Albspirit

Media/News/Publishing

Mesila Doda: Fashizmi grek dhe djaloshi i shqipes

Nëpërmjet medias greke dhe më pas asaj vendase, mësuam që një gjykatës i vendit fqinj ka dëbuar nga Greqia dhe ka shpallur “non grata” një djalosh shqiptar, vetëm 17 vjeç. Ka shumë rëndësi mosha në këtë rast, sepse i riu nuk ka mbushur ende moshën madhore dhe të paktën për të duhet të ishte shprehur një gjykatë për minorenët. Nejse, le të zbulojmë këtu, së bashku çfarë “krimi” të rëndë ka bërë ky fëmijë që meriton dëbimin dhe shpalljen “non grata”, thua se është agjent i shërbimeve inteligjente armike ose frymëzues i grupeve anarkiste apo terroriste.

Ky djalë ka bërë një foto me shpinë në Portin Paksu në Pargë të Çamërisë. Në këtë foto ai shfaqet poshtë flamurit të Greqisë duke bërë me pëllëmbët e tij simbolin kombëtar të shqiponjës së Shqipërisë. Ky është krimi që ka vënë në lëvizje autoritetet fqinje, në radhë të parë të hetojnë për të identifikuar këtë “kriminel”, 17 vjeçar. Më pas ka dalë një gjykatës dhe ka dhënë këtë vendim. Disa jave me parë një grup rekrutësh me origjinë shqiptare u denuan për te njejten arsye.
Kaq qesharake dhe absurde është e tëra kjo, sa dëshiroj të mos jetë e vërtetë gjithçka është raportuar nga gazetat greke dhe shqiptare.

Të nderuar kolegë,
Askujt nga ne këtu në Kuvendin e Shqipërisë apo në qeveritë që kanë qenë, kjo që është dhe do të vijnë më pas, nuk mendon se kemi të drejtë të ndalojmë simbolet kombëtare të pakicave etnike apo kulturore. Besoj se bëjmë mirë që mos të ndrydhim askënd të jetë i lumtur për orgjinën e tij bullgare, malazeze, greke, ballkano-egjyptiane, rome e kështu me radhë. Askush nuk fiton duke ndrydhur tjetrin. Kudo që një grek e ka ngritur kulmin e tij nëpër në Shqipëri, e këtu nuk flas për zonat e minoritetit, por kudo le ta shpalosë flamurin e vet dhe të bëjë me pëllëmbë çfarë zogu të dojë; kumurie, harabel, sorrë, petrit apo kanarinë. Unë, e para nuk do të lejoja askënd të guxonte të ndëshkonte dikë, sepse është krenar që i përket një kombi fqinj apo të largët. Kjo është demokracia që mëkon lirinë dhe bashkë me të tolerancën ndaj tjetrit, i cili është më pak se ty, më i vogël se ty.

Në Itali, kurrkush nuk ka ndaluar arbëreshët të festojnë me simbolet e tyre kombëtare, të lëvrojnë gjuhën, të thonë meshë në shqip. E njëjta sjellje është në këtë vend ndaj komunitetit grek në Brindizi. Shembuj ka plot nga vendet perëndimore, nga anëtarët e Bashkimit Europian, ku Greqia bën pjesë. Në fakt, me këto standarte të demokracisë çudi është që janë pjesë e një Bashkimi që ka për simbol lirinë, tolerancën.

Bashkëatdhetarët tanë në Greqi nuk kanë kurrfarë të drejte. Nuk ushtrojnë të drejtën e tyre të mësimit të gjuhës shqipe, veç disa kurseve gjysëm ilegale. Nuk festojnë dot me simbolet kombëtare, nuk ushtrojnë dot besimin e tyre, përveç në greqisht dhe në kishën greke. Myslimanët, katolikët, ungjillorët, por edhe ortodoksët shqiptarë jo vetëm nuk e thonë dot faljen apo meshën në shqip, por as fëmijët e tyre nuk i bekojnë dot apo t’i pagëzojnë sipas ritit të besimit që kanë. Duhet medoemos t’i “vaftisin” dhe t’i shndërrojnë në Jorgo, Vangjel, Spiridhon. Të më ndjejnë personat që mbajnë këto emra, sepse nuk e kam me bukurinë që ato përcjellin, por me dhunën shtetërore që t’i vendosin.

Unë mora shkas nga një djalë i ri, ende i mitur, i cili duhet të shkojë mbrapsht, sepse i pëlqen të thotë se është shqiptar. Ky është fashizëm! Po, po ky është fashizëm!
Hebrenjtë, jo shumë larg në kohë, u sulmuan pikërisht tek krenaria e tyre kombëtare, besimi, historia e tyre. Atje u gjet e keqja dhe fillimisht i shenjuan që t’i dallojnë nga të tjerët, pastaj i grumbulluan, në fund i dëbuan për në kampet e përqendrimit.

Edhe në atë kohë etërit tanë kombëtar mbrojtën më të dobëtit. Një emër i lartë që e kemi harruar, e të paktën mund ta vendosnim në një rrugë a shesh në Pukë, është treguar zotni i vërtetë në atë kohë; Kolë Bibë Miraka, ish-ministri i brendshëm dha pasaporta shqiptare për mijëra hebrenj, të cilët me to u hodhën përtej në Italinë e Jugut të çliruar.
Duhet të respektojmë sot, më shumë se kurrë katër anëtarët e ndritur të Këshillit të Naltë të Regjencës, Patër Anton Harapin, Mehdi Frashërin, Fuat Dibrën, Lef Nosin. Këta burra të lartë duhen respektuar, sepse jo vetëm rishpallën mëvetësinë e Shqipërisë pas pushtimit fashist, por sepse nuk i dorëzuan asnjë emer hebreu Gestapos.

Përse jua përmenda këto?
Sepse kjo jemi ne, shqiptarët. Këtë kemi trashëguar si vlerë. Lirinë dhe dashurinë për tjetrin. Prandaj, këtu është mëse e zakonshme që në një dasëm të këndohet edhe kënga italiane, edhe ajo greke. Kështu jemi gatuar.
Por ama, fqinjët tanë janë krejt e kundërta. Ata janë gatuar nga shembulli i heroit të genocidit. Po ju përmend vetëm një; Napoleon Zervën. Prandaj, një gjykatës në Parga ka burim frymëzimi vetëm dëbimin.

Dhe dëbimin e njohin fort mirë shqiptarët e Çamërisë dhe gjithë jugut. Kjo është arsyeja që kërkojmë ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e kësaj tragjedie. Një komision që po keni drojë ta ngrini, sepse nuk di ç’dreqën ju flasin në vesh, por me siguri në gjuhën greke ju pëshpërisin. Ne do flasim dhe do ngulim kembe fort që të na dëgjojë dhe Athina dhe kush nuk do në Tiranë apo dikujt që duhet ti mësohet veshi me termi Çameri. Çështja shqiptare e genocidit mbi shqiptarët e çamërisë nuk është çështje e humorit me greqinë por e diplomacisë shqiptare e europiane. Aty është rruga jonë e aty do ta kërkojmë të drejtën tonë.

Na kerkojnë të jemi të duruar e të ulim kokën ndaj fqinjit. E vërteta është që jemi treguar te kujdesshëm e luajalë gjithë këto vite me çështjen Çame , kemi pritur që ti japin zgjidhje të tjerat parti politike pushtetare e jo pushtetar, e verteta është që partitë luftojnë për pushtet dhe kauzat e mëdha ose i harrojnë ose mundohen ti varrosin rrugës. Kjo ështe arsyeja që ne nuk harrojmë, nuk do harrojmë kurrë që politika kërkon përkushtim, dinjitet dhe guxim, guxim për ta mbajtur kokën lart përpara agresorit dhe të thuash të vërtetat jo me gjysëm zëri por fort dhe bindshem.

Te nderuar kolege
Kjo qeveri nuk mund të rrijë duarlidhur, nëse lajmi për dëbimin e djaloshit të shqiponjës është i vërtetë. Ambasadori i Greqisë duhet të ishte thirrur me urgjencë në Ministrinë e Jashtme. Një Notë proteste duhet të ishte hartuar me kohë e me vakt, ndërsa djali i dëbuar duhet marrë, arsimuar në shkollat më të mira të Shqipërisë, pa kurrfarë shpenzimi. Duhet formuar ai çun që nesër të jetë një mendje për të bërë para në Shqipëri dhe jo vetëm. Nuk mund të lëmë në mes të rrugës dikë që nuk ka drojë të bëjë simbolin e kombit të tij. Nuk mund të na kompleksojnë deri në këtë pikë, sepse pas kësaj na pret vetëm një udhë; asimilimi./CityNews

Please follow and like us: