Albspirit

Media/News/Publishing

Agolli iku dhe mori me vete edhe poemat e tij

Dritëroi kaloi përtej në botën tjetër dhe te Pallati i Kongreseve qoka mortore e qeverisë socialiste është e stërmadhe. E bujshme dhe e potershme.

Mirëpo, “poetët” zakonisht ikin në heshtje nga kjo botë e korruptuar dhe të shpërfillur nga shoqëria e ditës, sepse “Poeti” është rrebel dhe neverit maskarenjtë dhe maskarallëqet e të pushtetshmëve.

Të pushtetshmit hedhin gurë apo plumba mbi poetët, ndërsa historia lule dhe copëza përjetësie.

Duke bërë këtë ceremonial shtetëror mbi Agollin, në të vërtetë nomenklatura post-komuniste shqiptare, deklamon respekt të madh dhe një mesazh që cilido poet nuk do ta donte, se: “Agolli është i yni!”

Dhe kjo është e vërtetë, ai ishte dhe mbeti si edhe thoshte kritiku sovjetik stalinist Zhdanov, e më pas edhe Enveri ndër Pleniume: “Një ndihmës i Partisë në edukimin revolucionar të masave!”

Dhe Partia e sotme apo post-partia e Punës, po i bën respektin shtetëror “ndihmësit” të saj, që e ndihmoi në të dy kohët. Gjatë socializmit kriminal shqiptar dhe gjatë lodrës demokratike që erdhi më pas, në mënyrën më rufjane dhe mashtruese.
Dhe tani, ish komunistët e rremë dhe post-komunistët, janë ca pasanikë të paparë dhe pushtet mbajtës të përjetshëm, pa pikë lidhje me 10 cilësitë e komunistit.

Agolli ishte një vjershëtar i ndjeshëm dhe pa dyshim me talent, por jetoi dhe punoi një jetë të këndëshme dhe pa telashe, në shërbim të nomenklaturës dhe të post-komunizmit.

Vjershat e tija që do të mbijetojnë, do të jenë pikërisht ca lirika të shkurtëra, të qëndisura në avujt e pijes së fortë Devollite, krejt pa lidhje me Partinë dhe socializmin kriminal shqiptar, për të cilin ai shërbeu me devotshmëri të lartë.

Gjithësesi, Agolli, në takimet që do të ketë në Botën Tjetër, do të kuptojë edhe ay, se e vërteta është një tjetër dhe ajo që ai shkroi në më të shumtën e vet, kishte të pavërteta të mëdha…

Please follow and like us: