Albspirit

Media/News/Publishing

Bordi i ONM dhe rrebelimi i Ministrit të Drejtësisë

Image result for albspirit

Çerçiz Loloçi

Për herë të dytë, në një hark të shkurtër kohor, Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili u është drejtuar me një letër të hapur krerëve më të lartë të shtetit, përfshi Presidentin Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama si dhe dy ambasadorëve Lu dhe Vlahutin ku kërkon rishikimin e statusit të Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Sipas tij marrëveshja e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave (KM) Agaçi dhe qeverive të SHBA dhe BE është jashtëkushtetuese dhe si e tillë duhet ribërë nga qeveria shqiptare dhe duhet rivotuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Po ashtu si parardhësi i tij Ylli Manjani, Ministri Vasili ka gjetur rrugën publike të denoncimit të këtij shqetësimi, pa provuar më parë që ta shtrojë këtë shqetcsim në një nga mbledhjet e radhës së KM, siç ndodh rëndom në shtete me standarde demokratike.

(Në çdo vend të qytetëruar qeveria e një force politike apo e një kolaicioni është një zë i vetëm dhe qëndrimet e saj i shpreh të unifikuara ose nëpërmjet zyrës së saj të shtypit ose me autorizimin e një anëtari të kabinetit, përndryshe do të kishim një kakofoni zërash ku “njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit”. Kur ka përplasje dhe mosdakortësi në një nga mbledhjet e KM, qëndrimet specifike diskutohen në një seancë parlamentare, pra i nënshtrohen një debati më të gjerë në pushtetin më sipëror të një shteti. Çdo rast tjetër është i pakuptimtë dhe e bën qesharak jo vetëm atë që e ngre një shqetësim të caktuar, por edhe vetë KM).

Por le të kthehemi te thelbi i problemit.

Kuptohet fare lehtë se në marrëveshjen mes Sekretari të Përgjithshëm të KM dhe dy qeverive të SHBA dhe BE ka një problem kushtetues, që mund të zgjidhet qysh në mbledhjen më të parë të qeverisë. Përtej kësaj letra e Vasilit mund të merret si një rezistencë jo vetëm e tij, por edhe e forcës që ai përfaqëson që ky Bord i OMN të zvarritet pafundësisht dhe që të mos funksionojë asnjeherë.

Po çfarë është në thelb Bordi i OMN?

ONM, sipas aneksit kushtetues,  do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit; përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Europian. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

ONM emëron vëshguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave, ndërsa vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda. Sipas aneksit kushtetues, vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:

  1. a) i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit  dhe Komisionerit Publik;
  2. b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit;
  3. c) u jep Komisionerëve Publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit.

ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Pra kjo strukturë e re do të kalojë në sitë gjyqtarë dhe prokurorë dhe në përbërje të tij do të jenë gjithashtu të angazhuar edhe dy ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Në statusin e funksonimit të tij nuk flitet ende për kontrollin e pasurisë së politikanëve, që është në të vërtetë segmenti më i koruptuar dhe më i inkriminuar nga kanë ardhur në këtë gjendje të gjitha pushtetet e tjera, përfshi edhe atë të Drejtësisë.

Nga sa më sipër as Vasili dhe as ndonjë poliitkan tjetër s’ka pse të ndihet i shqetësuar, megjithëse shqiptarët në masë dërmuese kërkojnë pikësëpari kontrollin e politikës, të kryetarëve të partive, të ministrave dhe ish-ministrave, të deputetëve dhe ish-deputetëve, të kryebashkiakëve dhe ish-kryebashkiakëve, etj.

Pastrimi i gjyqësorit është vetëm hapi i parë, të tjerë do të vijnë në muajt e ardhshëm.

 

 

Please follow and like us: