Albspirit

Media/News/Publishing

Dy vepra të rralla në qeramikë të Ibrahim Kodrës që ndodhen në Durrës

Mark Brunga

Ibrahim Kodra  ndihet gjithmonë i pranishëm me  gjurmët e veçanta që la në historinë e pikturës, si një mjeshtër i  padiskutueshëm i artit modern. Ai lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 dhe u nda nga jeta  më 7 shkurt 2006  në Milano. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. 11 vite pas vdekjes së tij dhe varrimit në Ishëm, po në Durrës gjenden disa vepra të rralla që mbajnë firmën e piktorit të madh.

Këtë radhe po sjellim dy vepra të vecanta që janë sjellë në Shqipëri nga një koleksionist i apasionuar me artin e piktorit të shquar. Një objekt është në qeramikë, i dizajnuar me ngjyrat e Kodrës, një pikturë e plotë në të. Është një lloj arti që e ka aplikuar edhe piktori i madh Pikaso.

Njëra faqe e skupturës në qeramikë paraqet një vajzë duke i rënë një vegle muzikore. Interesante është se Kodra vetë e preferonte shumë kitarën. Një kushëri i tij, Fadil Kodra, personi që i bëri ftesën për të ardhur për herë të parë në Shqipëri, tregonte se si Ibrahimi kur shkonin në bregun e lumit Ishëm për të gjuajtur peshk, këndonte këngë shumë të bukura. Dhe objekti i Kodrës në qeramikë është plot ngjyra të ngrohta dhe paraqet një figurë në stilin kubist, duke i rënë një vegle muzikore. Nga ngjyrat që artisti i jep  figurës dhe tonet që përdor në afërsi të veglës, kuptohet që po interpretohet një këngë e ngrohtë lirike. Sipër veglës muzikore, ku ai ka punuar disa rrathë që ngjasojnë si llampa të ndezura në të kuqe, në pjesën e gjoksit, jep domethënien e një vajze të dashuruar. Dhe ngjyrat e trëndafilta e tregojnë më së miri këtë.

Po ashtu, edhe pjesa e pasme e qeramikës artistike është vijim i të njëjtës figurë por në një paraqitje tjetër. Piktori ka zbërthyer përsëri shpirtërisht vajzën tashmë me ngjyrat e përdorura edhe në pjesën e parë të pikturës, duke na dhënë një tipologji fluturake me arabeska të dykuptimta gjeometrike trekëndore, që janë mes vijave të një fustani pranveror, por edhe të një objekti mes shallit të një fustani në formë gushore si dhe të ngjashmërisë që ka ky shall plot trekëndesha me një fizarmonikë, ku duket sikur tashmë po interpreton një tjetër melodi po pranverore. Rrethuar me ngjyrat blu, të fiksuara mbase përmallshëm që në rini në bregdetin e bukur të Ishmit; si dhe ngjyrat e lehta në rozë, të lulëzimit të bajameve në pranverë të cilat në Ishëm kishin një bukuri të veçantë. Në pjesën fundore të skuplturës prej qeramike dyplanëshe, por që janë një unitet artistik,  poshtë zmaltit, ndodhet firma e famshme e Kodrës.

Objekti tjetër është prej guri. Përsëri në art abstraksionist, në portretin e gurtë dallohet nepërmjet formave gjeometrike dhe një gjysmelipsi, figura e një personi ku shfaqen qartë sytë trekëndorë, hunda e drejtë, si shtyllë dhe buzët. Të cilat kur shikohen me vëmendje tregojnë një tjetër ide. Abstraksionizmi behët një realitet interesant. Hunda është direk anije, sytë janë vela dhe pjesa e buzës është një anije. Kodra vetë kishte lindur në bregdet dhe gjatë tërë jetës udhëtoi. Mbase një autoportret i gurtë. Të dyja objektet janë blerë në ankandet e artit në Itali. Skulptura e gurtë është punuar në Siçili, ndërsa punimi në qeramikë dhe glazurë është punuar në Milano.

Please follow and like us: