Albspirit

Media/News/Publishing

Berisha për LSI: Të bëjë zgjedhjen e saj, mes krimit apo qytetarëve

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë një ftesë LSI-se, të bëjë bilancin dhe të zgjedhë në cilin krah do të rrijë, qytetarëve apo banditokracisë. Përgjigja e Berishës për gazetarët që i kërkuan një koment për qëndrimin në heshtje të LSI-së për protestën e opozitës, ishte zgjedhja mes krimit apo qytetarëve.

“Ky është moment kritik për cdo forcë politike. Çdo forcë politike që nuk ka humbur prekjen, lidhjen me qytetarët, është e ftuar të bëjë bilancin, të bëjë zgjedhjen në anën e krimit, banditokracisë apo në anën e qytetarëve”.

Pra po ftoni LSI?

Berisha: Edhe Rama po të dojë të largohet të krijojë qeveri teknike.

Kush e drejton qeverinë teknike?

Berisha: Do vendosin forcat politike kush do e drejtojë, unë them që s’pengohet asnjë që të japë kontribut në qeverinë teknike.

Do e njihni rezultatin nëse rikonfirmohet në zgjedhjet e Qershorit Rama kryeministër?

Berisha: Zgjedhjet e qershorit me Ramën s’mund të ketë, më vjen keq, duhet të kuptojë cdo shqiptar këtë moment kritik dhe jetik. Përvec vitit 91 s’ka pasur kurrë protestë 4 muaj para zgjedhjeve.

Nëse Rama nuk pranon kushtet?

Mosbindja civile ka 52 forma demokratike të saj, kjo është vetëm njëra, do zgjedhim gjithësecilën për t’i treguar vendin atij Edi Eskobarit…

Në 1991 me kultin e Enver Hoxhës nuk kishte zgjedhje dhe tani me kultin e krimit nuk ka zgjedhje. Nëse Rama nuk pranon PD do t’ia imponojë me një këmbë.

 

Ish-kryeministri apeloi për përshkallëzim të protestës edhe jashtë Shqipërisë.

 

Berisha: Thirrja ime për emigracionin dhe diasporën është të marrin të gjitha masat që të organizojnë protesta pranë selive të qeverive ku janë, pranë Ambasadave të Shqipërisë, kundër regjimit të banditokracisë. Kjo është rruga e solidarizimit në mënyrë që për Shqipërinë të votojnë të gjithë shqiptarët.

Please follow and like us: