Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i Enverit: Mehmeti mendoi vetëvrasjen pas fejesës së djalit me Silva Turdiun

Në takimin e 13 shtatorit 1981, Mehmet Shehu është paraqitur në vilën e Hoxhës, sipas porosisë së këtij të fundit, bashkë me të shoqen, Fiqreten. Në bisedën kokë më kokë të një dite më parë, dy liderët kryesorë të regjimit kanë rënë dakord për ta rishikuar çështjen e fejesës së djalit të kryeministrit “me gjakftohtësi dhe pa dhimbje për Partinë”.

Në fund, duke u ndarë, shkruan Hoxha, e porosita Mehmetin ta diskutojë shtruar me Fiqreten dhe nesër të vijnë bashkë për të më treguar variantin konkret si do ta zgjidhin likuidimin e situatës së rrezikshme.

Duke iu kthyer bisedës me çiftin kryeministror, ku ka qenë e pranishme dhe Nexhmija, Hoxha përmend tri alternativat që i ka komunikuar Shehu për zgjidhjen e çështjes në fjalë, duke i rreshtuar sipas radhës.

Varianti i parë: Skënderi të kuptonte gabimin dhe të prishte fejesën.

Varianti i dytë: Të mos e pranonte ndarjen dhe të martohej me të duke zënë apartament jashtë shtëpisë së Mehmetit.

Varianti i tretë: Të vriste veten nga dëshpërimi.

Në mënyrën si ka rrjedhur debati gjatë këtij takimi, bie në sy reagimi i Hoxhës pas kumtimit të fjalës “vetëvrasje”. Hoxha, që e kupton më mirë nga gjithkush gjuhën e tjetrit, nuk e afron për asnjë çast vetëvrasjen për Shehun, por qëllimisht e adreson tek i biri, Skënderi, dhe harxhon minuta të tëra për të siguruar bashkëbiseduesin se diçka e tillë nuk mund të ndodhë kurrsesi.

“Mos ki merak fare, iu ktheva Mehmetit, shkruan Enveri, se Skënderi tënd ka kaluar shumë herë në këto rrugëra dhe as që është turbulluar, pa le të vrasë veten”. Takimi është mbyllur, siç shkruan Hoxha, sërish pa ndonjë zgjidhje të qartë. “Sidoqoftë, shton ai në dorëshkrimin e tij, duke iu referuar çasteve fundore të bisedës, për mua është e qartë, duhet prishur fejesa, por sot s’ia thashë se ishte shumë i tronditur, do t’ia shtroj nesër kur të qetësohet dhe të zgjidh këtë lëmsh që bëri”.

Në numrin e kaluar publikuam bisedën Hoxha-Shehu në takimin e 12 shtatorit ’81. Në dorëshkrimin e Hoxhës bëhet e ditur se takimi ishte kërkuar me ngulm nga Shehu, i cili, pas reflektimit mbi problemet e bëra prezente një ditë më parë, sforcohej të sqaronte pozicionin e vet dhe të familjarëve të tjerë në fejesën e gabuar. “Mehmeti i alarmuar dhe me sy të errësuar nga sentimentalizmi i sëmurë karshi fëmijëve, shkruan Hoxha, duke bërtitur me duar, thosh: ‘Jo, shoku Enver, unë kam faj, vetëm unë kam faj, unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti’ etj., etj”. Po përpjekja e Shehut për të lehtësuar nga përgjegjësia të birin dhe bashkëshorten nuk ka funksionuar deri në fund.

Hoxha, i vëmendshëm ndaj strategjisë së tjetrit, ia ka prerë qysh në fillim, madje me një lloj nervi. “E laç të mbaronte dhe të pushonte të qarit, shënon Hoxha në ditar, pastaj i them: ‘Shif, Mehmet, ti dhe Fiqretja s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë, por ka faj edhe djali, Skënderi, i cili ka bërë dhe skandale të tjera’”. Debati i çelur një ditë më parë ka vazhduar kështu katër orë pa ndërprerje. Në përballjen e pazakontë, përveç përpjekjes së Hoxhës për ta bindur tjetrin për prishjen e fejesës, dallon një lloj qasjeje të fshehtë të kreut të Partisë për t’i lënë të kuptonte Shehut se tashmë ky i fundit nuk po dëshmonte më besnikëri…

DOKUMENTI

Takimi i tretë

E diel, 13 shtator 1981

Mehmeti me gjithë Fiqreten erdhën përsëri te ne dhe sigurisht, të tronditur dhe të alarmuar për gabimin e madh politik që bënë, në mes tyre bluanin në kokë shumë variante prapë alarmante që mund të ngjisnin me Skënderin kur t’i thoshnin se duhej të priteshin marrëdhëniet me Turditë. E dëgjoja Mehmetin me gjakftohtësi pse e merrja me mend çfarë variantesh kishin imagjinuar.

Varianti i parë: Skënderi të kuptonte gabimin e tij dhe të prindërve e ta pranonte të likuidohej kjo situatë e rrezikshme.

Varianti i dytë: Të mos e pranonte ndarjen dhe të martohej me të duke zënë apartament jashtë shtëpisë së Mehmetit.

Varianti i tretë: Të vriste veten nga dëshpërimi.

I them Mehmetit: Varianti i parë do të ngjasë dhe ai duhet të bëhet. Mos ki merak, i them, se djali tënd ka lënë dy-tri vajza, mund të lërë edhe të katërtën pa gjë të keqe fare.

Kurse dy variantet e tjera, të siguroj unë se nuk do të ngjasin. Po të ngjasë varianti i dytë, ai braktis rrugën e Partisë për rrugën e reaksionit, ai hyn në rrugën e armikut. Po nuk do ta lëmë të ngjasë një gjë e tillë dhe s’ke pse e mendon këtë variant. Ti e njeh më mirë djalin, por mua, i them Mehmetit, më çudit pse mendon kështu.

Sa për variantin e tretë, mos ki merak fare se e vret veten. Skënderi tënd ka kaluar shumë herë në këto rrugëra dhe as që është turbulluar, pa le të vrasë veten. Mehmeti m’u përgjigj: “Ishalla kështu u bëftë, por këto variante më shkuan ndër mend. Pas kësaj, Mehmeti më nxori nga xhepi një tok letra për të më treguar përbërjen komplet të Turdiut dhe të gruas së tij (Pipa janë).

I them s’është nevoja, ato që duhet të di t’i thashë dhe ato qëndrojnë. Po, tha Mehmeti, ato janë, por desha të shtoj vetëm disa përcaktime: “Arshi Pipa, udhëheqës i reaksionit shqiptar në Amerikë, nuk është i vëllai i nënës së vajzës, por djali i xhaxhait”

I them: Njësoj është. Por, shtoi Mehmeti, të ta lexoj një çikë, ja tri faqe janë, m’i ka dhënë Sigurimi: Profesor Turdiu, babai i vajzës, dy herë është futur në listat e Sigurimit; kriminelët e luftës, të burgosurit, të arratisurit janë, por në listë filloi të më numërojë pjesëtarë të familjes së Turdiut, nja katër a pesë, që njëri punon atje, tjetri atje.

Kjo ishte nga ana e Mehmetit një lehtësim, njëfarë shfajësimi, por edhe për variantin e dytë mund të shërbenin që fundi-fundit mund të pranohesh. Kjo nuk më erdhi mirë dhe i them: Asgjë nuk lot, kjo është një familje plot me armiq dhe këta që më numëron ti, heshtin se kanë frikë, por po gjenë rastin, bëhen si të tjerët.

Ashtu është, tha Mehmeti. Atëherë u ndamë, u përpoqa ta qetësoja deri sa t’i vinte djali nga Athina, të cilin e kthen për t’ia shtruar çështjen dhe të merrte fund. Mendimi im është se Mehmeti realizon se ka bërë gabim politik, por këtë realizim se ka të thelluar në konsekuencat e rënda, por në platformën “si më ngjau mua” dhe jo “pse më ngjau mua” dhe ku është burimi.

Për mua është e kiartë, nuk ia thashë sot se ishte shumë i tronditur, por do t’ia shtroj nesër kur të qetësohet dhe të zgjidh këtë lëmsh që bëri. Është në interesin e madh të Partisë që t’i kuptojë Mehmeti këto gjëra, se mund të bëjë prapë gabime. /Pan/

Please follow and like us: