Albspirit

Media/News/Publishing

Kush po e sulmon Sorosin në Tiranë?

Mbi valën e sulmeve që kanë shpërthyer kundër miliarderit hebre Xhorxh Soros në Tiranë dhe në krejt vendet e ish-botës komuniste ka shkruar së fundi edhe gazetari kosovar Enver Robelli. Në shkrimin e tij në Dialogplus.ch i cila ka treguar me emra ata që sipas tij janë të rrezikuar nga reforma në drejtësi dhe prandaj fantazojnë se Sorosi fshihet pas ambasadorit amerikan, pas ambasadores së BE-së, se Sorosi po ashtu është gazetar në degën e BIRN në Tiranë.

Ja seç shkruan Robelli: “I ka ardhur radha edhe Fahri Balliut të dalë në televizion dhe të thotë se ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, e ka sjellë vetë Sorosi, pasi më parë, gjithnjë sipas Balliut, Sorosi e detyroi Papa Benediktin të jap dorëheqje. Askush nuk duhet të kursehet nga kritika, përfshirë edhe diplomaten kroate Vlahutin, por jo me shpifje ordinere. Burri i saj, thotë Balliu, qenkësh shef i Sorosit në Bosnjë. Sipas kësaj mendësie primitive ballkanike gruaja bën atë që i thotë burri, ajo nuk guxon të vendosë vetë për karrierën e saj”. Sipas Robellit nëse Balliu do të ishte i vetëm ai mund të injorohej lehtë, por ky konspiracion është më i madh: “kundër Sorosit janë pozicionuar me shpifje edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili presionin e ambasadorit amerikan në Tiranë për të zbatuar reformën për drejtësi e ka quajtur të ngjashme me tipologjinë e përdorur nga Sorosi, me qëllim për të manipuluar opinionin publik dhe për të zhvlerësuar rolin e institucioneve. Kështu rrotullohen faktet: për zhvlerësimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë akuzohen ambasadori amerikan dhe Sorosi, i cili gjoja qëndron pas tij. Kjo marrëzi i afrohet mjaft propagandës së Radio Tiranës në vitet ’70 kundër «revizionizmit perëndimor» dhe «kolonializmit amerikan». Ku lulëzon budallallëku e shpifja nuk është larg as Sali Berisha. I kritikuar në vitet ’90 nga gazeta britanike «The Independent» si kreu i një «regjimi gangsterësh» dhe i akuzuar nga organizatat për mbrojtjen e gazetarëve si shtypës i lirisë së fjalës, Berisha vazhdimisht gjen një armik edhe të jashtëm. Sipas tij Sorosi dhe mafia e tij politike na qenkan rrezik madhor për demokracinë shqiptare. Berisha nuk ngurron të shërbehet me klishetë e rëndomta antisemite, kur thotë se Sorosi është një miliarder që ka korruptuar «më shumë se kushdo tjetër mbi tokë» politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare, madje paskësh korruptuar edhe individë dhe grupe në institucione serioze ndërkombëtare të vendosura në kryeqytete të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Berlinin. Ja ku arritëm: hebreu që spekulon me para arrin të korruptojë edhe gjermanin në Berlin. S’paskësh ndryshuar bota fare që nga vitet ’30″.

Në këtë bashkim opozitarësh Robelli fute edhe Ilir Metën: “I pashmangshëm në debatin për Sorosin është edhe Ilir Meta. Në një paraqitje televizive ai ka deklaruar se «disa media financohen, janë financuar nga George Sorosi». Kjo është me rëndësi të theksohet sidomos nga Ilir Meta, i cili kurrë nuk ka financuar asnjë gazetë, asnjë portal, asnjë televizion, nuk i ka dhënë bakshish asnjë gazetari. Ilir Meta është simbol i pastërtisë politike dhe shërbimit me devotshmëri ndaj shtetit. Çfarë do të bënte Shqipëria pa Ilir Metën. Kur BIRN hulumton pak botën politike dhe biznesore të Metës, atëherë ky përgjigjet: «Është medie e Sorosit». Kur Ilir Meta flet për lirinë e shtypit, kjo tingëllon si kur flet baroni Münchhausen mbi fluturimin e tij mbi një gjyle topi” që mbron idenë se e gjithë kjo zhurmë bëhet për shkak të reformës në drejtësi.

Please follow and like us: