Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta e shqiptarëve ndaj sorosianëve dhe gylenistëve

Mentor Kikia

Pasi kisha shkruar disa statuse në faqen time në FB dhe nja dy shkrime në gazetë për protestat në Turqi dhe mbylljen e disa gazetave nga Erdogani, Ambasada turke reagoi nja dy herë rresht me shkrime-replikë.

Pas kësaj një koleg këtu në Tiranë, që kishte marrë për sipër të mos lejonte ti prishnin imazhin Erdoganit, kishte hartuar një listë me “Gylenistët e Shqipërisë”.

Kishte futur aty këdo që kishte shkruar në fb kundër Erdoganit, madje edhe ata që kishin bërë like, e padyshim që më kishte vënë në radhë edhe mua si Gylenist, e që sipas tij, na priste burgu.

Lajmi se unë kisha ngritur krye kundër Sulltan-Erdoganit kishte mbërritur deri tek nëna ime, që ngatërron qeset e ilaçeve të tensionit me të reomatizmës tashmë.

Ishte shqetësuar kaq shumë e gjora, sa më telefonoi e bëri për një lek: “Po çke mor bir që ngatërrohesh me Turqinë ti, Turqisë nuk ia doli Skëndërbeu do ia dalësh ti. Merru me punën tënde se s’kemi terezi burgjesh tani, s’do i zgjidhësh ti hallet e botës”.

Nëna ime është qetësuar tashmë se edhe unë kam hequr dorë nga “lufta kundër Turqisë” si Gylenist.

Por kjo histori mu kujtua ndërsa ka shpërthyer lufta ndaj një tjetër sekti armiqësor. Sorosizmi!

Tani, unë nuk kam ndërmend ta shqetësoj sërish nënën duke i shpallur luftë Amerikës dhe Trampit, për të mbrotjur Sorosin, por dua të them se pavarësisht se cfarë mund të ketë bërë filantropi miliarder pas kuintave të politikës sonë, Ramën kryeministër e bëmë ne, jo ai. As Metës nuk i tha ai ik nga Berisha e bashkohu me Ramën.

Në fund të fundit, mirë Sorosi ka faj se ka trajnuar, duke mbeshtetur me bursa, ca njerëz që sot janë në qeverisje, e që janë bërë hajdutë, po ne që i zgjedhim këta, nuk kemi ndonjë faj?

Please follow and like us: