Albspirit

Media/News/Publishing

Disa pyetje të thjeshta për zonjën Koçijançiç

Zëdhënësja e KE Maja Kocijancic foli sot mbi situatën në Shqipëri! Ajo, midis të tjerash, tha se debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit, edhe pse parlamenti ynë është i mbushur me të inkriminuar.

Ajo, gjithashtu, e quajti protestën e qytetarëve për zgjedhje të lira si një polarizim të panevojshëm dhe kundërproduktiv për ambicien e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Pohime të tilla “ex cathedra” të kësaj zonje të nderuar, me dashje e pa dashje, të çojnë në pyetje shumë më shqetësuese e kardinale: Po zgjedhjet e grabitura dhe vullneti i deformuar i sovranit nuk ka rëndësi?

A nuk prodhojnë deformime të kësaj natyre veçse institucione jo demokratike e të kapura?

A e ndihmojnë ato vallë integrimin tonë?

Po inkriminimi i mëtejshëm i parlamentit, pushtetit lokal dhe administratës, deri konvertimi në një pjesë të madhe të shtetit shqiptar në një organizatë kriminale?

Po kthimi i Shqipërisë në Kolumbi Ballkanike a e ndihmon këtë integrimin tonë?

Po plantacionet e kanabisit e pistat e improvizuara anembanë  për të sjellë këtë helm në mesin tuaj?

Mos vallë këto e ndihmojnë integrimin tonë, të paktën sipas jush?! Mos vallë, konvertimi i Shqipërisë në një hambar drogash të Europës e ndihmon sado pak atë proces?!

Po policia e përfshirë në narkotrafik e në antonim me zgjedhjet e lira, a është standardin europian apo na ndihmon për integrim?

Po qorrsokaku ekonomik ku na ka futur korrupsioni administrativ e kapilar, abuzimet me tendera, koncesione e vila luksoze apo dhe mbjellja e varfërisë endemike falë “luftës kundër informalitet” ndaj sipërmarrjes së vogël, deri burgu, që tundet e jepet vetëm për të mjerët e të pa përkrahurit ndërkohë që kriminelët e bandat e vërteta amnistohen e vishen me pushtet të pakufishëm teksa shihen dhe përkrah kryeministrit e ministrave të tij?!…

Po pyetjet, sado të shumta dhe të hidhura, nuk mbarojnë këtu. Po arroganca qeveritare i arrin vallë ato nivele të përafërta e të kënaqshme të përfaqësimit europian këtu tek ne?

Apo blerja e medias dhe mbyllja e gojës dhe syve të saj gjatë vetë protestës! Mos vallë, edhe ky nivel i ulët i lirisë së mediave dhe kufizimit të mëtejshëm të lirisë së fjalës e mendimit nuk kanë rëndësi për integrimin tonë!?!…

Me siguri ju dhe të gjithë si ju në Bashkimin Europian do të bërë propozime konkrete për nxjerrjen e Rumanisë nga ky union, për shkak të protestave masive pa afat kohor? Kushedi ç’ do të propozonin gjatë protestave të dhunshme në Francë gjatë kohës që Ministër i Brendshëm ishte Sarkozi?!…

Për më tepër zonjë na thatë që për bordin e OMN-së e keni diskutuar thellësisht e në detaj me qeverinë. Po të jetë, kështu, vazhdoni atëherë që ta bëni këtë reformë bashkë me bordin dhe qeverinë, por ama duhet theksuar se ndryshe nga sa thoni ju zonjë e nderuar ky bord nuk është i mbështetur as në kushtetutën tonë sapo të amenduar e as në ligjet tona! Funksionet e këtij bordi janë të mbivendosura mbi ato të OMN-së dhe krejtësisht të panevojshme e të pajustifikuara në qëllim.

Është vallë kjo reforma që kërkoni dhe që ndihmon integrimin tonë pavarësisht se nuk është e bazuar në ligje të miratuara me sa më shumë konsensus, apo aty mishërohen interesa e dëshira kryeministrore për kapje e nënshtrim të drejtësisë në vend që të bëhet katarsisi i vërtetë dhe kaq të kërkuar nga shoqëria jonë?

Mos vallë nuk ka rëndësi për integrimin tonë ndarja e pushteteve dhe shteti i së drejtës? Unë nuk besoj! Mos vallë ka më shumë rëndësi të shkojë deri në fund ky eksperiment sesa një reformë e vërtetë, dhe mbi të gjitha sa më afatgjatë? Kjo e fundit është më e rëndësishmja!

Gjithsesi do doja ta mbyllja reagimin tim ndaj deklaratës së çuditshme të zonjës Kocijancic se protesta paqësore që po zhvillohet është kundërproduktive ndaj integrimit tonë duke cituar një fjalim të dikurshëm nga bulevardi si opozitar në protestë i kryeministrit aktual të vendit tim , me shpresën se mbase ata që do të përkthejnë këto rreshta të tij do ta përfshijnë dhe atë:

Dëgjojmë njerëz që thonë se gjërat vërtet mund të jenë keq po as rruga e protestës nuk është zgjidhje. Shkoni në parlament, përsërisin disa, se aty është vendi zhvillohet demokracia. Madje ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë që vetë jeton sidoqoftë më mirë se shqiptarët që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë. Janë ata që nuk kanë as dhimbjen e as ngutin tonë për Shqipërinë e shumicës që nuk shtyn dot muajin mes papunësisë, varfërisë e çmimeve të pafrenueshme të jetës së përditshme. Prandaj edhe kur flasim u dukemi sikur bëjmë politikën e arsyeve personale, jo betejën e vlerave qytetare. U them shumë thjesht: Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe e duam sot, këtu, në vendin tonë ku nuk do të lejojmë të instalohet një mbretëri e pashpallur dhe as do ngurrojmë të përballemi me fuqinë e rezistencës paqësore ndaj një pushteti që zgjedhjet i do lojë të paravendosur, parlamentin teatër të parashkruar, qeverinë pykë të palargueshme në rrugën mes nesh e të ardhmes europiane të vendit tonë.”

Please follow and like us: