Kandidatët për anëtarë të vetting-ut, do të përfshihen në kontrollin për lidhje me Sigurimin e Shtetit, gjatë regjimit komunist. Kjo është një ndër pikat e ligjit për vetting-un dhe procesi do të kryhet nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të ish-­Sigurimit të Shtetit.

Ky institucion i miratuar pak javë më parë në Kuvend, do të verifikojë kandidatët për institucionet e Veting-ut nëse kanë qenë bashkëpunëtorë aktivë të ish-­Sigurimit të Shtetit si dhe nëse kanë qenë anëtarë ose kandidatë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetarë të Gjykatës së Lartë, Prokurorë të Përgjithshëm, kryetarë të Hetuesisë së Përgjithshme, anëtarë të Këshillit të Ministrave, kryetarë të degëve të punëve të brendshme, anëtarë të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokurorë, gjyqtarë në procese të posaçme politike, apo punonjës të nivelit të lartë i ish-­Sigurimit të Shtetit. Gentiana Mara Sula është zgjedhur pak javë më parë në krye të Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-­Sigurimit të Shtetit.