Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xhafka: Nuk varroset si qen një grua që u vra për dashuri dhe pasion

Dje u varrosën dy trupa,një mashkull në Fier dhe një femër në Lushnjë. Të dy vrarë nga plumbat. Nxjerrë nga revolja e mashkullit drejt femres e drejt vetes. Krim pasioni, e quajti policia. Ashtu e besuan të gjithë. Dhe u provua se mashkulli ishte krimineli,dhe u varros si burri më i ndershëm e më i drejtë. Qindra vetë në varrimin e tij,plot lule mbi dheun e freskët. Tek femra,viktima e vërtetë,u çapitën pas arkivolit vetëm nëna e babai i së ngratës. Askush tjetër se ajo i kishte turpëruar, ishte e martuar,kishte fëmijë e dashuronte një të martuar tjetër që ia hapi gropën. Populli namusqar braktisi vajzën,nënën,dashnoren dhe përqafoi kriminelin,vrasësin. Hynë tek shtëpia e tij,pinë cigare, ngushëlluan dhe bënë për një lekë atë putanën që ua mori më qafë djalin e fshatit.

Historia është rrënqethëse e tragjike. E gjykuar mbi klishe vajza 29 vjeçe ,apo nëna e nje vajze ka një shkelje kodi moral. Ka tradhëtuar kurorën. Është lidhur me dikë,i cili e donte aq shumë sa dhe në prag të vrasjes i kishte bërë dhuratë si prag Valentini. Pra një lidhje jo për lekë,jo për interes,jo për favore. Dashuri mes dy njerëzve. Kësaj i mungonte burri dhe atij mbase i mungonte pasioni,zjarri në shtëpinë e vet. Një shoqëri që hesht për mijra prostituta nëpër botë që i ka nga halli dhe varfëria,qe ze radhë në agjencitë e transfertave për të terhequr eurot e tyre ,befas bëhet puritan e sedërli e godet pas vdekjes një 29 vjeçare.
Ajo gocë e krijoi atë marrëdhënie sipas zemrës,pasionit,ngrohtësisë e dashurisë. Por u nxit dhe nga rrethanat kur plot femra shqiptare kanë burrat,të dashurit,meshkujt në vende të ndryshme të globit. Kanë pranë veç fotot e tyre.E çdo dalje nga vija nxitet nga nje rrethanë a nga një mungesë. Ndaj varrimi drithërues i një vajze si një qen rruge dhe keqardhja masive për vrasësin më sjell aktual,sot titullin e një romani afër 100 vjeçar ” Sikur të isha grua.”
Edhe pas një shekulli femra nuk gjen barazi. Dashuron ,vritet,është viktimë e shoqeria jonë vulgare dhe banale respekton vrasësin, ate që shkrepi plumbat mbi tëmthin e të ngratës. Nuk gjej fjalë për këtë ndodhi. Lutem që dheu të jetën i lehtë mbi trupin e asaj Zhuliete që fati ia solli të kishte nje Romeo vrasës…

Please follow and like us: