Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Kur prokuroria ngre “aktakuzë” për ambasadorin amerikan

Përplasja mes Prokurorit të Republikës dhe ambasadorit të SHBA-së është e paprecedent për një shtet dhe një përfaqësi diplomatike, aq me tepër mes dy vendeve që kanë në mes një histori të tërë miqësie dhe kontributi të madh, sic është ai amerikan në dobi të Shqipërisë.

Letra e kryeprokurorit Llalla për presidentin Nishani dhe kryeparlamentarin Meta, është një aktakuzë për ambasadorin Lu, mes të tjerash për të penguar hetimet edhe ndaj disa politikanëve të korruptuar e të inkriminuar, që prokuroria paska në proces. Por cilët janë këta politikanë, që prokuroria po i vendoska me shpatulla pas murit dhe ambasadori Lu i mbroka?
Ajo që dëgjuam sot ka nevojë urgjente për sqarime, pasi shqiptarët dëgjuan të flitet për një drejtësi të vënë në bangën e drejtësisë dhe një prokurori, që nuk ngriti dot një akuzë ndaj politikanëve të korruptur e të inkriminuar, të ngrejë një akuzë ndaj ambasadorit të SHBA, që nuk ndodhi as në kohën e regjimit komunist që dëboi përfaqësine diplomatike amerikane.
Kryeprokurori fliste për presione e shantazh nga ana e Ambasadës Amerikane… Në fakt ne kemi menduar se drejtësia jonë është nën presionin dhe shantazhin e politikës së korruptuar e të inkriminuar, por deri tani askush nuk ka marrë kurajën ta denoncojë, në të njëjtën formë, këtë shantazh.
Ambasada Amerikane u anulloi vizat një dyzine zyrtarësh të drejtësisë, dhe mirë ka bërë. Kjo drejtësi e korruptuar është produkt i kësaj politike edhe më të korruptuar, e për pasojë, është edhe shërbëtore e saj. Ndërsa presioni i ambasadës Amerikane për realizimin e reformës në drejtësi, nuk është shantazh, por përpjekje për shkulur organin më të infektuar të organizimit të shtetit shqiptar.

Please follow and like us: