Albspirit

Media/News/Publishing

Vettingu/SHBA do hetojë pasurinë e 790 prokurorëve e gjyqtarëve

 

Ashtu siç edhe paralajmëroi ambasadori amerikan, Donald Lu, javën që vjen, do të zbarkojnë në Tiranë, gjyqtarë dhe prokurorë amerikanë, në kuadër të zbatimit dhe veprimit të ligjit të Vetingut.

Referuar Kushtetutës së re dhe ligjit të Vetingut, skuadra amerikane, e përbërë nga njerëz të drejtësisë me mbi 15 vjet eksperiencë, do të ketë një mision të dyfishtë.

Së pari, ekipi amerikan do të asistojë institucionet shqiptare për ngritjen e organeve të Vetingut, duke kaluar në sitë kandidatët, të cilët më pas do të kalojnë në skanerin e trefishtë prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

Së dyti, përfaqësuesit amerikanë, jo vetëm do të monitorojnë punën e institucioneve të Vetingut, por do të marrin në dorë dosjet e mbi 790 prokurorëve dhe gjyqtarëve, për të hetuar veprimtarinë e tyre shkruan Shqiptarja.com.

Aksesi i pakufizuar

Për realizimin e këtij misioni, hetuesit amerikanë, në bashkëpunim me prokurorë dhe gjyqtarë nga Evropa, do të kenë akses të pakufizuar për të marrë çdo dokument dhe të dhënë të nevojshme nga institucionet vendase dhe të huaja.

Dosjet e pasurive 

Dosjet e pasurive të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të dorëzuara pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, do të kalojnë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve amerikanë. Pika 3 e nenit 33 të ligjit të Vetingut, e detyron ILDKP që t’u mundësojë akses të plotë prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj, që të që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura7 90 prokurorë dhe gjyqtarë. Vëzhguesit e huaj do të sekuestrojnë për llogari të hetimeve të tyre, të gjithë dokumentacionin ligjor që kanë paraqitur prokurorët dhe gjyqtarët, për justifikimin e pasurive të deklaruara. Dosjet do të kalojnë menjëherë pas ngritjes së institucioneve të Vetingut. Aktualisht, hetimi i vërtetësisë së deklaratave të pasurisë ka nisur nga ILDKP.

Please follow and like us: