Albspirit

Media/News/Publishing

“Dënimi i dytë”, 500-ish të burgosur politikë pa pension

Emisioni investigatev “BOOM” në RTV Ora News në puntatën e sotme ka trajtuar një çështje shumë serioze për një kategori e cila është dënuar si në komunizëm edhe tani në demokraci. Bëhet fjalë për ish-të dënuarit politik, që kanë punuar në minierë.

Janë rreth 500- ish të dënuar politik të cilët janë në moshë pensioni dhe nuk e kanë përfituar atë ende. Ata ankohen se kanë bërë më shumë se 15 vite burg dhe nuk po trajtohen si të gjithë minatorët e tjerë dhe se vitet e punes ne burg nuk u njohen për efekt pensioni. Kjo shtresë nuk ka reshtur së kërkuari këtë të drejtë, me akte nga më të ndryshmet që nga ato të vetëflijimit, të rrugëve institucionale etj.

Këta persona që vuajtën një dënim të pamerituar në kohën e komunizmit dhe që punuan në minierë gjatë viteve të burgut, përsëri po vuajnë një tjetër dënim. Atyre nuk u njihet puna nga zyrat e shtetit shqiptar, kjo për efekt pensioni edhe pse në fuqi është një dekret i presidentit të Republikës, i janarit 1993. Ky dekret përcakton se vitet e punës në burg njihen dyfish, pra nëse ke bërë punë të detyruar në burg për 15 vjet, të njihen 30 vite punë.

Ish-i përndjekuri politik 1: Kemi bërë nga 15 vite burg dhe nuk kemi dalë në pension edhe pse e kemi mbushur moshën

Gazetarja: Sa vite punë ke?

Ish-i përndjekuri politik 1: Unë në minierë i kaloj 17 vite sepse kam edhe kohën e lirë.

Ish-i përndjekuri politik 2: Unë kam bërë gjithësej 15 vite burg, quhen 30 vjet punë.

Ish-i përndjekuri politik 3: 14.5 vite në galeri

Ish-i përndjekuri politik 1: Vetëm sipas këtij dekreti të Presidentit të Republikës dënimi me burg njihet sa dyfishi, por ne as një fish nuk na i njofin. Nuk jemi armiq të popullit, por armiq të armiqve të popullit

Ish-i përndjekuri politik 4: Përpara se të hyja në punë në galeri, thoshte policia ose ti bësh normën partisë dhe qeverisë ose shpirtin.

Ish-i përndjekuri politik 3: Ça është ky parlament?! Me ne tallen këta, ne kemi bërë burgun dhe e dinë të gjithë të burgosurit që ne kemi bërë burg.

Ish-i përndjekuri politik 2: Ne kërkojmë nga Ministria e Punës që të hyjë në parlament ligji për të përndjekurit politik, mos ta mbajnë nëpër sirtare

Ish-i përndjekuri politik 3: Unë dua gjakun tim, nuk kërkova as me i vjedh asgjë. Jam vrarë tre herë në galeri.

Ish-i përndjekuri politik 5: Rininë ma jep dot mua..?

Kreu i Institutit të Përndjekurve Politik, Bilal Kola, i intervistuar nga “BOOM” tha se në rrugë informale, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka konfirmuar angazhim për zgjidhjen e problemit madhor të kategorisë së ish-të dënuarve politike të cilët nuk përfitojnë pension edhe pse janë në moshë pensioni, pasi nuk i njihen vitet e punës në burg.

Bilal Kola, kreu i ish-të përndjekurve politik: Rasti i këtyre individëve ka bëjë me ligjin për pensionin e minatorëve dhe ajo që këta persona me shumë të drejtë kërkojnë është se përsa kohë që nga pikëpamja faktike këta persona kanë qenë në burgje në minierë statusi i tyre duhet të jetë i njëjti me atë të minatorit dhe të përfitojnë pension qoftë në terma financiare qoftë ën afate kohore njëlloj si minatori. Ajo që ne kemi bërë është grumbllimi i të dhënave për të gjithë personat që janë në moshë pensioni, duke marrë edhe si të dhënë një flet hyrje dhe flet dalje nga burgu në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i kemi përpiluar një kërkesë në formën e projektit ministrisë së linjës që është Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ia kemi nisur këtë shkresë para rreth një viti.

Gazetarja: A ka një përgjigje nga ministria?

Bilal Kola, kreu i ish-të përndjekurve politik: Përgjigje në rrugë informale sigurisht që ka dhe ajo që na është komunikuar është që do ta ndjekim këtë problem me përparësi, me idenë për të arritur në një konkulizion ku do ti adresojë këto probleme që janë ngritur, por kjo është në rrugë informale. Ne si institucion nuk jemi në kushtet ku kemi kompetencën institucionale për të propozuar pr/ligjie apo amendime ligjore. Të gjithë ata persona kanë bërë minatorin megjithëse kanë qenë të dënuar politik të trajtohen njëlloj si minatori.

Gazetarja: Pse ky diskriminim?

Bilal Kola, kreu i ish-të përndjekurve politik: Sepse ne  nuk jetojmë në një vend të drejtë. Ne jetojmë në një vend që edhe kur nuk kanë të drejtë e marrin këtë të drejtë. Këtu po bëhet fjalë për çështjen e respektimit të të drejtave të grupeve sociale të caktuara. I mungon ai prindi institucional që ka dhe kompetencën institucionale, por edhe mundësinë politike që të zgjidhë problemet e kësaj shtrese.

Emisioni “BOOM” ka arritur të mësojë se ku ndodhet kjo çështje për shqyrtim. Burime nga ministria e Mirëqenies Sociale konfirmojnë se i janë drejtuar ministrisë së Financave si i vetmi institucion që miraton vendime të tilla, me kosto dhe faktor financiar dhe se ende prej saj nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Në rastin konkret, ministri i Mirëqenies Sociale zbaton procedurat teknike pasi vendimi për pensionin e 500 ish-të dënuarve politik merret nga ministria e Financave. Edhe pse është ende në fuqi dekreti i presidencial i janarit 1993 që ish-të dënuarve politik ti njihen vitet e punës në burg për arsye  pensioni kjo kategori vazhdon të jetë e dënuar në forma nga më të ndryshmet, dikur me mungesë lirie dhe punë të detyruar dhe sot me mospërfillje nga institucionet për të drejtat e tyre.

/Oranews.tv/

Please follow and like us: