Albspirit

Media/News/Publishing

Pse i shpërbleu Rama grevistët e Zharëzit?

Pas grevës së urisë, pas maratonës mbresëlënëse drejt kryeqytetit e sidomos pas ngujimit mbi trotuarin e Ministrisë së Energjitikës, qeveria e Rilindjes, pasi kreu me gjasë studimet mbi dëmet në Zharrës, u bind dhe vendosi më në fund të verë dorën në zemër. Ndonëse pas gati katër vitesh që qeveris, si dhe pas një dhjetvjecari masakre të hajdutëve ndërkombëtarë e vendorë të naftës e pasurisë kombëtare qeveria e Ramës i dha dum e me një VKM deklaroi se do të rindërtojë shtëpitë e rrënuara në masën 100%…

Protesta u ndërpre, banorët u kthyen në shtëpitë e rrënuara nga Bankers, ndërsa qeveria u vetshpall nga vetë Rama aleatja e vetme e hallexhinjve, edhe pse me veprimet e mosveprimet e veta ka lejuar të kryet një shkatërrim apokaliptik, të cilin nuk do të guxonte ta bëhej kurrkund, madje as në ndonjë vend të Afrikës së sotme!…Sakaq jo pas tri ditëve, por pas një minute lajmi mbyti lajmin, plaga plagën, halli im, sipas traditës,  është më i madh se halli yt, le më pastaj se halli ynë i përbashkët! Ky është sekreti dhe mjeti propagandistik i qeverisjes në këtë vend, ­ shpik e sajo, qoftë edhe artificialisht, një problem mediatik, që të mbulohet e të harohet skandali i parë.

Dhe kësisoj del vetiu ky përfundim: përherë qeveria në fuqi  beson se i ngjan miletit barngrënës përherë më e mirë dhe më e sukseshme se qeverisja e djeshme….

Frika se në një gjykatë ndërkombëtare të arbitrazhit ne do të ndëshkoheshim rrëndë nuk është justifikim, por gënjeshtër. Me atë lloj masakre mjedisore në Marinëz, pas atij abuzimi barbar e ndotjeje që i është bërë pasurisë kombëtare, duke e transformuar një krahinë të rrezikshme për gjallesat, nuk ka gjykatë në botë që do të guxonte ti jepte të drejtë një kompanie të tillë makute, edhe pa thirrur specialistë ndërlombëtarë. Mjaftojnë pamjet televizive për të provuar se në atë zonë është lejuar të kryhet një krim i pashëmbullt ekologjik,  që nuk mund të kryhej, në zonat e banuara as në Azi a në Afrikë, në asnjë vend të rruzullit, madje edhe sikur ne të gëzonim statusin e një vendi kolonial të shekujve të shkuar. Toka dhe nëntoka e Sirisë nuk janë bombarduar me tërmete artificiale  dhe nuk janë helmuar me helme si  në atë zonë.

Nuk mjafton as justifikimi që kontratën koncesionare e pat firmosur një qeveri tjetër. E vërteta është se qeveria e Rilndjes e kishte frikë një ballafaqim të tillë me kompaninë Bankers.

Jo për shkaqe ligjore, as kontraktuale, por klientelizmi dhe varësia për të bërë lobim me ndërkombëtarët influentë, dmth prej frikës se mos pala shqiptare, katër muaj para zgjedhjeve do të binte në të njëjtin gabim që bëri me armët kimike, apo, ca më zi, me deklaratën e papërgjegjshme të Ramës kundër zgjedhjes së Trampit president detyroi qeverinë të mirte përsipër shlyerjen e dëmtimeve, me shpresë se do të besohej si aleate e dhimbsur e hallexhinjve, e ndërkohë të linte në hije, dmth të pa prekur përgjegjësinë e Bankersit.

Përndryshe, aleatët e fuqishëm amerikanë, përfshi dhe ambasadorin Lu,  pas një sjelljeje të kësollojtë, të përsëritur, do të kishin të drejtë të zhgënjeheshin, të humbnin durimin e besimin e të kërkonin ndëshkim =izolimin jo vetëm diplomatik të qeverisë së sotme të Ramës, duke e akuzuar nën zë kryeministrin si një bukëshkalë recidivist. Kuptohet, besoj, ç’ pasojë do të sillte një situatë e tillë për zgjedhjet e ardhshme.

Duke u vetshpallur aleatja e vetme e hallexhinjve, qeveria e Ramës shpreson, beson dhe synon që, pas kësaj bamirësie, në qershor, me gjasë, pra pasi të jenë  mbyllur shatërvanët e gazit helmonjës nëpër obore e kopshte, pasi të kenë sosur sulmet mediatike mbi Bankersin,  pas të jenë bërë suvatimet dhe bojatisjet e fasadave të shtëpive, pasi të jenë shpërndarë e shpenzuar paret e dëmshpërblimit si dhe pasi të jetë promovuar, do Zoti!,  edhe një pedonale rrëzëllitëse për Zharrësën nga  vetë kryeministri, rezultatet e votimit më 26 qershor kanë për të dalë  edhe aty të larta, tejet të sukseshme për qeverinë e Ramës, ashtu si dolën në Gërdec për qeverinë e Berishës…

Se do të bëhemi me shtet, de more de!

*Shkrim i shkruar per lapsi.al. Titulli origjinal: “Do të bëhemi me shtet. de more de!”

Please follow and like us: