Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Kurt Pasha, sundimtari “i mirë” i pashallëkut të Beratit

 

Maksim Zarka

Ahmet Kurt Pasha ka qenë themeluesi dhe sunduesi i parë i Pashallëkut të Beratit. Në fshehtësi me Portën e Madhe kundër Mehmet Pashë Bushatit në vitin 1774 krijoi Pashallëkun e Beratit. Për shërbimin e tij, Sulltani i dha territore në Shqipërinë e Mesme. Ai më vonë i zgjeroi territoret që zotëronte derisa vdiq në 1787, duke mbetur në kufi me Pashallëkun e Shkodrës në veri dhe në jug me Pashallëkun e Janinës. Megjithëse pati miqësi familjare me Ali Pashë Tepelenën, ata qenë armiq për vdekje me njëri-tjetrin. Ahmet Kurt Pasha e qeverisi Beratin për gati 23 vjet (1764-1787).

Pak histori

Ismail pashë Velabishti lidhi krushqi të dyfishtë me familjen e Ngurzajve, e cila ishte shtylla në Myzeqe. Në atë familje ai mori nusen dhe i dha motrën Ahmet Kurt pashës.

Ismail pashë Velabishti ishte pashai i Beratit.Ai mbante gradën e vezirit dhe qeveriste dhe  sanxhakun e Ohrit përveç atij të Vlorës. Kjo e bënte të  ishte në rivalitet me familjen e Vlorajve.

Më 1759 veziri Ismail pasha nuk u bind sulltanit  “për të nënshtruar rrebelët” dhe u arratis vetë i tretë ku bënte pjesë dhe kunati i tij, Ahmet Kurt beu i Ngurrëzajve.

Maksim Zarka

Më 1761, Sulltani e fali Ismail pashë Velabishtin.  Ismail pasha hyri në Vlorë pa luftë dhe kërkon dorën e vejushës së Kapllan pashë Vlorës, të cilën  e kishte dhe kushëri.Vejusha pasi pranoi me mashtrim e vrau Ismail Pashën.

Vendin e Ismail pashë Velabishtit e zuri Ahmet Kurt pasha. Ai ndoqi politikën e pajtimit me Portën e Lartë si dhe me familjet feudale, veçanërisht me familjen e Vlorajve.Shumë shpejt Ahmet Kurt pashës iu dha grada e vezirit dhe iu besua detyra e derven- pashës së Epirit dhe të Moresë.

Ahmet Kurt pasha sytë i hodhi nga malikanea (skela) e Durrësit që ishte pronë e motrës së Sulltanit. Pasi bindi pronaren që t’ia besonte atij malikanenë,  më 12 shtator 1776, në krye të një ushtrie prej 12 mijë luftëtarësh u ndesh me ushtrinë e bushatllinjve në Peqin, ku dhe i mundi. Malikanenë e Durrësit e mbajti 5 vjet, pasi  më 1781, motra e sulltanit iu hoqi të drejtën e sipërmarrjes së skelës së Durrësit.

Më 1785 Ahmet kurt pasha u ndesh po në Peqin me dy kundërshtarë të fortë, me bushatllinjtë dhe Ali pashë Tepelenën. Këtë radhë me nofulla të shtrënguara Kurt Pasha shijoi humbjen, por si një strateg që ishte diti të tërhiqet drejt kalasë së Beratit, duke ruajtur të pa shkatërruar ushtrinë. Shpejt e përtëriu dhe e forcoi ushtrinë  dhe vendosi rregullin në pashallëkun e vet.

Më 1786 së bashku me Kara Mahmut pashën (tashmë aleat) u përfshi në kryengritje kundër Turqisë. Ai qeverisi dy vjet duke kundërshtuar hapur Portën e lartë.

Në mars 1787, Ahmet Kurt pasha u helmua nga mjeku i vet, i nxitur nga Porta e Lartë dhe nga rivalët.

Ahmet Kur pasha la djalë Mehmet pashë Ngurrëzajn, i cili hyri në luftë për pushtet me kunatin e tij, Ibrahim pashë Vlorën, ku ky i fundit fitoi.

Pashallëku i Beratit, një oaz begatie e qetësie

Ahmet Kurt pasha qeverisi 20 vjet. Ai e lulëzoi pashallëkun e Beratit. Kurt Pasha ishte veziri më i fuqishëm dhe mbi të gjithë shqiptarët, ai kishte mundur të  impononte rregullin dhe komandën, kur në të gjitha krahinat e tjera hajdutët, brigandët bënin ligjin. Dukej se në mes hapësirës plaçkitëse, ky pashallëk ishte një oaz ku sundonte rregulli e ligji, – shkruan Irakli Koçollari

Në çarkun e ligjit dhe të rregullit të Kurt Pashës ra dhe Ali pashë Tepelena si hajdut e brigand së bashku me shokët e tij.  Aliu i ri  20 vjeçar u kap rob si cub. Ndërsa shokët e Aliut,  pashai i Beratit i vari, këtij të fundit i kurseu jetën. Pa mëshirën e Kurtit , s’do të kishte pasur Ali pashë Tepelena. Madje, Kurt Pasha e mbajti Aliun në shërbim të tij si një djalë me energji e plot dhunti. Këtu djaloshi tepelenas pati mundësinë të shoh dhe të prek artin e të drejtuarit të pashallëkut dhe të zhvillimit të ekonomisë. Pashallëku i Beratit dhe Kurt Pasha  ishte shkolla e parë  e Ali pashë Tepelenës, ku ai mësoi sesi qeveriset një pashallëk, pavarësisht se nuk i qe mirënjohës për këtë në karierën e tij si burrë shteti më vonë.

Kurt Pasha ishte një shtetar i mirë. Ai ndoqi një politikë të taksave të ulëta dhe krijoi një unitet të brendshëm në pashallëk. Aq  popullore ishte bërë  politika e  taksimit së Ahmet Kurt pashës sa 40 vjet më vonë nga vdekja e tij, krerët e Shqipërisë së Jugut në Kuvendin  Beratit më 1833, i kërkuan Portës së lartë: “…detyrimet e shqiptarëve ndaj shtetit osman të zbrisnin në masën që paguanin kur në krye të sanxhakut të Vlorës  ishte Ahmet Kurt Pasha”.

Ndërtime monumentale që i rezistuan shekujve

Shumë ndërtime inxhinerike që i rezistuan kohës janë frut i mendimit dhe angazhimit konkret të familjes së Ahmet Kurt Pashës nga familja e Ngurzajve. Kështu ai ndërtoi dhe vuri në përdorim urën Kuçit dhe  të Goricës në Berat.

Ura e Goricës sot është vepër arti dhe mban statusin e Monumentit të Kulturës si trashëgimi kulturore.

Është për të ardhur keq që në këtë urë nuk ka një pllakë ku të thuhet se kjo urë u ndërtua në kohën e Kurt pashës, kur sot pse dikush lyen një ndërtesë apo vë një dritare në një ndërtesë ekzistuese, me vrap shikon vendosjen e një pllake me mbishkrim se “u rikonstruktua nga X apo Y fondacion”.

Mendoj se vendosja e një pllake të tillë do t’ia shtonte me shumë vlerat urës si Monument Kulture.

Por Kurt pasha ka ndërtuar ura dhe në Fier. E bija e Kurt pashës, Merjemja i kërkoi pashait të ndërtojë një urë mbi lumin Gjanica. Kështu  më 1777,  Kurt Pasha ndërtoi urën me harqe të  lumit Gjanica  në Fier pranë Kishës së Shën Gjergjit, e cila u hodh në erë në pasditen e 15 tetorit 1944 nga gjermanët.

Një urë me gurë ka qenë dhe në Sukun nr. 2, që lidhte rrugën e vjetër me Beratin. Edhe kjo ka qenë e ndërtuar po nga Kurt Pasha. Por pashai ka dhe një meritë tjetër. Ai  përkrahu, nxiti dhe mbështeti peshkopët myzeqarë bubullimas, veçanërisht Joasafin e parë për ndërtimin dhe rikonstruksionin me element arkitekturor vendas të shumë  kishave në Myzeqe.

Ai kishte një ndjenjë të theksuar patriotizmi  për vendin dhe kryeheroin shqiptar, Gjergj Kastriotin, Skenderbenë. Është kjo arsyeja që shumë kisha që u shuguruan në kohën e tij morën emrin Shën Gjergji, siç ishte kisha e Shën Marinës në Fier, në Libofshë e gjetkë.

Ahmet Kurt Pasha megjithëse ishte qeveritar i Perandorisë turke, e ndjente veten shqiptar. Pavarësisht se misionari helenist Kozma Apokuro Etolia (Shën Kozmai) kishte leje të posaçme nga Sulltani, dokumentet dëshmojnë se Kurt pasha nuk e shikonte me sy të mirë punën e Kozma Etolisë.

Për të gjitha këto që thamë më lart duam apo nuk duam, Kurt pasha është pjesë e historisë sonë, ndaj do të ishte mirë që historiografia shqiptare t’u rikthehet dokumenteve dhe ta çojë në vendin që meriton figurën e Ahmet Kurt Pashës.

Please follow and like us: