Albspirit

Media/News/Publishing

Shkon në Kuvend ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve, shtyhet deri në dhjetor afati për dokumentet, ja kush përfiton

 

Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj, i cili ka për qëllim që të zgjasë afatin e aplikimit për dëmshpërblim të ish-të përndjekurve. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj kategorie në vijimësi ka shprehur kritika se nuk kanë përfituar dëmshpërblimin, për shkak se nuk kanë pasur dokumentet gati deri në periudhën e përcaktuar në ligj për të kërkuar dëmshpërblimin. Në këto kushte, qeveria ka propozuar që kjo kategori personash të kenë afat për të aplikuar deri në datën 31 dhjetor të vitit 2017, kohë kjo që sipas qeverisë është e mjaftueshme që ish të përndjekurit të aplikojnë për kompensimin. Saktësohet gjithashtu se të gjithë ata që nuk do të dorëzojnë kërkesat e tyre në afatin e përcaktuar automatikisht do të humbasin të drejtën e dëmshpërblimit financiar të përcaktuar sipas ligjit. “Brenda datës 31.12.2017, ish-të dënuarit politikë, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore dhe plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5, të këtij ligji, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën, me shkrim, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji. Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik, i cili bën pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore. Sipas këtij ligji, ish-i dënuari politik i regjimit komunist, që bën pjesë në kategorinë parësore, personi i autorizuar apo kujdestari i tij ligjor nuk mund të rivendosen në afat për paraqitjen e kërkesës pas datës 31.12.2017”, thuhet në projektligjin e paraqitur nga qeveria. Theksohet gjithashtu se aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas neneve 4 dhe 5 të ligjit të cilat janë: të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë; heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë etj.

Qëllimi i projektligjit

Në relacionin e paraqitur nga qeveria theksohet se qëllimi i projektligjit është mundësimi i së drejtës kushtetuese dhe ligjore për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë, të gjallë, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, por që nuk kanë përfituar dëmshpërblim për shkak të paraqitjes së kërkesës pas përfundimit të afatit ligjor të parashikuar.

Objektiv i këtij projektligji është shtyrja e afatit ligjor për paraqitjen e kërkesave për dëmshpërblim për subjektet e kategorisë parësore deri në datën 31.12.2017, duke krijuar mundësinë për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist dhe janë ende në jetë, por që deri tani nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim për shkak se nuk kanë aplikuar brenda afatit ligjor të parashikuar, i cili ka qenë 1.7.2009. Në korrik të vitit 2014 është miratuar ligji nr.94/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Ashtu sikurse ligji nr.94/2014, projektligji synon përmbylljen e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, ish-të dënuar të gjallë, të cilët në bazë të nenit 12, të ligjit nr.8931/2007, të ndryshuar, konsiderohen subjekte përfituese parësore, por që, deri tani, nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim për shkak se kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim pas përfundimit të afatit ligjor.

Please follow and like us: