Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Më vjen turp

Më vjen turp që PD proteston sot me fytyra të bardha. Me kollare. Me aheng çingijesh. Tallava. Me figura që kërcënojnë. Që dukshëm nuk kanë me vete popullin. Por një shpurë teknokratësh. Apo njerëz nga ajo shtresa e karrikeve të zbythura. Që pasi ropën të gjithë tenderat e mundshëm. Ndërtuan, shitën e blen…sa mundën. Troje, toka, shtëpi. Spitale, shkolla, rrugë. Godina biznesesh. Blene institucionet. U mundësuan hajvanëve të diplomohen, laurohen, dekorohen. Shpallen figura të demokracisë. Nderi i Kombit. Dhe që sot vlojnë në një luftë turpi, midis fuqisë së zbehur të Berishës. Apo xhelit të Lulzim Bashës. Midis mllefit të të persekutuarës klasike, që nuk e pati për gjë të emëronte dhëndrrin atashe. A ku dreqin e di se çfarë. Midis dhëndërrit dhe aferave të Shkelzen Berishës etj. Një PD që nuk do ta kuptojë se kauza do popull. Jo pordhët e NULIT nga Kukësi. Apo hilet e Ristanit nga rakitë e mejhaneve. Një PD që nuk lindi dot një brez të ri, i cili ta zbythte kastën, tashmë të dalë boje. Të këtyre figurave me kollare, faqe bardha. Dhe plot xhel teknokratësh. Që u kanë zënë rrugën progresit social. Progresit politik që aq të domosdoshëm e ka demokracia. Këtyre të paturpëve kryetarë partish të vogla. Që si shushunja, fal manipulimeve elektorale nga formulat e sistemit zgjedhor. I rrinë trupit të demokratëve, demokracisë. Vendit…, shushunja. Vetëm si shushunja. Dhe paturpësisht flasin për demokraci. Ideale. Për botën, kulturën etj. Që nuk pranojnë se çfarë është sfida. Që e kanë vrarë një herë e përgjithmonë komunikimin normal. Që tashmë pretendojnë akoma tek demokracia.

Dhe demokrati ka mbetur vetëm me teserën. Me dy gishta.

Nuk e beson më populli.

Ka mbetur i shushatur si gjithë shoqëria. Aq sa ka frikë të flasi. Apo të shtrojë një ide ndryshe. I matufepsur nga rubrika e qytetarit dixhital që denoncon. Megjithlse ka kaluar 27 vite demokraci (sa shumë e kemi përsëritur) nuk ka një të dënuar për shkelje ligji. Një të vetëm…, politkbërisit. Ligjëvënësit etj. Por vetëm varfanjak nga periferitë e rrethinave për dritat e papaguara.

E pra, demokracia është praktikë ligjore. Veprimi dhe ndëshkimi.

Jo denoncim.

Nga ana tjetër më vjen turp. Që një vend i tërë, në gjithë këto vite.

Nuk nxorri dy burra shteti që dinë të flasin. Që dinë të dorëhiqen. Të afrojnë zgjedhje të reja. Të thonë më fal.

Më vjen turp që shoh qeveritarë të mbytur nga dhjami. Korrupsioni.

Dhe njerëz që diskutojnë fundin e muajit. Bukën e gojës.

Shqiptarë…. kurrë më shumë se sot. Nuk e keni rastin të ngriheni. T’ia bëni në kokë. Së pari asaj ngrehine aty. Që quhet qeveri. Pastaj asaj çadre që jo e lirësë nuk është. Por e hajnisë. E shushunjave që nuk u ngopën me gjakun tuaj.

Please follow and like us: