Albspirit

Media/News/Publishing

Mogherini: Dera e BE e hapur për Shqipërinë por duhet Vettingu! Opozita? Zëri nuk ngrihet vetëm me protesta!

Zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini i bëri apel të rinjve shqiptarë të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e vendit të tyre. Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, Mogherini tha se ndryshimi për vendin nuk mund të kërkohet vetëm përmes protestave, por përmes studimeve, duke u angazhuar në shoqëri.

“Ngrijeni zërin tuaj, nuk po kërkoj protesta, por duhet të punoni, të angazhoheni, të studioni, me pjesëmarrjen në shoqëri, ju jeni vet Shqipëria. Ju jeni e tashmja e vendit dhe keni përgjegjësi që duhet ti merrni”, tha shefja e politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, ndërsa ishte e shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.

Mogherini tha se Bashkimi Evropian është i hapur për të çelur negociatat me Shqipërinë, por vendi ynë duhet më parë të zbatojë reformën në drejtësi.

“Reformën në drejtësi e kërkojnë shqiptarët, jo BE. Shqiptarët kërkojnë një sistem drejtësie të pavarur, është përgjegjësi e institucioneve ta zbatojnë këtë reformë me të njëjtën qasje që gjetën kur e miratuan atë. Ne jemi të hapur për të çelur negociatat me Shqipërinë, ne jemi gati, tani ju takon juve të bëni një hap më parë me të njëjtin qëndrim që kanë treguar forcat politike një vit më parë”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së përfundoi duke thënë se BE do të jetë i plotë vetëm kur të anëtarësohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria është Evropa, ju jeni evropianë, qytetarët shqiptarë janë pjesë e Evropës. Ne duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Bashkimi ynë nuk ka për të qenë i plotë derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e tij. Dera e BE është e hapur për ju, për të gjithë Rajonin”, tha Mogherini.

Please follow and like us: