Albspirit

Media/News/Publishing

Ilva Tare: Një shans për të gjithë

Ftesa për dialog e zgjatur nga koalicioni qeveritar në ditën e 13-të të protestës së opozitës është një shans për të gjithë aktorët politikë, për ta futur klimën politike në temperatura normale. Edhe pse “Një shans për të gjithë” është slogani aktual LSI-së së Ilir Metës, prej tij mund të përfitoj Basha, ashtu si dhe Rama. Fillimi i një dialogu për të adresuar të gjitha shqetësimet e opozitës në prag të zgjedhjeve të 18 Qershorit, nuk është vetëm i mirëpritur dhe i sugjeruar nga shqiptarët e ndërkombëtarët, por edhe i diktuar nga situate kritike në Maqedoni dhe rajon.

Koalicioni qeverisës e ftoi kreun e opozitës të diskutojnë mbi propozime realiste ndërsa Basha ju përgjigj se është i gatshëm të ulet në tryeza jo fasadë, por kushtet e tij të plotësohen nga një qeveri me mbështetje të gjerë politike. Shkëmbimi i deklaratave politike u bë pak orë përpara se Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini të shkelë në Tiranë.

Kërkesa e opozitës për një qeveri me mbështetje të gjerë politike në kushtet kur aktualisht në Kuvend është maxhoranca më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë mund të jetë penguese për procesin e dialogut. Por nëse palët kanë vullnet të sinqertë për vazhdimin e reformave si zgjedhore dhe asaj të drejtësisë një rrugëdalje mund të gjendet, pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta që ka maxhoranca dhe opozita.

Si fillim, shkëputja e procesit të Vetingut, nga kërkesat e PD për zgjedhje të lira e të ndershme, zbatimi i dekriminalizmit dhe lufta kundër kanabisit është parakusht i panegociueshëm për partnerët amerikanë dhe europianë që bëjnë thirrje të vazhdojë pa asnjë pengesë zbatimi i reformës në drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar me 140 vota në mesnatën e 21 Korrikut. Siç ua ritha dje gazetarëve Ambasadori Donald Lu, zbatimi i Kushtetutës nuk është negociueshëm.

Hapësira e krijuar për dialog duhet shfrytëzuar nga të gjithë si një shans për ta nxjerrë nga cadra politikën e ditës dhe për ta futur në rrugë institucionale, ashtu siç i takon një vendi që kërkon të nisë negociatat me Bashkimin Europian dhe të ngrejë themelet e një republike me drejtësi të re dhe të vetuar sipas vullnetit unanim të 140 deputetëve në tempullin e ligjvënies. Vetingu dhe e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre jo të inkriminuar, në mënyrë të lirë dhe jo të frikësuar apo të blerë janë dy procese që nuk e përjashtojnë por e plotësojnë njëri tjetrin, pavarësisht kostove apo skeleteve në dollap që ka gjithsecili aktor në tryezën e bisedimeve.

Në fund të fundit, dialogu dhe jo pazari, mbetet një shans për të gjithë ata që kanë interesat e shqiptarëve për zemër.

Please follow and like us: