Albspirit

Media/News/Publishing

A do ta zgjidhë ndërhyrja e qeverisë situatën në Zharës?

Dje u bë publik lajmi se qeveria shqiptare ka vendosur të pezullojë punimet e kompanisë bankers Petroleum në Zharrës dhe aplikimin e teknologjisë së injektimit të ujit në gëlqeror. Teknologji që mendohet se provokon lëkundjet që kanë shkaktuar dëme në komunitet. Lidhur me këtë çështje u bë e njohjur se ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka përcjellë një shkresë për drejtuesit e kompanisë që u kërkon ndalimin e kësaj përdorimit të kësaj teknologjie dhe “të përdorë alternative të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin”.

Ndërkohë është gati një projektvendim që rregullon ngritjen e  Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për vlerësimin e dëmeve në Zharrëz, duke diktuar që “efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i vendimit përballohen nga buxheti i shtetit”. Këto efekte i referohen një VKM-je që përcakton reagimin e qeverisë në rast fatkeqësie natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veoprimtaria njerëzore. Në vend të dytë klasifikohet “angazhimi i kompanisë Bankers sipas marrëveshjes hidrokarbure”.

Këshilli i Ministrave ka ndërhyrë me një VKM që në fund të muajit dhjetor, por ajo duket se nuk ka zgjidhur gjë. Baza ligjore e këtyre akteve nuk garanton në fakt zgjidhjen e problemit. Qeveria ia ngarkon efektin financiar buxhetit duke mos referuar si parësor detyrimet e Bankers në marrveshjen hidrokarbure, por detyrimet  që rrjedhin nga një VKM për fatkeqësitë. Në këtë kuptim, ndonëse siç bëhet me dije qeveria shqiptare disponon aktin e vlerëismit nga ekspertët shqiptarë, mendimin e të cilëve e ka kërkuar vetë, ajo nuk vepron në përputhje me detyrimet e marrëveshjes hidorkarbure, pasi Bankers nuk ka rënë dakord me vlerësimet në fjalë. Për rrjedhojë qeveria ka ndërhyrë për të zgjidhur një problem politik që erdhi nga lëvizja e banorëve dhe jo se në një moment të caktuar ajo konstatoi situatën e fatkeqësisë natyrore ose jo. Dhe kjo neglizhencë është e rëndë. Qeveria ka detyruar Bankers të pezullojë punimet në bazë të një vlerësimi teknologjik të vetin, por me anë të të cilit nuk është në gjendje të detyrojë kompaninë të paguajë paratë. Pra akti i ekspertimit vlen për një aspekt, por jo për një tjetër. Këtu Bankers fiton një avantaazh në aspektin juridik që mund ta përdorë nesër në arbitrazh nëse çështja do të përkeqësohet.

Përdorimi i ujit teknologjik parashikohet në marrëveshjen hidrokarbure – planin e veprimit – dhe këtu shtrohet menjëherë çështja se çfarë do të ndodhë nëse eksperti I dakordësuar që është thirrur nga jashtë, do të vlerësojë se kjo teknologji nuk ka lidhje me lëkundjet në Zharrëz. Dhe kjo ndodh ndërkohë që qeveria ka vendosur të nisë dëmshpërblimin, çka eventualisht hap rrugën që nesër i njëjti komunitet të ekspozohet ndaj të njëjtit problem.

Po kështu nëse eksperti vlerëson se teknologjia e përdorur shkakton lëkundjet, ndërkohë që ajo është pranuar në marrëveshjen hidrokarbure atëherë kjo do të thotë se Bankers-it do t’i kërkohet nxjerrja e saj nga përdorimi, ose mbështetja e një operacioni zhvendosjeje të komunitetit. Në çdo rast fatura që vjen është e lartë dhe nuk dihet nëse qeveria ka vullnet të shkojë deri në fund. Po kështu nuk dihet se çfarë mund të bëjë kompania nëse i ndalohet përdorimi i një teknologjie që ka vite që e aplikon duke mos patur për asnjë çast asnjë ankesë nga autoriteti kontraktues, në këtë rast Albpetor. Ironike është se vetë ky i fundit në faqen e vet premton përmirësime në teknologjinë e shfrytzimit duke cilësuar të tilla pompat me burmë.

Nga 13 marrëveshje hidrokarbure që ka Shqipëria kjo është e vetmja që po rezulton me probleme. Por Bankers është investitori më i madh në vend dhe këtu çështja ndërlikohet. Qeveritë shqiptare i kanë bërë dy rishikime marrëveshjes me kompaninë, por në aspketin e detyrimeve financiare të saj. A do të mund të imponohet në përdorimin e teknologjisë? Kjo mbetet për t’u parë, por fakt është se as qeveria, aq komuniteti dhe as shoqëria nuk janë treguar të aftë për të reaguar siç duhet. Mishmashi i vendimeve të qeverisë e provon më mirë këtë gjë./respublica/

Please follow and like us: