Albspirit

Media/News/Publishing

Çabej poet, soneta që iu dedikua të birit

Së fundi Ora News njoftoi rikthimin e trashëgimisë së Eqrem Çabejt në një formë tjetër. E bija, Brikena Çabej, pas qëndrimit të gjatë në Francë, kthehet në Shqipëri dhe ka vendosur të hapë shtëpinë e vjetër në Tiranë që mendohet të jetë një qendër për kulturën, artet, albanologjinë.

Po botojmë më poshtë një nga poezitë e mrekullueshme marrë nga libri “Sonetet” (2008). I kushtohet të birit, Artanit, i ikur nga jeta para kohe.
Dimensioni i poetit te Çabej tregon se gjuhëtar i shquar ai “është bërë” prej poezisë, “poezisë” pa të cilën njeriu nuk bën dot asi veprash që s’i takojnë më atij por njerëzve.

Artanit

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjeki varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.
Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg.

Please follow and like us: