Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Bojaxhi: Kjo klasë politike nuk e ka të gjatë

Anëtari themelues i partisë “Sfida për Shqipërinë”, Gjergj Bojaxhi, thotë se vizita e ditëve të fundit e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini u kujtoi edhe një herë Shqiptarëve se si kjo klasë politike ka marrë peng procesin e integrimit të vendit.
“Çdo dy legjislatura ata ndërrojnë vendet dhe akuzat për njeri-tjetrin, ndërsa vazhdojnë të pengojnë me radhë realizimin kërkesave të Bashkimit Europian”, u shpreh Bojaxhi në një deklaratë për mediat.
Z. Bojaxhi thotë se klasa politike duhet të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve të cilët meritojnë të renditen mes popujve të Europës.
“Klasa politike e ka kthyer në një monopol shfrytëzimi këtë vend duke e plaçkitur ditë pas dite. Sigurisht, për ata nuk ka interes anëtarësimi i vendit në BE, pasi do të thotë të heqin dorë nga privilegjet e paligjshme që u kanë dhënë vetes dhe të marrin dënimin që meritojnë”, u shpreh Bojaxhi.
Në vijim të deklaratës, anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë tha se kjo klasë politike nuk e ka të gjatë. Do të jenë vetë qytetarët që me anë të votës do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të vendit.
“Zgjedhjet e 18 qershorit dhe vota qytetare do të shërbejë si zgjidhje ndaj problemeve të shumta të vendit për shkak të kësaj klase të dështuar politike. Qytetarët, përmes votës, do të vendosin mbi të ardhmen e tyre dhe të vendit, duke dalë nga kjo gjendje “në vend numëro” ku politika e ka lënë”, përfundon deklaratën Gjergj Bojaxhi, i “Sfida për Shqipërinë”.

Please follow and like us: