujt. Ajo është institucion i Republikës dhe, si e tillë, duhet të përfaqësojë vazhdimësinë historike, politike dhe shtetërore të Kosovës. Nuk është fjala për t’i mohuar askujt të drejtën për të promovuar artin, kulturën apo trashëgiminë familjare. Përkundrazi, këto janë vlera që meritojnë respekt dhe promovim. Por ato nuk duhet të vihen në konkurrencë me simbolet themeltare të shtetit. Në fund të fundit, një vepër arti mund të ekspozohet në shumë vende, ndërsa fotografia e Presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë momente dhe personalitete që kanë hyrë përgjithmonë në historinë e Kosovës dhe të kombit. Nderimi i tyre nuk është çështje partie, as çështje simpatie politike. Është detyrim ndaj historisë dhe ndaj brezave që sakrifikuan për lirinë. Kosova ka nevojë për institucione që e ruajnë kujtesën e saj historike, jo për institucione që e trajtojnë atë si një element të ndryshueshëm të dekorit zyrtar ose personal.
Ibrahim Rugova ka vendin e tij në historinë e Kosovës. Deklarata e Pavarësisë ka vendin e saj në themelet e Republikës. Asnjë ndryshim administrativ nuk mund t’ua ndryshojë këtë të vërtetë. Sepse shtetet nuk ndërtohen vetëm me institucione, ndërtesa dhe zyra. Ato ndërtohen edhe me kujtesë, respekt dhe mirënjohje për ata që i sollën deri në ekzistencë. Dhe kjo është një përgjegjësi që i takon çdo presidenti, pavarësisht emrit, bindjeve apo përkatësisë politike. Historia e shqiptarëve nuk është pronë e pushtetit të ditës, jo! As Kosova nuk është “Republikë bananash”, ku çdo pushtetar i ri mund të sillet sikur historia fillon me ardhjen e tij në zyrë dhe përfundon me largimin e paraardhësit. Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke lënë në hije historinë e saj. Përkundrazi, sa herë që të tjerët përpiqen të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e saj, institucionet e Kosovës duhet të jenë të parat që mbrojnë trashëgiminë politike dhe historike mbi të cilën u themelua Republika.
Brukseli duhet të japë shpjegime për lejimin e një kënge me mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale ndaj një shteti sovran. Ndërsa Prishtina duhet të kuptojë se respekti për Ibrahim Rugovën dhe Deklaratën e Pavarësisë nuk është çështje nostalgjie politike, por detyrim shtetëror dhe kombëtar. Një popull që nuk nderon themeluesit e shtetit të vet, rrezikon të humbasë edhe respektin për historinë që e bëri të lirë. Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ajo nuk ka nevojë për paqartësi në shtëpinë e vet dhe as për heshtje përballë atyre që vazhdojnë të ëndërrojnë kthimin e saj nën Serbi. Historia e Kosovës meriton respekt, ndërsa shtetësia e saj kërkon mbrojtje të përditshme!
Presidenti Ibrahim Rugova nuk ishte një president dosido. Ai ishte arkitekti politik i rezistencës paqësore, udhëheqësi i një epoke të jashtëzakonshme dhe njëri prej personaliteteve që i dha çështjes së Kosovës përmasë ndërkombëtare, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontributi i tij nuk mund të fshihet, të zvogëlohet apo të lihet në harresë për shkak të mospajtimeve politike të pasardhësve të tij.
Po kështu, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk është një dokument që mund të vendoset ose të hiqet sipas preferencave të drejtuesve të radhës. Ajo është akti themeltar i shtetit të Kosovës. Një shtet serioz i nderon themeluesit e vet. Një shtet demokratik respekton institucionet dhe trashëgiminë e tij historike. Një shtet që synon të ndërtojë të ardhmen nuk e mohon të kaluarën.