Albspirit

Media/News/Publishing

“Hakmarrja për Drejtësi”, nis hetimi për gjyqtarët që dhanë pafajësi/ Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo, diskredituan figurën e gjyqtarit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hetojë vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda që i dha pafajësinë “Hakmarrjes për Drejtësi”. Në një njoftim zyrtar thuhet se “me kërkesë të Presidentit të Republikës, njëherazi Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektorati i KLD-së filloi hetimin për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë. Referuar publikimeve në media, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë ka përfunduar shqyrtimin e çështjes penale ndaj organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, duke dhënë vendim pafajësie për 11 anëtarët e saj, për rreth 17 akuza penale, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth 20 vjet”.

Sipas KLD, nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes së transmetuar dhe nga shqetësimi i ngritur nga Presidenti i Republikës, u konstatua se ka vend që Inspektorati i KLD-së, të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo, “për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit në funksion të zgjidhjes së parregullt të një çështjeje gjyqësore penale”.

KLD do të hetojë nëse gjyqtarët që kanë gjykuar çështjen penale në fjalë:

–        haptazi nuk i janë referuar ligjit ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose dashjes; apo

–        në mënyrë të pajustifikuar, kanë kryer akte dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose që dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor.

Për efekt hetimi, Inspektorët e KLD-së, do të evidentojnë çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës publike, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit. Për këtë qëllim do të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, të administrohen regjistrimet audio të seancave gjyqësore, vendimi gjyqësor përfundimtar, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtarët, sekretarja gjyqësore, prokurori i çështjes, kryetari i gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.

Please follow and like us: