Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenca Trump sjell në skenë një epokë të re militarizimi

Në tërësi, ekziston një pretendim se presidenti Trump – armiqësor ndaj pakteve të tregtisë së lirë dhe aleancave të mëdha ushtarake – është izolacionist, një avokat i tërheqjes dhe reduktimit të Amerikës në skenën botërore. Kjo nuk është edhe aq e vërtetë, ashtu sikundër vë në dukje historiani i Kembrixhit, Stephen Wertheim: “Trump nuk është një izolacionist. Ai është një militarist, diçka shumë më e keqe”.

Përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, Trump promovoi se ai do të ishte presidenti i Ushtrisë. Ai në mënyrë të përsëritur thirri fantazmat e gjeneralëve Douglas MacArthur dhe George Patton dhe foli në emër të tyre. Hedhja e më shumë parave në shpenzimet ushtarake ishte një nga përbërësit kryesorë të platformës së tij për ta bërë Amerikën të madhe sërish dhe Trump ndoqi këtë javë këtë plan duke njoftuar rritjen e buxhetit të Pentagonit, edhe kështu gjigand prej 54 miliardë dollarësh – duke u hyrë dukshëm në hak agjencive të tjera federale, përfshirë edhe Departamentin e Shtetit.

“Me shpresën se nuk do na duhet kurrë ta përdorim, por dhe që askush të mos ngatërrohet me ne. Askush”, tha Trump, javën e kaluar. “Do të jetë një nga buxhetet më të mëdha ushtarake në historinë amerikane”.

“Ushtrisë sonë do t’i jepen burimet që luftëtarët e saj trima i meritojnë plotësisht”, deklaroi Trump, gjatë një fjalimi në mbledhjen e përbashkët të dhomave të Kongresit, mbrëmjen e së martës, ku ai premtoi “rinovim të shpirtit amerikan”.

Vetë sekretari i Mbrojtjes së administratës Trump, ish gjenerali i Marinës, Jim Mattis, e kishte lidhur që më parë mbështetjen diplomatike me suksesin ushtarak. “Nëse nuk e financoni plotësisht Departamentin e Shtetit, atëherë do më duhet të blej më shumë municione”, tha ai në vitin 2013. Një grup prej më shumë se 120 ish-gjeneralësh dhe admiralësh i dhanë jehonë Mattisit në një letër të hapur ku kundërshtohej plani Trump për buxhetin.

Ndërkohë, kritikët e Trump në të majtë, argumentojnë se zmadhimi ishte thjesht i panevojshëm. Trump “paramendon se mbrojtja e vendit është zvogëluar, por ai është thjesht gabim”, shkroi Fred Kaplan në “Slate”, duke vënë në dukje se buxheti i fundit i administratës Obama ishte edhe buxheti më i madh ushtarak i Amerikës së pas 11 shtatorit. “Nëse kishte mangësi në politikat e luftës nën Obamën, ato nuk rridhnin nga mungesa e armëve apo e fuqisë njerëzore në ushtri”.

Por, përafrimi i administratës Trump me ushtrinë është po aq i madh – nëse jo më i madh – sa edhe krijimi i një narrative folklorike se po hartohen politika të reja. Trump në mënyrë të vazhdueshme nderon gjeneralët “e tij” (kur nuk i fajëson për vdekjen e ushtarëve, kjo është). Ai fiksohet pas projektimit të fuqisë së njëanshme e plot muskuj të Amerikës në skenën botërore dhe ngërdheshet ndaj diplomacisë së pararendësit të tij që e cilëson dykuptimëshe.

Ky është një zgjerim i politikave ultra-nacionaliste të këshilltarëve të tij ultra, ideologëve që e shohin botën me terma të zymtë, të thjeshtë dhe tmerrues. Mjaft të merret në konsideratë një ese e gjatë e publikuar nga  Michael Anton, pjesë e stafit të Trump në këshillin e Sigurisë Kombëtare, që mbahet tashmë si përfaqësues i së djathtës ekstreme. Anton argumenton për nxitjen e “prestigjit” amerikan në skenën botërore, diçka që ai mendon se u reduktua gjatë Obamës.

“Njerëzit duan të jenë pjesë e një diçkaje më të madhe se vetja”, del në përfundim Anton, pa asnjë qasje të thelluar. “Kjo përfshin edhe kombin e tyre. Patriotizmi është kështu një fenomen natyral. Ai përmbushet më mirë kur njerëzit ndjejnë se vendi i tyre është i fortë ose të paktën jo i dobët”. Kjo është gjuha dhe mendimi që Trump duket se kupton.

Se çfarë nënkupton e gjitha kjo për politikën është e paqartë, por Amerika e Trump tashmë po hedh një hije dyshimi në të gjithë botën.

Që militarizmi ishte pjesë e gjeopolitikës një shekull më parë, kur u rritën fuqitë nacionaliste më të mëdha, e pakontrolluar nga sistemet e ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë në garën armatimeve dhe në një konflikt shkatërrues e kataklizmik. Vëzhguesit tashmë shohin një rikthim në politikën e asaj kohe, kur një periudhë tregtie të lirë “liberale” dhe protoglobalizmi i hapi rrugë një betejë destabilizuese dhe rënies së perandorive.

“Ndjesia e Trump për abuzimin dhe poshtërimin është e fuqishme”, shkruan Wertheim. “’Bota po qesh me ne’, përsërit ai pafundësisht. Është një thirrje më e zakonshme për shtetet dhe lëvizjet revolucionare sesa për fuqinë më të madhe të botës. Japonia perandorake dhe Gjermania naziste nuk pushtuan territore për shkak të një trilli, liderët e tyre vepruan mbi dëshpërimin e perceptuar, duke besuar se ata po humbisnin në një konkurrencë të pamëshirshme për pushtet dhe status.

Në një kohë kur këshilltarët më të afërt të Trump janë të fiksuar pas statusit dhe e shohin veten si avangardën e ndryshimit revolucionar, jehonat historike mund të jenë të frikshme. (Washington Post)

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Please follow and like us: