Albspirit

Media/News/Publishing

Senera Hoxha: Të vërtetat e kirurgjisë plastike

Kush është Senera Hoxha?

 

Në ditët e një teknologjie gjithnjë në evolim, format e reja të komunikimit e ndarjes së informacionit na “detyrojnë” dhe ne (gazetarëve apo medias) të dalim nga “konvencionalja” lidhur me evidentimin e personazheve të rinj, premtues në fushat përkatëse.

Kjo ndodh me personazhin e sotëm, Senera Hoxha… Duke parë faqen e saj krijohet ideja e një vajze që kërkon të ndajë me ne të bukurën, e kjo vjen nga profesioni të cilin e ka aq pasion, kirurgjinë plastike. E bukura është natyrale, por dëshira për ta pasur është normale te të gjithë.

Po kush është Senera?! Ta pyesësh nuk merr dot një përgjigje të saktë…elegante në veshje të krijon idenë e një modeleje…por kur i sheh “bisturinë ne dore” duket “so scary”…

Senera Hoxha është vetëm 27 vjeç dhe është në hapat e para të karrierës shumë premtuese të saj. Që e vogël ajo ëndërronte të ishte një kirurge, por kur ishte në vitin e dytë të studimeve pranë QSUT, jeta e saj do të merrte një kthesë tjetër. Ajo merr pjesë në operacionin e parë kirurgjikal dhe pikërisht në atë moment ajo vendos që të thelloj studimet në këtë fushë.

Kjo vajza me këtë profil kaq interesant nuk mund t’i shpëtonte syrit tonë për ta intervistuar më tej dhe për të na treguar më shumë rreth kirurgjisë plastike, temë e cila është shumë aktuale në ditët e sotme dhe po prek disa shtresa të gjera të shoqërisë shqiptare.

 

Përshëndetje Senera e mirësevjen në Alb-Spirit.

 

Përshëndetje, ju falenderoj për ftesën.

 

A mund të na thuash si vendose që të fillosh këtë rrugëtim në fushën e kirurgjisë?

 

Gjithmonë e kam dashur të bukurën,  madje që e vogël veshjet e mia i përzgjidhja vetë se si do të kombinohesha. Mamaja ime më krijonte disa fustane që mendoj se për kohën kanë qenë vepra arti; ato i vishja me kënaqësi pasi ishin të veçanta dhe punime dore. Me këtë frymë u rrita unë, që ta doja të bukurën në çdo formë të saj. Dhe duke qenë se Kirurgjia Plastike ka të bëjë me rregullimin e imperfeksioneve te njeriu, u bë edhe pasioni im më i madh.

 

Senera ia vlejtën shumë vite studimi për një pasion?

 

Mendoj që nëse një njeri do të mund të arrinte të ndiqte pasionin e tij dhe të mund të investonte me studime dhe përkushtim,  vitet e harxhuara përkundrazi do të ktheheshin në vite të arta. Punët që bëhen me pasion, janë gjithmonë ato që të japin sadisfaksion. Gjithë përkushtimi im në fund u përkthye më arritjen e qëllimeve të mia dhe u konkretizuan me klinikën në të cilën bashkëpunoj edhe me një kirurg shumë të zotin turk Prof. Dr. Selçuk Isik.

 

Meqënëse e përmende klinikën, do të na tregosh të lutem pak më shumë informacion rreth kritereve që duhet të kemi parasysh kur zgjedhim kirurgun për t’i besuar veten tone?

 

Këtë pyetje ma bëjnë shpesh, pasi ka disa klinika që operojnë në fushën e kirurgjisë plastike në Tiranë dhe informacioni është i vakët. Në rradhë të parë është shumë e rëndësishme të njohim kirurgun me titujt dhe backgroundin e tij. Titujt tregojnë më së miri specializimin që ky doktor ka marrë gjatë punës. Pjesë shumë e rëndësishme është dhe backgroundi i tij, sepse shpesh herë doktorët i ruajnë fotografitë e pacientëve para dhe mbas operacionit.

 

Cilat janë operacionet që mund të realizohen në klinikën tuaj?

 

Në klinikë realizohen të gjitha llojet e kirurgjisë estetike, por në të njëjtën kohë edhe kirurgji rikonstruktive si për shembull rindërtimi i plotë i gjoksit (ku pacientit i është dashur ta operojë). Realizohen gjithashtu riciklime të dhjamit personal, por edhe operacione që kanë të bëjnë me imperfeksione që nga lindja si për shembull sindaklilia.

 

Që është?

 

Keqformim i lindur, që karakterizohet nga ngjitja e gishtërinjve me njëri-tjetrin. Por ka edhe shumë imperfeksione të tjera si për shembull asimetri të ndryshme që mund të kemi tek krahët, ose gishtat. Në ditët e sotme kirurgjia plastike është harruar pak si nocion dhe shihet vetëm si kirurgji estetike, por në të vërtet trupi i njeriut mund të ketë probleme që ndikojnë në musfunkionimin e duhur të tij.

 

Pyetja e rradhës ka të bëje me personat frikacakë si unë,  që i kan tmerr gjilpërat por dëshirojnë ndonjë ndërhyrje të vogël. Sa lloje anestezish përdoren?

 

Do të të qetësoj si fillim sepse në klinikën tonë nuk ke për të ndjerë asnjë dhimbje. Kemi 2 lloje anestezish ajo lokale dhe e përgjithshme, në varësi të llojit të operacionit. Të dyja këto ndryshojnë nga njëra- tjetra për faktin se bëjnë të pandjeshëm pjesë të caktuara të trupit dhe nga mënyra si induktohen.

Me anestezi lokale, kemi humbje të përkohshme të ndjeshmërisë në zona lokale. Ndërsa me anestezi të përgjithshme kemi sedo analgjezinë dhe intubimin (reanimacioni) që kërkon edhe një natë flejtjeje në spital.

 

Tani që u qetësova mund ta mendoj të bëj rikonstruktimin e hundës, por më parë dua të shoh si parashikohet të jetë rezultati përfundimtar?

 

Programi që realizon simulimin është thjesht një program komjuterik dhe kurrsesi ai nuk mund të parashikojë 100% rezultatin përfundimtar. Në kirurgjinë plastike doktori është një artizan sepse punon me duart e tij dhe realizon vepra, por një program kompjuterik nuk mund të parashikojë sesi do të reagojë trupi i njeriut nga ndërhyrje të ndryshme.

 

Të falenderoj Senera për intervistën kaq të këndshme dhe suksese të mëtejshme në karrierën tënde.

 

Faleminderit juve.

Me poshte shikoni videot me Senera Hoxhen:

 

 

 

 

 

Please follow and like us: