Albspirit

Media/News/Publishing

Partia Socialiste pranon axhendën e opozitës në tryezën e dialogut

4 pikat që propozoi Partia Demokratike për dialog me mazhorancën, janë pranuar. Në një mesazh drejtuar opozitës, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi thotë se socialistët janë të hapur të diskutojnë.

“Kjo mazhorancë ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog me opozitën. Ka shumë për të folur edhe për katër pikat e propozuara e saposhtruara nga opozita dhe jemi të gatshëm të ulemi në Kuvend, në komisione apo ku të dëshirojë Partia Demokratike. Qeveria dhe opozita duhet të dialogojnë gjithnjë për reformat e mëdha dhe çdo çështje në interes të vendit e të qytetarëve; kush është në qeveri e kush në opozitë, e vendos vetëm Populli me votën e tij” sipas Ruçit. Duket qartë që në reagimin e tij, kreu i deputetëve socialistë ka shmangur një koment për kërkesën e opozitës për qeveri teknike.

Më herët PD rreshtoi 4 tema diskutimi në tryezën që pritet të bëjë bashkë opozitën me mazhorancën.

1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”, thuhet ne deklaraten e PD.

Please follow and like us: