Albspirit

Media/News/Publishing

Gabimi i parë i Lulëzim Bashës, që nga 18 Shkurti

Artur Zheji

Kryeministri në siklet, kërkon dialog, sepse s’ka zgjidhje tjetër. Kryeministri në siklet, kërkon tani të mbështetet te Basha, për të fituar kohën që i duhet deri në zgjedhjet e Qershorit. Dhe kryeministri në siklet të paparë, shkruan në Fb, në adresë të kryetarit të Opozitës:

“Dialog për çdo çështje dhe pa kushte me opozitën, edhe tek çadra po të duan, po opozita nuk duhet të mbajë peng Drejtësinë dhe të ardhmen e këtij populli duke bllokuar Vetingun që çliron Shqipërinë”.

Mirëpo me sa duket Basha, në eufori apo në mosvëmendje, për këtë gjysmë fitore dhe këtë sikletosje të plotë e të hapur të kryeministrit të pasigurtë, e refuzon të sikletosurin, të fusë kryet në Çadër për pak spektakël dhe për pak sfidë.

Kjo nuk është parë dhe nuk është dëgjuar!

Pse e refuzon kryeministrin që të vi e të bëjë një xhiro te Çadra, zoti Basha?

Argumenti juaj nuk është bindës kur e dëgjuam që the se: Të mos lejohet kryeministri të bëjë teatër te Çadra!

Le të vijë more dhe të bëjë edhe cirk po deshi, ti je Zot shtëpie aty, ndërsa ay, një mysafir që e ka kapur stuhia e skandaleve dhe morthi i pasigurisë totale.

Le të vijë aty sëbashku me Endrin e Fugajve dhe ti prite me Tanin e Fugajve në krah.

Sepse dukshëm, Rama ka nevojë sot për një Çadër, më shumë se vetë opozita që e ngriti atë!

Zoti kryetar i Opozitës, ke hyrë dhe se paske kuptuar, në atë që quhet “brezi i artë i kohës tënde”?!

Mos ja hiq këtë mundësi kryeministrit, që të vijë e të kapitullojë në Çadrën tënde!

Tjetri të thotë “Dialog pa kushte!” dhe ti nuk e pranon.

Dialog pa kushte do të thotë “kapitullim pa kushte!” o zoti Basha!

Please follow and like us: