Albspirit

Media/News/Publishing

A ka shqiptarë patriotë e të ndershëm?

Nga Mentor Kikia

Java e kaluar ishte e ngarkuar me ngjarje të “mëdha” politike, ku më e rëndësishmja dhe më e rënda njëkohësisht ishte përplasja mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan Donald Lu. Por në Shqipëri ngjarjet evoluojnë shpejt dhe një tjetër do të do të kapte kreun e hit parade-it të politikës. Ajo përbëhej vetëm një dy rradhë tekst dhe kishte sërish për protagonist ambasadorin amerikan. Donald Lu u bënte thirrje shqiptarëve patriotë e të aftë që të aplikojnë për tu bërë anëtare të komisioneve të Vettingut.

Situata është shumë e thjeshtë. Që deklarimet e pasurisë së gjykatësve e prokurorvëe dhe kualifikimi i tyre profesional të kontrollohen e verifikohen, ligji parashikon ngritjen e tre komisioneve, që kanë në përbërje gjithsej 27 ekspertë. Këta do të jenë njerëzit që do të sygjerojnë se kush do jetë e kush jo në sistemin e drejtësisë. Këta do të jenë gjykatësit e gjykatësve dhe prokurorëve. Këta duhet të jenë të ndershëm, të drejtë, të aftë dhe patriotë.

Këta nuk duhet të jenë të korruptuar dhe për këtë do të jenë edhe nën monitorim e nën përgjim në gjithë komunikimin e tyre gjatë gjithë kohës së ushtrimit të kësaj detyre. Por deri fundjavën e kaluar, 5 ditë para skadimit të afatit, kishin aplikuar vetëm 6 ekspertë. Ndërsa deri të hënën, 3 ditë para skadimit të afatit, kishin aplikuar vetëm 12 ekspertë. Logjika ta do që të ketë shumë më tepër aplikime se numri i vendeve në komisioine, në mënyrë që të përzgjidhen më të mirët. Por mungesa e aplikimeve bëri që ambasadori amerikan të lëshojë një apel publik për “shpitarët e ndershëm dhe patriotë që janë edhe të kualifikuar në fushën që kërkohet”.

Avokati i Popullit, ndërkohë, institucioni që mbledh aplikimet, ka njoftuar se do të jetë hapur deri në orën 20.30, njësoj si në kohën e regjistrimit të studentëve ku ka mijëra aplikantë.

Ka dy çështje këtu që e bëjnë të rëndë këtë fazë të zbatimit të reformës në drejtësi.

Përse duhej të reagonte pikërisht ambasadori I SHBA për mospalikimin e ekspertëve?

A duhet ta akuzojmë sërish zotin Lu se po ndërhyn në punët e institucioneve tona në këtë rast?

Përse nuk shqetësoi asnjë zyrtar të lartë të shtetit shqiptar kjo situatë, duke filluar që nga Presidenti i Republikës?

E dyta është vetë indiferenca e ekspertëve. Në një vend ku drejtësia është mekanizimi më i shthurur i shtetit, në një shoqëri ku korrupsioni është kryefjala e gjithkujt që flet e shkruan, fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi është një lajm i madh dhe një moment vërtet me rëndësi historike.

Padyshim që mund të ketë ndër ata që kanë vendosur ta dorëzojmë aplikimin në momentet e fundit të afatit zyrtar, por sërish logjika ta do që duhet të kishte një vërshim kandidaturash për këto komisione. Jo thjeshtë për një vend pune, jo thjeshtë për një pikë të rëndësishme në CV-në profesionale, por mbi të gjitha si një kontribut për shtetin dhe shoqërinë. Për të punuar për një proces që do ti hapë udhë përpjekjeve për të bërë drejtësinë dhe për të nisur një epokë të re në luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimit të shtetit ligjor.

Thirrja e ambasadortit Lu i ngjason një thirrjeve të udhëheqësve ushtarakë, ku njerëzit patriotë që e duan vendin e tyre, ftohen të rrokin armët kundër armikut. Në fakt edhe ne jemi në luftë tashmë. Jemi në luftë me pjesën tone më të keqe, me bastardët e politikës, me batakçinjtë e korruptuar të pushtetit, me botën e inkriminuar që ka mbërritur deri në parlament. Por, për fat të keq shumë pak ushtarë janë treguar të gatshëm deri tani për të luftuar.

Nëse nuk do të duam të pranojmë se jemi të gjithë të korruptuar, do të duhet të pranojmë se nervi i atdhedashurisë ka ardhur duke na vdekur.

Please follow and like us: