Albspirit

Media/News/Publishing

CIA zbardh emrat e sigurimsave që u rekrutuan nga shërbimet amerikane, ja loja e tyre e dyfishtë, UDB kishte informacion për çdo lëvizje politike në Shqipëri

 

Shërbimi sekret amerikan gjatë periudhës së regjimit komunist ka bërë me qindra tentativa për rrëzimin e Enver Hoxhës. Në një dokument sekret, tashmë të deklasifikuar jepen detaje nga një konferencë që agjentët e CIA kanë zhvilluar me ata të UDB. Dokumenti flet për konferencën e mbajtur më 1-7 shkurt 1953 dhe aty jepen detaje nga ajo se çfarë u diskutua. CIA kërkoi ndihmën e agjentëve jugosllavë për të dhënë detaje mbi situatën politike në Shqipëri. Interesant është fakti se UDB ka pasur shumë informacione për Shqipërinë, pasi agjentët u kanë treguar amerikanëve pikat e forta dhe të dobëta të Enver Hoxhës dhe të partisë së tij në këtë periudhë. Por nga ana tjetër, ata kanë shfaqur një lloj frike nga tentativat për rrëzimin e regjimit komunist, me argumentin se ndërhyrja e agjentëve nga jashtë mund të sillte një përplasje ushtarake mes vendeve. Edhe CIA në dokument tregon se sa e rrezikshme mund të ishin tentativat për të rrëzuar regjimin, pasi sipas dokumentit, Hoxha gëzonte një popullaritet shumë të madh, sidomos në zonat rurale. Në përfundim të konferencës, jugosllavët deklaruan se mbështesin idenë për rrëzimin e regjimit, por në një tjetër periudhë, pasi në atë kohë marrëdhëniet ishin të nxehta. Nga ana tjetër, në një dokument të CIA janë zbuluar detaje nga operacionet për rekrutimin e  shqiptarëve. Aty jepen dhe emrat e dy agjentëve të rekrutuar, që kishin rënë dakord të bënin lojë të dyfishtë, të cilët ishin pjesë e Sigurimit të Shtetit.

Konferenca CIA-UDB mbi Shqipërinë

Ky është një raport mbi konferencën e mbajtur në Beograd më 16-17 shkurt 1953, mes tre përfaqësuesve të shërbimeve jugosllave të UDB dhe dy përfaqësuesve të CIA mbi temën e Shqipërisë. Përfaqësuesit e CIA gjetën një pritje me shumë  respekt. Vetë konferenca ishte e sinqertë dhe u krye në një atmosferë miqësore. Përfaqësuesit e UDB-së, megjithëse merrnin pjesë nën pseudonime, flisnin me mjaft kompetencë dhe zotëronin njohuri të thella të çështjes shqiptare, duke e bërë bisedimin me mjaft vlera. Në axhendë përfshihej situata mbi Shqipërinë nga të dyja palët dhe faktorët e jashtëm më të rëndësishëm që influenconin në Shqipëri. Në të u bë një vlerësim i këmbimit të informacioneve dhe asistencës reciproke mes shërbimeve të inteligjencës.

Informacionet e UDB për Shqipërinë

UDB përshkruante pikat e dobëta të qeverisë shqiptare sipas rendit të mëposhtëm: izolimin e Shqipërisë nga Jugosllavia; humbja e pavarësisë së Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik; Shfrytëzimi ekonomik sovjetik; barra ekonomike që vinte nga mbajtja e një ushtrie të madhe; antagonizmi mes Veriut dhe Jugut të vendit; efekti dobësues i spastrimeve në parti; përplasjet Hoxha-Shehu dhe emigracioni shqiptar në Jugosllavi. Ndërsa sa i përket pikave të forta, UDB përmendte sa më poshtë: lidhja e fortë ideologjike që mbante bashkë anëtarët e Partisë Komuniste te revolucioni; fakti që Partia është përgjegjëse për çlirimin e Shqipërisë dhe reformat ekonomike e sociale reforma agrare sipas së cilës i është dhënë tokë rreth 70,000 familjeve; reagimi i gjerë popullor ndaj pjesës “Vdekje Komunizmit” në sloganin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë; demoralizimi i njerëzve nga masat drastike represive, mungesa e një lëvizjeje të njohur rezistence brenda vendit; mungesa e një lëvizjeje rezistence brenda partisë; fakti se çdo lëvizje rezistence tashmë nis nga jashtë dhe lidhet me shërbimet e huaja të inteligjencës dhe kjo lejon që të quhet si agresion i huaj apo si kërcënim i pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit; lidhja e fortë mes ushtrisë dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë; besnikëria e fshatarësisë shqiptare që përbëjnë një mjet të vlefshëm shtesë ndihme dhe sigurie për vendin.

Konkluzionet kryesore të UDB

Jugosllavia është në favor të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, por vetëm kur situata ndërkombëtare të jetë e drejtë dhe kushtet e brendshme të favorshme, gjë që sot nuk është as njëra e as tjetra. Jugosllavët nuk besojnë në mundësinë për kryerjen e një revolucioni të tillë të sponsorizuar nga jashtë, në kohë paqeje. Ata tremben se tentativa të tilla mund të nxisin kundër-veprim, në një formë apo një tjetër, kundër Jugosllavisë. Edhe sikur sovjetikët të mos e përdornin këtë mundësi për veprime armiqësore ndaj Jugosllavisë, ata besojnë se kjo mund të shtrëngonte sigurinë në vende të tjera, si Bullgaria, e cila është gjithashtu me interes për të dyja palët. Mungesa e durimit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të rezultonte katastrofike.

Metoda më e mirë për të punuar për përmbysjen e regjimit aktual është forcimi i elementëve brenda Shqipërisë, për krijimin e një force të organizuar, bashkë me faktorët e jashtëm të orientuar në të njëjtin drejtim. Meqenëse përmbysja e regjimit mund të konsiderohej menjëherë si një agresion nga jashtë, i gjithë operacioni mund të dukej në OKB si i kryer nga brenda.

Rekrutimi i zyrtarëve të PPSH

Për organizimin e opozicionit në Shqipëri, duhet të kujtojmë se çdo sulm frontal ndaj Partisë Komunistë të Shqipërisë, konsiderohet nga popullata si sulm ndaj arritjeve të tyre pozitive dhe ndaj pavarësisë së vendit, apo dhe si një tentativë për të rikthyer kushtet para Luftës së Dytë Botërore. Partia përbën një faktor deçiziv në çdo analizë të problemit shqiptar. Nëse flasim për Partinë, duhet bërë dallimi mes klikës së Hoxhës dhe masave të partisë. Njerëzit në pozicionet kyçe janë njerëz të partisë, kështu që do të jetë e nevojshme të punojmë për t’i shfrytëzuar. Ka mjaft oportunistë në Partinë Komuniste Shqiptare, por më të mirë për t’u shfrytëzuar janë ata që kanë humbur postet e tyre, të cilët përfaqësojnë një dobësi të regjimit dhe duhen shfrytëzuar.

Në përpjekjet për goditjen e qeverisë është e rëndësishme të punohet me të gjitha forcat, si të brendshme dhe të jashtme. Grupet e shqiptarëve në emigracion duhet të punojnë drejt bashkimit të tyre. Çdo lidhje mes grupeve të emigracionit dhe shërbimeve të inteligjencës është e dëmshme. Komiteti i Prizrenit nuk është i aftë aktualisht për çlirimin e Shqipërisë, dhe as për t’i dhënë zhvillimin e duhur vendit nëse ndodhte kështu. Por ai duhet të shërbejë si një front i gjerë popullor në përpjekjen e çlirimit nga Rusia, dhe kundër grupeve të tjera të huaja që mund të përpiqen të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Regjimi aktual është më i forti që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, por gjithsesi, nëse vijnë kushtet e duhura, njerëzit do të gjejnë vetë zgjidhjen e tyre, me asistencën nga jashtë. Në asnjë rast Shqipëria nuk duhet të copëtohet.

Informacione të UDB 

Pika të tjera të theksuara nga përfaqësuesit e UDB përfshinin si më poshtë: Mosbesimin e Jugosllavisë ndaj Italisë; fakti që nuk ka asnjë grup të bashkuar të shqiptarëve në emigracion; fakti se elementët përbërës të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë janë antagonistë me njëri-tjetrin; rëndësia e lidhjeve tradicionale mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Megjithëse qëllimi i deklaruar i konferencës ishte diskutimi i Shqipërisë nga pikëpamja strategjike, për ne qëllimi i vërtetë ishte marrja e ideve jugosllave për iniciativa të mundshme të përmbysjes së regjimit aktual. Dhe besojmë se ky qëllim u plotësua në pjesën më të madhe, dhe tani jemi në pozicion shumë më të mirë për të llogaritur qëllimet jugosllave në lidhje me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ndjejmë se progres i konsiderueshëm është bërë në lidhje me këmbimin e inteligjencës pozitive, në këmbimin e inteligjencës së dokumentacioneve, si dhe për dhënien e asistencës së ndërsjelltë mbi operacionet e inteligjencës në Shqipëri.

Projektet për dallimin e agjentëve

Projekti OBVERSE. Ky është një projekt për vendosjen e një agjenti shqip-folës në Trieste, i cili të jetë në pozicionin e dallimit të agjentëve të mundshëm që vijnë aty si refugjatë. Në rast se Trieste merret nga Italia, agjenti planifikohet të vendoset në një kamp italian për këta persona, ku të vazhdojë të kryejë shërbimet e tij. Kjo përbëhet nga një agjent i kontraktuar i asistuar nga disa agjentë terreni që jetojnë në qytetin grek,  që do të jetë një qendër monitorimi për refugjatët e ardhur shqiptarë. Ata do të punojnë bashkë me hetuesit greke për marrjen e tyre në pyetje.

OBOPUS/ OBLIVIOUS. Si një produkt dytësor ky projekt (i cili përshkruhet më poshtë në detaje) me anë të Komitetit për Shqipërinë e Lirë, jep strukturat për dallimin e agjentëve të mundshëm në Itali dhe në kampin e refugjatëve në Lavrion pranë Athinës dhe në vende të tjera. Anëtarët e Komitetit, të cilët kanë zyra në Romë e Athinë marrin në pyetje të sapoardhurit. Ndërsa dallimi dhe rekrutimi i tyre nuk bëhet me anë të Komitetit. Si dhe marrja në pyetje e refugjatëve dhe dezertorëve. Të tre projektet e mësipërme japin shërbime të marrjes në pyetje dhe dallimit të agjentëve të mundshëm. Projekti OBSERVANT ka si qëllim të rrisë mbulimin e refugjatëve shqiptarë në Greqi. Ai përbëhet nga dy agjentë terreni, një prej të cilëve merr në pyetje refugjatët kurse tjetri përkthen raportet e marrjeve në pyetje

Ngritja e strukturave të mbështetjes, trajnimit dhe shpërndarjes

Struktura të tilla të trajnimit e mbështetjes për operacione të kalimit të kufirit kemi në Greqi, që është i vetmi vend fqinj me Shqipërinë ku CIA ka akses të lirshëm. Aty oficerët tanë marrin mbështetje ajrore, administrative dhe materiale me anë të oficerëve grekë të ndërlidhjes, për misionet e kalimit të kufirit. Projekti OBATIANTIS ka si qëllim ndërtimin e strukturave të trajnimit në tre ishuj të izoluar në gjirin e Korintit. Strukturat përfshijnë një shtëpi për stërvitjen e agjentëve, tenda për stafin, një port të vogël për marrjen dhe dërgimin e materialeve në ishull, dhe komunikim radio me bazën. Vendndodhja është zgjedhur për arsye të izolimit të saj. Qëllimet e saj nuk janë të deklaruara me grekët, por ata mund ta kuptojnë rrjedhimisht natyrën e operacioneve. Qendra nuk është vetëm për përdorim të operacioneve shqiptare, por edhe projekte të tjera ku mund të nevojitet.

Zhvillimi i të dhënave të operacioneve

Nga vendet e botës së lirë, Shqipëria ka marrëdhënie vetëm me Francën e Italinë, ku ka dhe instilacione diplomatike, ndërsa nuk ka fare këmbime tregtare apo kulturore. Dega jonë shqiptare është e varur nga pikat pritëse (të Romës dhe Parisit) për struktura dhe personel për zhvillimin e informacioneve. Ndihmë mund të merret edhe nga një agjent i divizionit SA në Paris dhe nga dy oficerë në Romë, një prej të cilëve është oficer karriere, kurse tjetri punonjës i stafit. Një prej oficerëve të Romës ka si detyrë parësore drejtimin e  OBOPUS/HTNEIGH, kurse i dyti është një oficer ndërlidhjeje që ka punuar më parë me inteligjencën italiane dhe ende punon me problemet shqiptare.

Kundra-spiunazhi

Kemi aktualisht dy projekte kundra-spiunazhi në fazën e zhvillimit. Xhevdet Skënderaj- Ky individ është një i arratisur në Romë, ish-oficer i ushtrisë shqiptare me të cilin ka folur drejtori inteligjencës në ambasadën shqiptare. Ky i fundit ka bërë shumë përpjekje që ta rekrutojë atë, dhe duke raportuar detajet e takimeve të tyre, thotë se ka pranuar të rekrutohet dhe të veprojë si agjent i dyfishtë. Mehmet Kuci- Ky individ ka kaluar kufirin drejt Greqisë në fund të vitit 1953 dhe ka pranuar me oficerin e parë të CIA që ka rënë në kontakt, se është dërguar me mision spiunazhi nga ministri i Brendshëm shqiptar. Ai po merret në pyetje nga oficerë në Athinë për të përcaktuar nëse thotë të vërtetën. Në rast se historia e tij rezulton e saktë dhe vlerësimi i aftësive të tij është pozitiv, do të marrim në konsideratë përdorimin e tij si agjent i dyfishtë.

Strukturat

Strukturat aktuale, pra zyrat, vendet e sigurta, magazinat dhe vendet e trajnimit, duken të përshtatshme. Për arsye sigurie, disa prej tyre do të ndryshohen vitet e ardhshme, por niveli do të mbetet i njëjtë. Për më tepër, një masë e madhe armësh po mbahet në përdorim në rast të një shpërthimi spontan dhune në Shqipëri, apo zhvillime të tjera që nevojisin përforcim të shpejtë të rezistencës vendase. Kjo masë armatimesh përbëhet afërsisht nga 7,000 pushkë, 2,000 automatikë, municione për të dyja dhe 14,000 granata.

Please follow and like us: