Albspirit

Media/News/Publishing

26 shkurt 1951: Ekzekutimi i 22 martirëve të “dinamitit në legatën sovjetike”

Më datë 19 shkurt, në orën 17 e 47 minuta u hodh në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike një sasi e vogël dinamiti me potencial të reduktuar. Një krisje e fortë dhe disa xhama të thyer. Asgjë më shumë. Alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës. Shqetësimi në ambasadën sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së…

 

Më datë 19 shkurt, në orën 17 e 47 minuta u hodh në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike një sasi e vogël dinamiti me potencial të reduktuar. Një krisje e fortë dhe disa xhama të thyer. Asgjë më shumë. Alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës. Shqetësimi në ambasadën sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së.

Plenumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet në paraditen e datës 20.2.1951 sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën Sovjetike.

Në seancën e datës 20 shkurt 1951, Byroja politike e KQ të PPSH dëgjoi raportimin e ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut: “Një politikë e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Masa të jashtëzakonshme represive: Pa marrë parasysh ligjet në fuqi! Mehmet Shehu deklaron: Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th. kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. U kërkua të arrestoheshin 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 të rëndësishëm të pushkatoheshin pa gjyq. Mehmet Shehu deklaron se: Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji.

Ministria e Brendshme dhe sigurimi i shtetit përpiloi listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 viktimave (edhe këto nga datat 19-26 shkurt 1951).

Akuza e prokurorit të Përgjithshëm të ushtrisë, Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe është firmosur prej tij. Aktakuza fillon me emrin e të pandehurit Tefik Shehu dhe mbaron me emrin e Sabiha Kasimatit. Gjithsej 22 persona të akuzuar. Për çdo akt-akuzë, për çdo të akuzuar, shënohen gjenealitetet, shtresa shoqërore dhe data e arrestimit. Asgjë tjetër.

Akuza kolektive, vetëm me 10 rreshta: “Akuzohen se: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste duke u bërë agjentë të rregullt të tyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja më informata me karakter sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Republikës sonë Popullore. Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë dhe satelitëve të tyre.

Fajet e mësipërme parashikohen nga nenet 2 e 3 nr. 10,7 dhe 8 të ligjës 372 datë 12.12.1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit dhe dënohen nga neni 4 i po kësaj ligje.

Duke qenë se ky proces ka rëndësi të posaçme kërkoj: Në bazë të nenit 12 të paragrafit të dytë të ligjës së sipërpërmendur të gjykohen në seancë të parë e të fundit direkt nga gjykata e lartë ushtarake dhe, mbasi të dërgohen para gjyqit dhe të provohet fajësia e tyre, të dënohen sipas dispozitave të sipërpërmendura. Tiranë 25.11.1951”. Gjykata e Lartë Ushtarake, me vendim nr. 64, datë 27.2.1951, dënoi me vdekje: Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi, Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaçeli, Manush Peshkëpia, Niko Lezo, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Mehmet Shkupi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Petro Konomi, Pandeli Nova. Ndërsa, në mesnatën e 26 shkurtit 1951, viktimat e kësaj historie u nxorën nga qelitë dhe i lidhën me kavo hekuri njëri me tjetrin. Ata nuk e dinin se ku po i çonin dhe as se do të vdisnin pasi nuk i kish gjykuar njeri. Skuadra e pushkatimit pasi kryen urdhrin i futën në gropën kolektive, duke i mbuluar pa asnjë shenjë.

 

Dervishi: Dosjet formularë për 21 të pushkatuarit e ‘51 janë asgjësuar

Arkivisti dhe studiuesi Kastriot Dervishi, duke sjellë në vëmendje ekzekutimin e 22 intelektualëve në 26 shkurt 1951 ka publikuar një dokument ku tregon këtë ngjarje. Ka publikuar dokumentin që lidhet me të vetmen dosje formular të mbetur në Arkiv nga ngjarja e “bombës në ambasadës sovjetike”, që është e Thoma Katundit. Dervishi sqaron, bashkë me këtë ngjarje se: “Më 19 shkurt 1951, organizata Bashkimi Shqiptar vendosi hedhjen e një sasie dinamiti në legatën sovjetike në Tiranë. Aksionin e kryen më 19 shkurt 1951 anëtarët e organizatës, Hysen Llulla dhe Qazim Laçi. I pari hodhi sasinë e dinamitit, ndërsa i dyti ngurroi. Duke mos ditur asgjë për ngjarjen, Sigurimi i Shtetit arrestoi apo akuzoi rreth 170 persona nga “kontingjenti armik”. Në këtë listë ishin disa të arrestuar në fund të vitit 1950 dhe në shkurt 1951. Duke qenë i paaftë nga pikëpamja operative dhe inteligjente për të zbuluar ngjarjen, Sigurimi, pas miratimit të Byrosë Politike, vendosi ekzekutimin e 22 personave nga tri listat që krijoi nga “elementi armik”. Në listën e parë ishin “agjentët e të huajve”; në të dytën ballistët, legalistët, pronarët dhe në të tretën “sabotatorët” ekonomikë. Pasi u ekzekutuan në periferi të Tiranës, në rrugën Tiranë-Kavajë, afër fshatit Mënik, u përpilua një vendim gjyqësor nr.64, datë 27.2.1951, i Gjykatës së Lartë i cili dënoi me vdekje 22 persona. Prej tyre, i vetmi që ka dosje formulare është Thoma Katundi. Dosjet formulare në ngarkim të 21 personave të tjerë të këtij procesi janë asgjësuar qysh atëherë. Për këtë arsye, i vetmi burim informacioni mbi datën e ekzekutimet e 22 personave, është dosja e Thomait. Dosja mban numrin 4 në fondin arkivor të dosjeve operative dhe përbëhet prej 119 fletëve. Asnjëra prej tyre nuk ka të shënuar nivel klasifikimi. Dosja tregon përndjekjen e Thomait nga viti 1945 e deri në vitin 1951. Ai ndiqej sepse kishte punuar në SHBA, por edhe si “agjent francez”, ndërsa në dosje nuk ka asnjë provë që t’i vërtetojë këto sadopak këto dyshime. Në dosje është ky shënim: “Është paraqitur i rezervuar nga frika pse ka mësuar se një miku i tij ka qenë nën survejim. Ka hapur parulla dhe ka propaganduar kundër vendit tonë sepse çdo gjë në dyqane do ta marrësh me të vrarë (me radhë d.m.th. – shënim). Ka folur për jetën e mirë gjoja në Amerikë, ka përbuzur duke i quajtur gomarë ata që janë riatdhesuar nga Australia dhe Amerika në Shqipëri. U arrestua më 20.2.1951. Nuk foli asgjë. Më 25-26 shkurt 1951 u ekzekutua”. Relacionet rreth tij i ka nënshkruar zëvendëskryetari i Degës së 1-rë, Manol Milo. U mor në pyetje më 21.1.1951 nga toger Irfan Muharremi. Nuk u pyet për asnjë rast për dinamitin në legatën sovjetike. Bashkëlidhur faksimilja që tregon datën e ekzekutimit”.

 

Pasardhesi Kaceli, nisma për 21 selvitë

Për të kujtuar ngjarjen, por dhe në homazh të 21 intelektualëve të pushkatuar në ngjarjen 26 shkurtit 1951, pasardhësi i një prej të pushkatuarve, Osman Kaceli dje ka qenë në vendin ku janë pushkatuar 21 intelektualët, ku mes tyre edhe babai i tij, Jonuzi. Ideja e propozuar prej kohësh e Kacelit për të mbjellë 21 selvi në vendin ku janë gjetur, pas viteve ’90-të kufomat, ende nuk ka marrë mbështetje të gjerë. Edhe pse është vetëm një ide, Kaceli ka realizuar dje aktin e parë, mbjellen e selvisë së parë që me sa duket do të pasojë në vitet në vazhdim

Please follow and like us: