Albspirit

Media/News/Publishing

Timo Flloko rikthehet në skenën e TK si mjek psikiatër në dramën psikologjike “Equus”

Aktorit të mirënjohur Timo Flloko i është besuar roli kryesor në dramën psikologjike, “Equus”, vepër e autorit Peter Shaffer. Me rolin e mjekut psikiatër Martin Dysard, Flloko shënon rikthimin e tij ën skenën e TK, pas mëse tre vjetësh, nga roli i John Proctor në dramën “Shtrigat e Salemit” e dramaturgut të njohur amerikan Artur Miller.

Shfaqja “Equus”, vepër e shkruar nga autori Peter Shaffer pritet të vijë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar me regji nga Dino Mustafiç, i cili, prej disa ditësh, ka nisur provat për projektin e ri teatror “Equus”, dhe pritet të jetë premierë në muajin mars. Në role të tjera janë dhe aktorët Ema Andrea, Luli Bitri, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Igli Zarka, Linda Jarani.

“Equus” është një vepër që Peter Shaffer e shkroi në vitin 1973. Në qendër të veprës është historia e një psikanalisti, i cili ka një magjepsje patologjike nga kuajt. Në aktivitetin e tij me teatrin, regjisori boshnjak Dino Mustafiç ka qenë për 20 vite rresht drejtor artistik i MESS Festival të Sarajevos, cilësuar si një nga 4 festivalet më të mira të teatrit në Europë. Me teatrot e tjerë shqiptarë deri më tani regjisori Dino Mustafiç ka bashkëpunuar për katër shfaqje teatrore, që i takojnë veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka sjellë në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Kjo do të jetë dhe premiera e parë në Teatrin Kombëtar që është produksion i këtij institucioni. Më herët në skenë do të jenë të tjera shfaqje, që vijnë si bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.

Please follow and like us: