Albspirit

Media/News/Publishing

Je suis Romania!

Nga Afrim Krasniqi
A ka shpresë? Po. Është çështje kohe. Vetëm pak vite më parë kryeministri rumun përfundoi pas hekurave të burgut, 125 politikanë të lartë, midis të cilëve ministra e deputetë, kryetarë bashkie dhe zyrtarë entesh publike, pra të “paprekshmit” gjithashtu morën dënime me burg. Një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë krijoi besimin se askush nuk është i paprekshëm. Le ti admirojmë rumunët dhe kurajon e tyre të protestës! Vetëm mund t’i admirojmë dhe njëherësh të ndjejmë keqardhje për veten, mjedisin ku po rrisim fëmijët dhe gjithçka na rrethon. Sepse në anët tona kemi forma të tjera proteste, – protestohet në facebook dhe kafet e lagjes! Në rrugë e sheshe nuk del askush, vetëm kur i thërret partia. Për partinë dalin e vriten. E kanë bërë disa herë dhe me siguri janë gati ta bëjnë përsëri.
Ne i dhamë amnisti konsensuale vitit 1991 dhe 1997. I dhamë amnisti atyre që privatizuan dy lekë ekonominë shtetërore, që grabiten bankat dhe boshatisën arkën e shtetit. I dhamë amnisti të kaluarës komuniste dhe tranzicionit. Së fundi, i dhamë amnisti zyrtarëve nën hetim dhe atyre të dënuar për vepra korruptive, atyre që nuk kanë paguar miliona euro tatime e taksa, atyre që grabisin votat dhe atyre që ndajnë postet publike me pagesa ku kuota minimale është sa dy herë rroga e Presidentit! A protestojmë për gjëra të tilla? Jo dhe jo. Përkundrazi, i lavdërojmë ata që bëjnë kështu, themi “sa i zoti është”, “e mban fjalën”, “bashkëvuajtës e bashkëfajtor”, “ishin kohët”, “fajin e ka sistemi”….
A protestojmë dot për të drejtat, për shtetin, drejtësinë dhe kundër korrupsionit? Jo dhe jo. Ata që protestuan njëherë e një kohë janë brezi i humbur dhe i harruar. Sot nuk ka më protesta. Ka popull që puth duart e sunduesve të vet, por jo protesta. Ka popull që “zgjedh” kriminalë për ti drejtuar, por jo protesta. Ka popull që thur këngë për udhëheqësin e korruptuar, por jo protesta.
Përkundrazi.  Studentët e ekselencës i dërgojmë në call center kurse trafikantët i emërojmë drejtorë, i pasurojmë, u përurojmë biznesin, i lëmë të largohen, pastaj shpallim 50 mijë euro shpërblim kush na jem ndonjë të dhënë se ku ndodhet drejtori!
Ne i filmojmë politikanët tanë duke marrë e dhënë para, duke dhënë e marrë tendera, duke shitur e blerë vila dhe përsëri i falim, dhe jo vetëm, – por i ngremë më lart në karrierë, i bëjmë liderë, u besojmë shtetin dhe pastaj u nisim mesazhe e lutje që ata të bëjnë drejtësi!
I ngremë në krye, shohim sesi thyejnë çdo premtim, tregtojnë tek miqtë shtetin e pronën shtetërore, blejnë median dhe pasurojnë familjen e miqtë, vjedhin bankën e shtetit dhe thesarin dhe, – ose i amnistojmë ose u japim edhe ca 100 milionë të tjerë për vuajtjet psikologjike kur i hoqëm nga posti!
Je suis Romania!! Kaq.
Please follow and like us: