Albspirit

Media/News/Publishing

Donald Trump, ja si i pagoi faturën e hotelit Ramiz Alisë

Në vitin 1990, kur Shqipëria filloi të hapte dyert për herë të parë, presidenti i atëhershëm komunist Ramiz Alia qendroi në Hotelin Plaza në New York. Paul Nicaj, një shqiptar nga Mali i Zi, mjaft i njohur në New york, i cili ishte nenaxher i hotelit më të famshëm të këtij qyteti në pronësi të Donald Trump, e pa këtë si një shenjë të madhe se gjërat po ndryshonin edhe për shqiptarët.

Ai i vajti në zyrë Donald Trump-it dhe i tha: “Presidenti nga vendi im vjen në New York për herë të parë. Është presidenti i një vendi të vogël, të varfër e të izoluar, por që tani ndoshta historia e të cilit po ndryshon.”

Trump, gjigandi i pronave të patundshme të New York-ut, u habit se kjo ishte hera e parë që Paul i kishte shkuar në zyrë për një vizitor.

“Shqipëria nuk ka pse paguan në Plaza”, u përgjigj Trump. “Thuaji presidentit se fatura e tij është paguar.”

Pas kësaj, Paul, u interesua për një flamur shqiptar. I sollën një flamur të zakonshëm, po kjo nuk mjaftonte. Në ditën që delegacioni më i lartë zyrtar shqiptar, për herë të parë thyente akullin e historisë dhe vinte në SHBA, mbi Hotelin Plaza valëvitej një flamur gjigand shqiptar, i qendisur me porosi të Paul Nicajt, nga vetë dekoratori i Hotel Plaza-s. Shqipëria dalëngadalë do të zinte vendin mes kombeve të lira.

Paul Nicaj kishte lindur në Bardhaj një fshat në Malin e Zi, fare pranë kufirit me Shqipërinë. Babai Pren Toma dhe nëna Lule Ivezaj (e cila është ende gjallë), e dërguan në Kroaci me shpresën që të studjonte për prift. Paul Nicaj kishte dëgjuar një tjetër “thirrje”.

Në moshën 17 vjeç, ai provon së pari në Itali e pastaj në Austri për t’u larguar nga Jugosllavia për një jetë më të mirë në Perëndim. Pas një viti peripecish mbërrin në Neë York, ku menjëherë zë një punë “të përkohshme” në Hotelin Plaza si pjatalarës. Në fakt, ai do të qendronte aty për gati 30 vjet, 21 prej të cilëve do të punonte si menaxheri i plotfuqishëm i ceremonive, festave, banketeve dhe restorantit të hotelit. Ishte posti më i lakmuar i profesionistëve të industrisë së organizimit të festave.

Paul ka punuar në atë post për të gjithë pronarët e Hotelit Plaza: nga Hilton te Western Hotel, te Donald Trump, te Prince Alwaleed Bin Talal Bin Abdulaziz Al Saud and Millennium & Copthorne Hotels. Të gjithë e kanë mbajtur atë të palëvizur ndonëse shpesh kanë ndryshuar tërësisht stafin e hotelit.

Në vitin 2004, ai filloi duke marrë nën menaxhimin e tij Battery Garden Restaurant. Më pas ai është zgjeruar duke marrë disa nga sallat e restoranteve më të famshme në Florida, Venetian Yacht Club këtu në Long Island etj. Ai ka sot të paktën shtatë hapësira në dispozicion.

Është domethënëse që gati njëzet vjet më vonë, në një nga sallat-restorante nën administrimin e tij, në Battery Garden, ai priti kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Ruben Avxhiu

Please follow and like us: