Albspirit

Media/News/Publishing

Biblioteka në Tiranë merr emrin e Musine Kokalarit

Në 100 vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare dhe intelektuales së shquar, Musine Kokalari, biblioteka në Tiranë merr emrin e saj.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, njësia 7 në Tiranë ka vendosur t’i japë emrin e saj Bibliotekës së kësaj zone, shkruan Shqiptarja.com.

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë ndërkohë që në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.

Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.

Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

Please follow and like us: