Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Pse mori zemër Llalla?

Deklarata e sotme e Adriatik Llallës është padyshim më e forta që ndonjë drejtues institucioni në Shqipëri ka adresuar kundër Ambasadës Amerikane që prej akuzave të Gazidedes dhe Blerim Çelës në vitin e largët 1997. Dhe pyetja e parë që të shkon vetvetiu në mendje është : ku e mori këtë guxim kryeprokurori? Pse ai theu një kod nënshtrimi të cilëin e ndjekin si një mallkim, të gjithë shtetarët shqiptarë pa përjashtim ? Kush i dha forcë dhe kush e nxiti prokurorin e përgjithshëm ? E mbi të gjitha pse me këtë ashpërsi dhe pse tani?

Po të shihet me kujdes kronologjia e përplasjeve që Lapsi.al ka botuar në rubrikën e lajmeve (lexo poshtë), del e qartë se ky është një konflikt që zgjat prej afro dy vjetësh, pra që nga koha kur filloi të formëzohet reforma në drejtësi. Por ai shpesh është mbyllur me batuta, fraza vrasëse apo thumba me helm që asnjë herë nuk kanë marrë pamjen e një beteje frontale.

Ndaj dhe pyetja është: çfarë ka ndryshuar?

Natyrisht që duke shtruar këtë pyetje nuk nënkuptohet se Llalla ka bërë ndonjë herezi. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ambasadori aktual në Tiranë, jo rrallë e ka shkelur vijën e kuqe. Larg të qenit i pa kritikueshëm, ai shpesh herë është treguar brutal, arrogant dhe i pa skrupullt duke shëmbëllyer me përfytyrimin më të keq që gëlon në imagjinatën kolektive për një kaubojs të vrazhdë.

Lapsi.al i ka denoncuar i pari që në korrik trajtimin zhburrërrues që iu bë në selinë e rrugës së Elbasanit disa deputetëve shqiptarë që u detyruan me shantazh të votonin reformën. Ne kemi qenë gjithmonë të idesë se edhe objektivat e mira kur synohen të arrihen me parimin “qëllimi justifikon mjetin”, kur për të shkuar drejt tyre përdoren rrugë të ulta, mjete okulte dhe kërcënime mafjoze, e humbasin kuptimin e tyre.

Ndaj, shpesh herë, megjithëse nuk kemi qenë pro reformës në drejtësi ne kemi denoncuar rrugët që u ndoqën për realizimin e saj.

Por, unë dyshoj se Adriatik Llalla është nisur nga të njëjtat kritere, me shpërthimin që pati sot kundër Donald Lu-së. Po të qe për këtë, ai do ta kish bërë shumë kohë më parë. Do ta denonconte atëhere kur thotë se është ndjerë i shantazhuar. Do ta akuzonte atëherë kur ai mbronte atë draft fillestar reforme që kërkonte shkarkimin e menjëhershëm të kryeprokurorit.

Por në asnjë nga këto raste Llalla nuk e bëri. Atëherë u mjaftua me batuta helmuese dhe vetëm sot shpërtheu.

Dhe natyrisht që ky ndryshim kërkon një shpjegim.

Në fakt arsyet e këtij trimërimi gjenden lehtë në deklaratën që kryeprokurori bëri publike këtë të enjte.

Po të shihen me vëmendje linjat e sak kryesore aty pikturohet një Donal Lu që bën “shantazhe tipike sorosiane” që lobon në mënyrë private për interesa te caktuara ekonomike, që mbron nga hetimi politikanët që ai mbështet dhe që po sulmon një prokurori që është e vedosur të mnrojë zgjedhjet e qeroshorit nga manipulimi.

Pra, po të qëmtohen në filigran të gjitha qëndrimet e reja të Llallës konvergojnë në një pikë. Ato bashkohen me ato të asaj pjese të shoqërisë, politikanë, gazetarë, aktorë publikë, që mendojnë se zgjedhja e Donald Trump në Ushington do të shkuli politikat e Sorosit nga Shqipëria.

Ato janë të njëjta me këndëvështrimet e atyre që besojnë ose bllofojnë së gjithçka në këtë vend, deri më tani, është vendosur nga konjukturat e spekullantit mbi 80 vjeçar dhe se tashmë çdo gjë do të ndryshojë rrënjësisht.

Pikërishisht nga kjo frymë, që politikisht mbrohet nga PD dhe LSI është frymëzuar Adriatik Llalla në shpërthimin e tij të sotëm. Ai tashmë e shef Donald Lunë si simbolin dhe përçuesin e saj. Ai e shikon atë si zbatuesin e një platforme që donte t’i krijonte Ramës mundësinë për të kapur drejtësinë, për të burgosur kundërshtarët dhe në fund për të manipuluar zgjedhjet.

Prandaj, duke denoncuar sot “metodat sorosiane”, kryeprokurpri ka vënë një bast të fortë. i shenjuar me laps të zi nga Lu, tashmë pa të drejtë shkelje në “tokën e premtuar”, ai shpreson se ndryshimi i ekuilibrave globalë, mund të ndryshojë dhe fatin e vet personal. Prandaj ai mori guximin të sulmojë sot ambasadorin amerikan me një gjuhë të harruar që prej kohës së Gazidedes.

Please follow and like us: