Albspirit

Media/News/Publishing

11 karakteristikat e Presidentit Trump

Pavarësisht kundërshtimit nga amerikanët dhe psherëtimave të Perëndimit, Donald Trumpi është betuar si president i ShBA-së. Duam apo nuk duam, tani është epoka e Trumpit.

Çfarë duhet të bëjë Kina? Duhet të mësohet me Trumpin dhe ta kuptojë Trumpin. Por një kusht paraprak është që ta njohë Trumpin. Pas analizës nga media dhe specialistët, po sjellim këtu ato që mund të quhen 11 karakteristikat e Trumpit.

Së pari, Donald Trumpi është një njeri me shumë vitalitet: shikon televizion, lexon gazeta dhe sidomos shkruan në “Twitter”. Ai është president i vërtetë i medies së re. Çdo mëngjes puna e tij e parë nuk është të lexojë raportin e sigurisë kombëtare, por “Twitter”-in. Atë që e shan ose kritikon, ai i kundërpëgjigjet në çast. “Twitter”-i është streha e tij. Trumpi është superylli i internetit në ShBA.

Së dyti, Trumpi nuk pranon kurrë se e ka gabim, është shumë kokëfortë, nuk kërkon falje asnjëherë.

Ai këmbëngul se numri i votave për të në zgjedhjet presidenciale është më shumë se ato të Hillarisë, megjithëse institucionet kanë vërtetuar se votat e tij janë më pak me miliona se ato të Hillarisë. Por Trumpi nuk pranoi, madje i kërkon zv.presidentit të zhvillojë hetim. Mediet e akuzuan se gjithmonë thotë gjëra të gabuara, ai i kundërshton duke thënë se mediet duan ta dëmtojnë.

Së treti, Trumpi do hakmarrje, për çdo gjë, si një luftëtar.

Shumë e thjeshtë, nëse e kundërshton Trumpin, ai hakmarret menjëherë 10 herë më shumë. Kjo është vërtetuar në shumë raste, si në sulmet e tij ndaj aktorëve të “Hollivudit” Meryl Streep ose Arnold Schwarzenegger…

Së katërti, Trump-it i pëlqen shumë që të jetë në qendër të vëmendjes dhe të përbëjë lajm.

Para se të zgjidhej si president, ai ishte i etur për të marrë pjesë në programe televizive si drejtues, ndërsa pasi u bë president, i pëlqen të jetë në titujt kryesorë. Prandaj, secila nga ditët e para në detyrë për të duhet të ketë diçka të madhe. Madje edhe kur nënshkruan një dekret, ai nuk harron të dalë në ekranin e televizionit pas nënshkrimit. Ai e di se media nuk e pëlqen, por atij i pëlqen të jetë në media.

Së pesti, Trump-i është një biznesmen, gjithçka për të është shkëmbim interesash.

Prandaj, për kabinetin e tij, ai është njëf bos i madh. Ai u ka thënë vartësve që, nëse arrin përfitime të njëanshme, një marrëveshje nuk është e mirë dhe marrëdhënia dypalëshe nuk do të zgjasë. Kështu, provokimi me çështjen e Tajvanit është diçka normale për të. Për Trump-in, Tajvani është një mjet ujdie në bisedimet me Pekinin.

Së gjashti, Trumpi ka një kapacitet të fuqishëm zbatues, është i vendosur për të bërë atë që thotë.

Dalja nga traktati i Partneritetit të Trans-Paqësorit, ndërtimi i murit kufitar, shfuqizimi i ligjit të reformës shëndetësore dhe ndalimi i hyrjes së myslimanëve në territorin amerikan, pavarësisht nëse ndodhet para një fushe të minuar ose humnere, Trump nuk ka kthim prapa, ai përmbush në thelb premtimet e fushatës. Kjo fuqi ekzekutuese, në fakt, u mungon politikanëve të Uashingtonit. Ka një proverb amerikan, që thotë se gjërat më të pabesueshme në botë janë premtimet e burrit para martesës dhe të politikanit para ngjitjes në post. Nga ky këndvështrim, Trump-i është me të vërtetë shumë mbresëlënës.

Së shtati, Trump-it nuk i pëlqen gjuha e burokracisë dhe e diplomacisë, ai është i drejtpërdrejtë.

Po nuk i pëlqeu diçka, Trump-it thjesht nuk i pëlqen, edhe nëse është kryeministri australian. Po i pëlqeu, thjesht i pëlqen, qoftë ai “djalli” për amerikanët si Putini, për të cilin ka shprehur publikisht admirimin e vet. Edhe kur një drejtues televiziv tha se Putini është një “vrasës”, Trump-i e ndërpreu dhe u përgjigj: “Ka shumë vrasës në botë, edhe në Shtetet e Bashkuara ka shumë. A mendoni se Amerika është e pafajshme?” Fjalët e tij janë më të sinqerta se të presidentëve të mëparshëm amerikanë.

Së teti, Trump-i është i fokusuar në rezultatin përfundimtar, me parimin makavelian se qëllimi justifikon mjetin.

Ai nuk kërkoi mendimin e Meksikës dhe njoftoi ndërtimin e menjëhershëm të një muri në mes ShBA-së dhe Meksikës, dhe Meksika e dobët dhe e varfër duhej sipas tij të paguante. Nëse nuk do të paguante… “Më fal, presidenti Nieto, po nuk mund të vini në Uashington.” Presidenti meksikan i zemëruar nuk shkoi në Uashington. “Atëherë, më vjet keq, do të vendos 20% tatim mbi mallrat e importuara nga Meksika, gjithsesi ju duhet të paguani.” Çfarë është e moralshme nuk është e moralshme për Trump-in, e moralshme është të arrish diçka.

Së nënti, Trump-i është shumë krenar: “Mos më nënvleftësoni, unë jam më i mirë se të tjerët”.

Edhe pse fotografitë në media treguan se numri i pjesëmarrësve në ceremoninë e marrjes së detyrës së presidentit nga Trump-i ishte më i vogël se në rastin e Obamës, ai këmbënguli se media gënjente. Sidoqoftë, jo çdo amerikan lexon gazetat dhe sheh TV.

Së dhjeti, Trump nuk e shmang familjen nga politika dhe i kushton rëndësi të madhe pikëpamjeve të dhëndrit të vet.

Burri i vajzës së madhe të Trump-it, Ivanka, Jared Kushner, shihet si krahu i djathtë i vjehrrit të vet, një këshilltar presidencial, duke u bërë dhëndri më i fuqishëm presidencial i Shteteve të Bashkuara. Për t’i shprehur një gjest të vullnetit të mirë Kinës, ai qëllimisht e la Ivankën t’i mësonte vajzës së saj gjuhën kineze në Ambasadën Kineze. Nga ana tjetër, për të qetësuar Japoninë, Trump i tha Abe-s: “Vajza ime ka një përshtypje të mirë në ju, ajo rrallë i mburr njerëzit”.

Së njëmbëdhjeti, Trumpi e do të bukurën, sidomos bukurinë e femrave.

Ai është martuar tri herë, duke u bërë presidenti amerikan me numrin më të madh të grave. Po ashtu ai thuhet se është dëfryer me prostituta në një hotel në Moskë. Miku i vet Putin doli në mbrojtje të tij, duke thënë se Trumpi nuk ka nevojë për këtë, pasi është i rrethuar nga bukuri mahnitëse.

Duke marrë parasysh hobin e veçantë të burrit të vet për bukurinë, Zonja e Parë Melani nuk dëshiron të qëndrojë gjithë kohën në Shtëpinë e Bardhë. Për Trump-in kjo është sfida më e madhe. Ai nuk mund të qëndrojë i vetëm në Shtëpinë e Bardhë. Nuk duhet bërë gabimi i Clinton-it dhe Lewinsky-t!

Please follow and like us: