Albspirit

Media/News/Publishing

50 hijet e shtypjes së grave

Është shkruar e debatuar shumë për trilogjinë e librave Fifty Shades nga E. L. James. Me kritika të mëdha për mungesë të vlerave letrare, të tri pjesët e Fifty Shades prapë se prapë e pushtuan tregun komercial të librave më të shitur.

Ngjashëm ndodhi edhe me filmat, ku i dyti i bazuar në tekstin e dytë momentalisht po i dominon kinematë botërore, përfshirë edhe ato të paktat në Kosovë. “Me 1400 bileta të shitura sot për filmin Fifty Shades Darker kemi vendosur rekord te ri!” – mburret Cineplexx Kosova. Filmi qëllimisht shfaqet mu në kohën e festës së të dashuruarve Shën Valentinit, dhe pa dyshim që zhanri i filmit po promovohet për romancë, erotikë dhe përqafim të seksualitetit femëror.
Por as librat dhe as filmat e bazuar në to, nuk kanë të bëjnë asgjë me asnjërën nga të tri konceptet e përmendura,, dhe assesi me natyrën dhe mënyrat komplekse se si manifestohen në praktikë përmes përvojave dhe raporteve reale.

Kudo ku dominon patriarkati, dinamika dominues / e dominuar është narrativë jo vetëm e njohur por edhe e mbrojtur shoqërisht e institucionalisht; burri dominuesi ndërsa gruaja e dominuara. Kjo dinamikë tipike prezantohet në Fifty Shades. Burri, i pasur, vetjak, narcizoid, ndërsa gruaja, e pasigurt në veten e saj, e papërvojë seksualisht, dhe në kërkim patetik të dashurisë.

Ai është biznesmen i pasur që e josh me dhurata të shtrenjta, ndërsa ajo është studente që punon me gjysmë orari në një dyqan. Ai i di dhe i ka përjetuar të gjitha, ndërsa ajo tërësisht pasive por e gatshme që përmes dashurisë së një burri t’i tejkalojë ‘kufijtë e saj fizikë dhe mendorë’; “Nuk është dhimbje, është kënaqësi” – manipulon dominuesi Green me të dominuarën Steel.

Kushdo që është e/i familjarizuar me konceptet e dhunës ndaj grave, ngacmimit seksual, kërcënimit dhe përndjekjes, besoj që i ka lexuar librat apo parë filmat me sy kritik. Nuk është romancë, as erotikë dhe as BDSM. Përderisa librat thirreshin në eksplorimin e seksualitetit femëror dhe përqafimit të ‘anës së errët’ së saj, janë pikërisht anëtarë të komunitetit BDSM që jo vetëm kanë qeshur me mënyrën se si komuniteti i tyre është prezantuar përmes personazhit Grey, por e kanë cilësuar edhe të rrezikshëm sepse ky i fundit e shfrytëzon përvojën me BDSM për të manipuluar me dikë që nuk është fare pjesë e këtij komuniteti dhe as që ka informacion bazik se si funksionojnë raporte të tilla.

Sipas praktikuesve të BDSM, aktivitetet në fjalë, sikurse secili raport tjetër seksual bazohet në komunikim, mirëkuptim, siguri, dhe mbi të gjitha miratim (ang: consent) prej të dy palëve. “Grey për dallim është përndjekës klasik i cili e përcjellë, e frikëson verbalisht, dhe e izolon nga shoqëria protagonisten Steel.” – thotë njëri nga anëtarët e këtij komuniteti. Organizatat për mbrojtjen e grave nga dhuna kanë reaguar qysh me marrjen hov të shitjes së librit të parë, dhe vazhdojnë të reagojnë edhe për filmat në të cilat dhuna ndaj një gruaje po maskohet për erotikë.

Shprehjet e shpeshta që vajzat e gratë i kanë kur i referohen raporteve toksike dhe të korruptuara me të dashurit, partnerët apo bashkëshortët e tyre, janë “xhelozon sepse më do”; “më përcjellë sepse kujdeset”; “nuk më beson sepse shoqëria është degjeneruar”, dhe të tjera të ngjashme.

Arsyeja pse gra të reja kudo, përfshirë Kosovën, mund të asociohen me protagonisten Steel, mund të jetë fakti se në Kosovë, sjellja dominuese, kërcënuese dhe përndjekëse e kulturës mashkullore është pothuajse e normalizuar, dhe një grua e re e virgjër që “eksploron seksualisht” me të dashurin e saj kontrollues dhe dominues, tingëllon si diskurs i pranueshëm për gratë dhe çiftet. Me fjalë të tjera, mund të luash egër, por sipas kushteve të tij. Dhe kjo nuk ka lidhje me përqafim dhe eksplorim të seksualitetit femëror por përkufizim, kontrollim dhe mbikëqyrje të saj nga ai.

Por kjo nuk besoj që është arsyeja e vetme pse filmi ka tërhequr numër të madh të grave të reja në kinema. Interesimi nuk ishte që vinte veç nga to, nga kureshtja pas leximit të librave, apo thjeshtë interesimi për natyrën e “errët” seksuale të filmit. Albi Mall është siguruar që marketing gjinor të bëhet në plotësi. Për të siguruar numër rekord të biletave të shitura nën moton #LadiesNight, Cineplexx është siguruar që konsumatoret t’i joshë me elemente tipike të ‘marketingut femëror’, shpërblime me fustane, set stolish, syze, çanta, rroba, parfume dhe masazhe trupore.

E pse të kritikojmë një rrjet biznesesh në Kosovë për përforcimin e seksizmit përmes marketingut gjinor, kur janë vetë institucionet e vendit që për 8 mars u dhurojnë grave të punësuara në ato institucione nga një kupon prej 20 eurosh që të blejnë parfum, çantë apo diçka ‘femërore’? Apo kur Policia e Kosovës në një tender të vetëm shpenzon mbi 6,700 euro për dhuratat e 8 marsit?

Sistemi dhe mendësia kapitaliste (edhe pse jo i vetmi) e përforcon binaritetin strikt dominues/e dominuar dhe e ushqen tregun seksist përmes ‘‘marketingut femëror”’. Pse nuk u zgjeodhën filma të tjerë për joshjen e audiencës femërore me moton #LadiesNight, si për shembull filmi Jackie ku dekonstruktohet figura politike e zonjës së parë Jacqueline Bouvier Kennedy gjatë një momenti tragjik në politikën amerikane, apo Hidden Figures, një film për pjesëmarrjen e grave afro-amerikane në NASA? Epo, porositë për fuqizim politik të grave nuk ia dalin t’i shesin çantat e parfumet po aq sa ato që promovojnë konsumerizëm dhe imazh të rrejshëm të grave të modernizuara.

Një skenë filmi apo bisedë e natyrës seksuale që nxit të qeshura nga njerëzit në sallë ashtu sikurse po ndodh me filmin Fifty Shades Darker në Cineplexx, tregon për papjekurinë e burrave dhe grave për biseda serioze dhe komplekse sikurse erotika, seksi dhe raportet toksike në mes të çifteve. E mos të flasim për të rinjtë e të rejat që ende nuk rriten në shkollë e shtëpi me edukatë seksuale, por rriten me qasje të pakufizuar në pornografi që i lë të irrituar, të hutuar, dhe i pengon të krijojnë raporte të shëndosha romantike dhe intime. E kur është fjala për edukimin seksual të të rinjve, ia vlen të rikujtojmë faktin që njëra nga shkollat private në vend, Mileniumi i tretë, në revistën shkollore nën rubrikën “Literaturë’ pa pikë përgjegjësie e ka përzgjedhur pikërisht librin Fifty Shades duke e prezantuar atë për roman dashurie bashkë më një libër tjetër po aq të kritikuar sa ky në fjalë.

Një shtypje e tillë e grave përmes abuzimit psikologjik dhe seksual, dhe promovimit të imazhit pasiv të grave përmes dhuratave konsumuese ‘shën valentinase’, është pikërisht diskursi i korruptuar gjinor që po ndodh aktualisht në pop kulturën tonë. Për t’i zbërthyer 50 hijet e personalitetit të personazhit Grey mjafton mendimi kritik dhe informacioni shumë-dimensional rreth pushtetit, erotikës, mizogjinisë dhe kapitalizmit. Ajo na ndihmon t’i shohim ato si 50 hijet e shtypjes së grave, prej dhunës fizike dhe seksuale e deri te ajo simbolikja përmes konsumit dhe marketingut seksist.

Please follow and like us: