Kur zyrtarët e lartë amerikanë investoheshin për Çështjen Çame, politika shqiptare zvarriste Rezolutën për Çamërinë, si sot po zvarrit ngritjen e Komisionit Hetimor për tragjedinë çame.

Hezitimi i politikës shqiptare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për tragjedinë çame duket se ngjan jo pak me vitet 2002-2005, kur Çështja Çame diskutohej në Kongresin amerikan, ndërsa në Shqipëri hezitonin të miratonin një rezolutë.

Ka disa javë që PDIU ka paraqitur kërkesën për ngritjen e këtij komisioni, i cili ka si objekt zbardhjen e krimeve ndaj popullsisë së Çamërisë. Nuk ka asgjë antikushtetuese në këtë kërkesë, por politika shqiptare po vazhdon hezitimin për ta dhënë votën pro këtij komisioni. Çështja Çame është tashmë në Bruksel, pasi Komisioneri Johannes Hahn ka rekomanduar bisedime për zgjidhjen e saj. Pra, Çështja Çame është pranuar nga Brukseli, ndërkohë që politika shqiptare i ”tutet” akoma Greqisë duke hezituar të votojë prongritjes së këtij komisionit.

Ishte thuasje njësoj situata, kur qeveria shqiptare dhe Kuvendi në vitin 2003 heshti, në një kohë kur Senati Amerikan diskutonte zgjidhjen e Çështjes Çame. Në atë kohë, 25 kongresmenë amerikan me në krye kongresmenin Ben Gilman, dërguan një letërpërgjigje Shoqatës “Çamëria”, ku garantonin mbështetjen e tyre për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë.

Ben Gilman ishte në atë kohë kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ai njihej si mbrojtës i të drejtave të njeriut kudo në botë dhe në këtë cilësi u investua publikisht edhe për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë, ashtu siç veproi edhe për zgjidhjen e Çështjes së Kosovës.

Pavarësisht reagimit të politikës amerikane, shteti dhe politika shqiptare e asaj kohe as që reagoi, madje zvarriti për më shumë se një vit nëpër dyert e Kuvendit, një Rezolutë për Çështjen Çame.