Albspirit

Media/News/Publishing

Precedentët e linçimit të ambasadorëve në politikën shqiptare: Nga Kris Hill e Daan Everts, te Lu e Vlahutin

Deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, alias ministres së jashtme të Europës së Bashkuar ndaj opozitës për sulmet ndaj ambasadores Vlahutin, ishte e katërta në radhë, por më e egra nga të gjitha palët.

Brukseli i kërkoi politikës shqiptare, një pjese të saj së bashku me mediat mbështetëse,  që të heqë dorë nga sulmet ndaj ambasadores, duke potencuar faktin se nuk është thjesht një diplomate, por përfaqësuesja zyrtare e 27 vendeve të BE-së në Tiranë.

E megjithatë, sulmi ka gjasa të vazhdojë, ngaqë Vlahutin së bashku me partnerin e tij amerikan, Donald Lu janë vënë në shënjestër që prej angazhimit të tyre ndaj reformës në Drejtësi duke mos e ndalur për asnjë çast hapin. Si njëri e si tjetri mund të kenë plot probleme, në jetë apo karrierë e tyre; por askush nuk e mohon dot që sulmi ndaj tyre, i paprecedentë në 26 vjet, ka lidhje pikërisht me reformën në sistemin e Drejtësi, një ngrehine korruptive të pangjashme në lloj.

Është e paprecedentë si nivel nervoziteti dhe egërsie, por jo e vetmja. Përfaqsues diplomatikë në Tiranë, ardhur nga vendet me peshë në zhvillimet politike, e kanë pësuar jo pak sa herë iu është prishur terezia dhe llogaria politike krerëve shqiptarë.

Dhe le të bëjmë një retrospektivë të këtyre lloj raporteve, herë të paqta e herë luftarake.

Në fakt edhe Enver Hoxha pati probleme të tilla. Që në kohën e diktaturës, ambasadorët sovjetikë dhe jugosllavë kishin rol primar në luftën politike për pushtet brenda kupolës të PPSH-së derisa diktatori shqiptar i hoqi qafe pasi u prish me miqtë ideologjikë.

Kjo traditë, po e një forme tjetër, vijoi dhe pas vitit 1990, ku lufta e brendshme politike përfshiu edhe diplomatët e lartë. Dhe sipas kohës së re që kish ardhur, sipari i kësaj shfaqjeje që vijon dhe sot, u hap me Uashingtonin.

SHBA dërgoi në Tiranë për të ngritur ambasadën pas mbylljes së gjatë, dy personazhe të rëndësishme: një “kalë race” siç ishte William Rajerson, i cili kishte punuar si diplomat në Beograd dhe Kris Hill, një talent i ri, që më vonë do të kthehej në një nga diplomatët më të rëndësishëm amerikanë në rajon.

Hill mbajti një profil më të ulët në publik, por që gjithçka e bënte nëpërmjet takimeve dhe influencës së tij në elitën e Tiranës.

Kurse Rajërson doli edhe në mitingje me PD-në për të bërë thirrje që shqiptarët të votonin forcat e reja antikomuniste, veçanërisht PD-në.

Dhe kjo e fundit  fitoi në vitin 1992, por që nga dita e parë pati një polarizim të lartë me kundërshtarët e PS-së, saqë një vit më pas kryetari i saj Fatos Nano u arrestua i akuzuar për abuzim me ndihmat italiane në favor të të tretëve.

Fatos Nano, ditën kur do të arrestohej akuzoi Kris Hill-in, Rajërson-in si dhe CIA-n si ata që qëndronin prapa arrestimit të tij.

Nano u burgos, qëndroi 4 vjet në burg dhe më pas në vitin 1997 mori pafajësi nga akuzatori i tij, Sali Berisha.

Në këtë vit Nano bëhet kryeministër dhe pas vetëm 10 muajsh punë përplaset ashpër me ambasadoren amerikane në Tiranë, Mariza Lino, pasi sipas Nanos ajo po punonte për të larguar atë nga posti i qeverisë dhe emëruar një të preferuar nga Uashingtoni. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Para nisjes së Luftës së Kosovës, Fatos Nano u largua duke u zëvëndësuar nga Pandeli Majko dhe kërkoi të kthehet ekzaktësisht kur lufta mbaroi.

Ndërkaq, Mariza Lino u sulmua fort dhe nga Sali Berisha, jo direkt, por nëpërmjet mbështetjes së turmave që e linçonin me fjalët më të ulëta.

Ambasadorja Lino detyroi Sali Berishën të kthehet në selinë e PD-së kur militantët e tij pushtuan Televizionin Publik më 14 shtator 1998 dhe pasi një përfaqësues i opozitës, Ekrem Spahia, deklaroi se ata kishin në kontroll shtetin.

Më tej, një tjetër ambasador i sulmuar nga PD-ja ishte Daan Everts, një diplomat holandez që u emërua në vitin 1997 si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, kur kjo organizatë drejtonte gjithçka dhe ishte zyra më e rëndësishme diplomatike e paguar nga Fuqitë e Mëdha perëndimore.

Everts, u vesh me kapele dhe shenja të OSBE-së dhe bashkë me vartësit e tij iu afrohej mitingjeve të PD-së ku hidhej gurë dhe stimuloheshin mjetet e dhunshme.

Kjo taktikë bëri që dhuna të ndalej pasi OSBE filmonte gjithçka por Berisha e mori zët. Madje në vitin 2009 kur ODIHR e caktoi si shef i Misionit të Vëzhgimit, kryeministri i atëhershëm e refuzoi.

Në Tiranë OSBE caktoi Audry Glover, një “të njohurën e vjetër” të Sali Berishës, e cila kishte drejtuar misionin në zgjedhjet e kontestuara të 26 Majit 1996 kur në rolin e Presidentit, doktori mallkoi ODIHR-in si komunist dhe në zgjedhjet lokale kërkoi që vëzhgimin ta drejtohte Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Gjatë qeverisjes 2005-2009 Berisha u konfliktua dhe sulmoi dy ambasadorë amerikanë, John Withers, për të cilin nuk ndejti rehat derisa e nxori në pension nëpërmjet Podesta Group, që, në kohën e Hillary Clinton-it në Departamentin e Shtetit kishte superpushtet, por edhe Alexandër Arvizu-në, që kreu i atëhershëm i PD-së e “shkarkoi” me media por që Uashingtoni nga “inati” ia la në Tiranë edhe një vit pasi i kishte përfunduar mandati.

Një tjetër rast i sulmit ndaj ambasadorëve është edhe kur Koço Kokëdhima në vitin 2004 iu vërvit atij italian duke i thënë në gjuhën e tij: “va fa n’culo”, një precedent tejet të rrezikshëm ky i sulmit verbal ndaj diplomacisë përfaqsuese.

Dhe së fundi këtyre po u shtohet dhe dyshja Lu-Vlahutin. Eshtë një listë që do vijojë të pasurohet më tej, pasi dialektika e zhvillimeve politike e bën të pashmangshme. Diferencën e bën lloji i armëve që përdoren kur diplomatët sulmohen. Mjaft të thuhet se nëse Vlahutin do kish ndenjur urtë dhe të shtynte ditët e saj me diplomaci thjesht korteziale, askush nuk do ishte kujtuar për vilën e saj në periferi.

Please follow and like us: